I vazhdohet paraburgimi Pjetër Shalës

Aktuale

I vazhdohet paraburgimi Pjetër Shalës

Më: 23 janar 2024 Në ora: 11:04
Pjetër Shala

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim që Pjetër Shalës t’i vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj të tjerë.

Me vendimin e 19 janarit 2024, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, ka urdhëruar Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe mbrojtjen e viktimave që nëse dëshirojnë t’i paraqesin parashtrimet e veta për shqyrtimin e radhës të paraburgimit, duhet ta bëjnë jo më vonë se 5 marsi 2024.

Ky është shqyrtimi i 15-të i paraburgimit për të akuzuarin Shala, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për arsyet e lartpërmendura, Paneli përmes kësaj: a. URDHËRON vazhdimin e paraburgimit të të akuzuarit; b. URDHËRON ZPS-në dhe avokatin e viktimave, nëse ai dëshiron, të paraqesë parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të të akuzuarit jo më vonë se e marta, 5 mars 2024; c. URDHËRON mbrojtjen që të paraqesë parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të të akuzuarit, nëse dëshiron, jo më vonë se e marta, 12 mars 2024; dhe d. PËRCAKTON që çdo përgjigje, nëse ZPS-ja dhe mbrojtësi i viktimave dëshirojnë, do të dorëzohet jo më vonë se e premtja, 15 mars 2024”, thuhet në vendimin për shqyrtimin e 15-të të paraburgimit për Pjetër Shalën.

Në parashtrimet e veta, ZPS-ja kishte pohuar se vazhdimi i paraburgimit për të akuzuarin është i domosdoshëm pasi që sipas tyre asnjë rrethanë nuk ka ndryshuar që nga vlerësimi i panelit për shqyrtimin e 14-të të paraburgimit për Shalën.

Më konkretisht, ZPS rikujton se, në vendimin e tij të katërmbëdhjetë për paraburgimin, trupi gjykues konstatoi se ekzistonte një dyshim (mirë) i bazuar se i akuzuari ka kryer krime të shumta brenda juridiksionit të DhSK-së dhe pohon se asnjë rrethanë që mund ta ndryshojë këtë përcaktim nuk është përfshirë që atëherë”, thuhet në vendim.

Tutje, në vendim thuhet se ZPS-ja mban qëndrimin se rreziku i arratisjes ekziston duke argumentuar se gjykimi është drejt fundit dhe kjo gjë e rritë edhe me tej rrezikun.

ZPS-ja përsërit më tej argumentin e saj se të gjitha këto rreziqe mund të zbuten vetëm me mbajtjen e vazhdueshme të të akuzuarit në objektet e paraburgimit të DhSK-së, ku komunikimet dhe lëvizja e tij mund të monitorohen dhe kufizohen në mënyrë efektive”, thuhet në vendim.

Ndërsa, mbrojtja e Shalës ka pohuar se vazhdimi i paraburgimit për të akuzuarin është i paligjshëm.

Mbrojtja pohon se vazhdimi i paraburgimit të të akuzuarit është i paligjshëm dhe se lirimi i tij me kusht është i garantuar, pasi ZPS nuk ka dëshmuar se paraburgimi i tij mbetet i nevojshëm në kohën e shqyrtimit”, thuhet në vendim, duke theksuar që në parashtrimet e veta mbrojtja ka thënë se duhet të merret parasysh sjellja e mirë e të akuzuarit në objektet e paraburgimit të DhSK-së.

Mbrojtja ka pohuar se i akuzuari nuk ka rrezik të ikë dhe se konkludimi i ZPS-së lidhur me këtë çështje, sipas tyre është spekulativ dhe i pabazuar.

“Lidhur me rrezikun e arratisjes, mbrojtja pohon se i akuzuari nuk rrezikon ikjen dhe kujton gjetjen e Panelit në vendimin e katërmbëdhjetë të paraburgimit në lidhje me këtë. Ajo shton se parashtresa e ZPS-së se mbyllja e afërt e procedurës rrit rrezikun e ikjes së të akuzuarit është e pabazuar, spekulativ dhe nuk mund të përbënte një rrethanë ndërhyrëse që do të ndryshonte gjetjen e mëparshme të Panelit”, thuhet tutje.

Në lidhje me masat alternative të paraburgimit, mbrojtja ka parashtruar se ekzistojnë masa të përshtatshme si ajo e arrestit shtëpiak.

Në lidhje me masat alternative të paraburgimit, mbrojtja parashtron se ekzistojnë masa të përshtatshme dhe duhet të merren parasysh, si arresti shtëpiak në rezidencën e të akuzuarit në Belgjikë, moskontakt me dëshmitarët dhe viktimat, pa qasje në telefon dhe internet, përveç në prani të mbikëqyrësit të tij me kusht, dorëzimin e të gjitha dokumenteve të udhëtimit dhe raportimin ditor”, thuhet në vendim.

Në vendimin e saj, gjykatësja Veldt-Foglia ka rikujtuar se Paneli edhe më parë ka gjetur se i akuzuari nuk ka rrezik që të ikë dhe se argumentimi i ZPS-së që ekziston rreziku i arratisjes pasi procedura është drejt fundit, sipas tyre nuk është rrethanë mjaft e fortë dhe bindëse që të ndryshohet konstatimi.

Kolegji mbetet i bindur se i akuzuari nuk është në rrezik ikjeje dhe se një rrezik i tillë, edhe nëse ekziston, mund të zbutet në mënyrë adekuate nga kushtet që do t’i vendosen në pajtim me nenin 41 (12) të Ligjit dhe Rregulli 56 (5) i Rregullave”, thuhet në vendim.

Mirëpo, Paneli ka vërtetuar se ekziston rreziku që i akuzuari të pengojë procedurën penale, duke u bazuar në deklaratat kërcënuese që sipas tyre i akuzuari i kishte bërë në vitin 2016 dhe 2019.

Paneli më parë ka vërtetuar se ekziston rreziku që i akuzuari të pengojë procedurën penale, sipas nenit 41 (6) (b) (ii) të Ligjit, bazuar në faktorët dhe rrethanat në vijim: (i) i akuzuari ka bërë deklarata kërcënuese në vitin 2016 dhe 2019 [REDAKTUAR]; (ii) identitetet e (të gjithë) dëshmitarëve të ZPS-së janë të njohura për të akuzuarit; (iii) Dëshmitarët e ZPS-së kanë dëshmuar dhe janë paraqitur prova shtesë para mbylljes së rastit të ZPS-së, duke përfshirë provat potencialisht inkriminuese; dhe (iv) ekziston një klimë e përgjithshme dhe e vazhdueshme e frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë”, thuhet në vendim.

Ndërsa, sa i përket kërkesës për lirimin me kusht nga mbrojtja, Paneli ka theksuar se monitorimi i të akuzuarit mund të bëhet vetëm në objektet e paraburgimit në DhSK duke theksuar se paraburgimi i të akuzuarit do të rishikohet çdo dy muaj ose sapo të shfaqet ndryshim i rrethanave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat