Avokati mitrovicas Safet Voca - letër të hapur sistemit gjyqësor lidhur me problemet e qytetarëve në rrugën e realizimit të drejtave të pronës

Aktuale

Avokati mitrovicas Safet Voca - letër të hapur sistemit gjyqësor lidhur me problemet e qytetarëve në rrugën e realizimit të drejtave të pronës

Nga: F. B. Më: 24 janar 2024 Në ora: 20:36
Safet Voca

 "Unë si avokat me seli në qytetin e Mitrovicës sikurse edhe kolegët nga rajoni ynë për çdo ditë ballafaqohemi me probleme të ndryshme në ushtrimin e profesionit tonë, fillimisht këto probleme ishin më të theksuara për shkka mosfunksionimit  normal të organeve të drejtësisë që nga viti 2008 për shkak situatës që dihet botërisht në veri dhe detyrimit që për 10 vite të punohet në Gjykatën në Vushtrri dhe kushte jashtëzakonisht të vështira, për të u rikthyer në një objekt me kushte dukshëm më të mira në vitin 2017, por edhe sot e kësaj dite punohet në kushte shumë të pafavorshme si për qytetarët, po ashtu edhe personelin e ekspertëve të fushës", kështu e ka nis letrën e hapur drejtuar sistemit gjyqësor avokati i njohur mitrovicas Safet Voca.

Voca që njihet si njëri ndër avokatët përkatësisht ekspertët më të mirë dhe të profilizuar në çështjen pronësore, ka parë dhe ka shpalos shumë nga problemet me të cilat sot ballafaqohet sistemi gjyqësor dhe qytetarët në realizimin e drejtave të veta të garantuara.

Më tej avokati Safet Voca thekson se pas vendosjes në objektin aktual, patëm shpresë se do punohet mirë e mbarë në mënjanimin e stoqeve me lëndë të cilat kanë pritur me vite për të ardhur në rend shqyrtimi, por gjendja nuk ka ec përpara, për të mos thënë ka ngec, duke ju pamundësuar qytetarëve realizimin e drejtës së vetë kushtetuese edhe ligjore, të drejta këto të garantuara me Konventa ndërkombëtare, ndërsa avokatët me vështirësi realizojmë të drejtën elementare kushtetuese për punë, të drejtën e ushtrimit të profesionit të garantuara me Kushtetutë.

 “Përmes kësaj letre dua të adresoj disa nga problemet me të cilat ballafaqohemi ne si avokatë, pikësëpari kjo ka të bëjë me mënyrën si vendosen gjyqtarët në Gjykatën Themelore të Mitrovicës - Departamenti i Përgjithshëm në divizionin civil si dhe gjykatësit në Gjykatën e Apelit në Prishtinë në Departamentin dhe Divizionin e njëjtë si gjykatë e shkallës së dytë  lidhur me çështjet pronësore , ku shpesh objekt kontesti është vërtetimi i pronës, apo drejtës së shfrytëzimit të ashtuquajturës pronës shoqërore në sipërfaqe 3 deri 5 ari dhe shtëpitë e banimit të ndërtuara në ato prona që i kanë në shfrytëzim me vite të tëra” thotë avokati.

Bazuar nga përvoja shumëvjeçare në këtë fushë, me keqardhje mund të konstatoj se pikërisht për këto prona ku kërkohet vërtetimi i pronësisë, si në vendimet e Gjykatës së shkallës së parë, po ashtu edhe në vendimet e shkallës së dytë, e shpesh edhe në vendimet e Gjykatës Supreme të Kosovës, gjyqtarë të ndryshëm nuk janë duke vendosur drejt dhe ligjshëm dhe nuk janë parimor në vendime, bile ka raste që në praktikë në të njëjtën gjykatë me bazën e njëjtë faktike e juridike nxirren vendime të ndryshme.

Me vendime të tilla, këto gjykata po fusin pasiguri juridike te qytetarët, pasi ju mohohet e drejta elementare kushtetuese e ligjore të drejta këto të garantuara të KEDNJ, të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, mbrojtja e pronës sipas Kushtetutës së Kosovës, Konventës së mbrojtjes së pronës në shumë nen tjera, shprehet Voca.

Gjyqtarë qoftë nga shkalla e parë po edhe e dyta në vend të zbatimit të ligjeve në fuqi  që rregullojnë këto problematika në vendimet e tyre i japin të drejt vetës që të krijojnë normak materiale fiktive me interpretime subjektive të normave materiale pozitive duke krijuar pasiguri  juridike si për palët edhe avokatët, duke mos marr për bazë faktin se organet kompetente të komunës së Mitrovicës i kanë obliguar po ato palë që të paguajnë shërbime dhe tatime për pronën, të përmbushura me kohë reale nga palët, përfshirë edhe kyçjen e rregullt në ujësjellës, kanalizim, rrymë, mbeturina, shërbime të kryera përmes faturimit.

Duke u nis nga përvoja e gjatë në këtë fushë konsideroj se organet përgjegjëse juridike janë të obliguara të themelojnë sistemin e drejtë efikas edhe transparent për realizimin e drejtës ligjore edhe kushtetuese për qytetarët e vetë, duke ju ofruar dhe siguruar respektimin e ligjit dhe sigurisë juridike, që ligjet mos të mbeten vetëm në letër por të gjejnë zbatim praktik në secilin kontest apo parashtesë, tha avokati.

Avokati konsideron se palët nuk kanë asnjë faj nëse organet kompetente  të shtetit të Kosovës dhe mekanizmave tjerë ndërkombëtar të mbrojtjes së drejtave të tyre  që nga 1999 kanë dështuar në mbrojtjen e drejtave të tyre të ligjshme pronësore , që është obligim ligjor edhe kushtetues në një vend demokratik, ku respektohet sundimi i ligjit dhe obligim i shtetit që të siguroj sistem efikas, transparent dhe të drejtë për siguri juridike në çështjen pronësore.

“Konsideroj se shteti përkatësisht mekanizmat e saj të drejtësisë kanë dështuar që qytetarëve të vetë të ju siguroj mbrojtje efikase gjyqësore , të drejtë e të ligjshme  si e drejtë elementare e garantuar me nenin 46 të Kushtetutës së Kosovës me ligje materiale dhe KEDNJ” tha Voca.

Nisur nga fakti se palët janë shtetas të Kosovës dhe tatimpagues të tij, ata kanë të drejtë në siguri juridike, që duhet sigurohet nga sistemi gjyqësor, që brenda kohës optimale të marrin  vendime meritore bazuar në ligjet pozitive , vonesat dhe vendime jo meritore bien në kundërshtime me parimin e sundimit të rendit dhe ligjit dhe përbën shkelje flagrante të dispozitave dhe neneve të shumta të ligjeve që ndërlidhen me çështjen e mbrojtjes së pronës, shprehet avokati.    

Dëshmia më e shëmtuar në punën e disa gjyqtarëve në thuajse të gjitha nivelet në rastet e çështjeve pronësore është se ata (gjyqtarët) nuk po zbatojnë ligjet në sistemin që rregullojnë këto çështje por vazhdojnë të bazohen në praktika gjyqësore  e cila si burim formal i të drejtës mund të zbatohen vetëm kur një çështje konkrete nuk është e rregulluar me ligj, gjë që është e papranueshme sepse në Kosovë në fuqi është sistemi juridik evropian apo kontinental dhe jo sistemi anglo-sakson.

Përmes kësaj letre shprehu shqetësimin tim si avokat dhe kolegëve tonë nga rajoni me këtë dukuri që me vite po ballafaqohemi dhe për çka shpesh kemi ngritur zërin, duke kërkuar zbatimin e drejtës elementare për pronë, që me vite iu ka mohuar  nga sistemet e kaluara juridike e politike të kaluara dhe këtë fatkeqësisht po vazhdojnë ta bëjnë disa individë që assesi të shkëputen nga  sistemet e kaluara dhe mendësia e vjetër, duke iu vështirësuar punën njohësve dhe ekspertëve të kësaj fushe që punojnë me nder dhe me profesionalizëm, bazuar në ligjet pozitive, sundimin e ligjit dhe demokracinë tha Voca.

Voca shpreson se kjo letër do të ndikoj tek përgjegjësit e sistemit që problematikat e përmendura të gjejnë zbatim konform ligjeve në fuqi dhe drejtës së qytetarëve për realizimin e pronës, gjë që ndikon në rritjen e besueshmërisë dhe efikasitetit edhe të vetë sistemit juridik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat