MD synon ndryshimin e pagesave për avokatë

Aktuale

MD synon ndryshimin e pagesave për avokatë

Më: 29 janar 2024 Në ora: 21:29
Krerët e UÇK-së në Hagë

Ministria e Drejtësisë përmes një Udhëzimi Administrativ, po synon që të ndryshojë tarfiat e mbrojtjes juridike për të akuzuarit në Hagë.

Në to parashihet rritje e vlerave, por që për avokatët nuk është aq sa duhet, shkak i inflacionit.

Shpenzimet e avokatëve të angazhuar në proceset gjyqësore në Hagë, i mbulon shteti i Kosovës.

Ministria e Drejtësisë, synon që ta rregullojë mbulueshmërinë e shpenzimeve, duke specifikuar shumat për muaj, varësisht kompleksitetit të rastit dhe fazës në të cilën ndodhet rasti.

Shifrat variojnë nga 20 mijë deri në 110 mijë euro.

Më së shumti mund të përfitojnë avokatët rasti i të cilëve është i kategorizuar me kompleksitet të nivelit 4 (shumë e vështirë), ku varësisht fazës së procesit, shifrat sillen nga 80 deri në 110 mijë euro.

Tarifat për mbrojtje juridike për veprat penale që ndërlidhen me procedurat zyrtare dhe zyrtarët e Dhomave të Specializuara, Zyrës së Regjistrimit dhe Prokurorisë së Specializuar, nga faza paraprake, e deri në shkallën e tretë, shuma është 5 mijë euro.

Aktualisht, tarifat llogariten me orë pune, ku një orë vlen 100 euro.

Rritja e vlerave, sipas avokatëve të akredituar nga Specialja, është simbolike në raport me standardet evropiane dhe shkallën e inflacionit.

Ai ka numëruar edhe mangësitë e këtij Udhëzimi Administrativ.

Ky projekt ndryshim, aktualisht është në fazë të konsultimeve publike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat