Ndarja e parave për partitë politike: Si mund të ndalet financimi i Listës Serbe me para të shtetit të Kosovës?

Aktuale

Ndarja e parave për partitë politike: Si mund të ndalet financimi i Listës Serbe me para të shtetit të Kosovës?

Më: 23 janar 2024 Në ora: 19:59
Lista Serbe

Ndarja e mjeteve financiare nga buxheti i Kosovës për Listën Serbe ka nxitur reagime të shumta në vend. Ndonëse vendimi i KQZ-së për ndarjen e 360 mijë euro për këtë parti është në përputhje me ligjet në fuqi, KQZ-së dhe presidentes Osmani i është kërkuar që në mënyrë urgjente t`i ndalet financimi me para të shtetit këtij subjekti politik.

Zyrtarë shtetërorë dhe njohës të rrethanave politike në vend kanë bërë me dije se mos distancomi i këtij subjekti politik nga sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë, është argument i mjaftueshëm për shpalljen e Listës Serbe si parti si antikushtetuese.

Megjithatë, juristët nuk janë pajtuar me këto thirrje. Sipas tyre, këto janë pretendime joserioze.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka bërë me dije se as Presidenca dhe as KQZ-ja nuk mund ta ndalin financimin e një partie politike, e cila është e përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës.

Në profilin e tij në “Facebook”, Miftaraj ka treguar se si mund të bëhet kjo.

“Financimi i partive politike është i rregulluar me ligj. Ndarja e mjeteve financiare për parti politike bazohet në fuqinë politike të secilës parti politike në bazë të numrit të deputetëve në Kuvendin e Kosovës. KQZ e as Presidenca nuk munden në mënyrë arbitrare me ndalu financimin ose ndarjen e mjeteve financiare për asnjë parti politike që përfaqesohet në Kuvendin e Kosovës. I kuptoj partitë politike që bëjnë fushatë me Listën Serbe, por nuk i kuptoj disa ekspertë të pavarur që mbajnë qëndrime që janë jashtë rendit kushtetues dhe juridik të Kosovës”, ka shkruar Miftaraj.

Ai ka bërë me dije se financimi për një parti politike mund të ndalohet vetëm nëse ajo shpallet anti-kushtetuese.

“KQZ mundet me ndalu financimin e një partie politike vetëm nëse me vendim të gjykatës e njëjta parti politike shpallet kundër-kushtetuese dhe përjashtohet nga Kuvendi i Kosovës përmes një procesi gjyqësor. Deri sa nuk kemi një vendim gjyqësor për shpalljen e partisë politike kundërkushtetuese edhe zërat për të ndaluar financimin e partisë nga KQZ-ja nuk duhet marrë shumë seriozisht”, ka shkruar Miftaraj.

Kush po kërkon ndalimin e financimit për Listën Serbe?

Ndër të parët që ka reaguar ndaj vendimit të KQZ-së, ka qenë ai ish-inspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Burim Ramadani.

“Presidentja Vjosa Osmani Sadriu duhet që gjatë kësaj jave të ndërmerr hapat institucional e Kushtetues në raport me vendimin që i dha 360,000 euro Listës Serbe. Përkatësisht, ky vendim të shfuqizohet dhe përgjegjësia për këtë skandal të adresohet saktë! Integriteti dhe besimi publik në institucionet e shtetit duhet të rikthehet”, ka shkruar Ramadani në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas tij, pas sulmit në Banjskë ka ndryshuar gjithçka.

“Më pak se 4 muaj pas sulmit terrorist në Banjskë, për të cilin Qeveria e Kosovës mbajti përgjegjës Serbinë dhe Listën Serbe, po kësaj organizate ia dhanë 360 mijë euro. Gjithçka ka ndryshuar pas sulmit në Banjskë apo nuk ishte ky qëndrimi zyrtar i liderëve të institucioneve të Kosovës?”, ka shkruar ai.

Të njëjtën gjë e ka kërkuar edhe ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla.

Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka përmendur qëndrimin e ministrit Sveçla për këtë subjekt politik.

“Ja edhe momenti i votimit (pa debat) nga anëtarët e KQZ-së (dhe përfaqësuesit e partive politike) për lartësinë e mjeteve nga fondi për mbështetjen e subjekteve politike, përfshi buxhetin për organizatën kriminale Lista Serbe në lartësi prej 360 mijë eurosh. Mos të harrojmë që Ministri Sveçla ka deklaruar: ‘Lista Serbe morri përgjegjësi politike për terroristët kur shpalli tri ditë zie’”, ka shkruar ajo.

Pas sulmit në Banjskë, edhe zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, ka kërkuar që Lista Serbe të shpallet si antikushtetuese.

“Ekziston dyshimi serioz dhe i provuar që në krye të terroristeve të Banjskës qëndron nënkryetari i Listës Srpska, famkeqi Radojçic. Në bazë të këtyre indicieve dhe provave ligjore, Prokuroria Speciale e me ngritjen e aktakuzave për përfshirje të tij në veprimtari terroriste - e legjitimon arsyen që kjo parti djallëzore e Beogradit - të shpallet jokushtetuese dhe t'i ndalohet çfarëdo veprimi dhe organizimi politik në Kosovë”, ka shkruar Qorrolli.

Sipas tij, Lista Serbe po qëndron mbrapa këtyre sulmeve.

“Terrorizmi nuk është organizim sall individual, në këtë rast Lista Srpska qëndron mbrapa terë organizimit të sulmeve fashiste ndaj Policisë së Kosovës në mëngjesin e 24 shtatorit dhe është përgjegjese për vrasjen e, tashmë Heroit të Kosovës, rreshter Afrim Bunjakut”, ka shkruar ai.

Pavarësisht kritikave të shumta, askush deri me tani nuk e ka ndërmarr ndonjë hap drejt shpalljes se Listës Serbe si parti antikushtetuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat