Çështja e dinarit, deklarohet Osmani: Po diskutohen disa opsione, do të ketë një dakordim këto dy ditë

Aktuale

Çështja e dinarit, deklarohet Osmani: Po diskutohen disa opsione, do të ketë një dakordim këto dy ditë

Më: 31 janar 2024 Në ora: 11:16
Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani tha se po diskutohen “një sërë opsionesh” në lidhje me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës që nga nesër e ndalon përdorimin e dinarit serb në vend.

Osmani tha se “do të ketë një dakordim këto dy ditë dhe do të kemi edhe deklarata publike”.

“Unë jam për atë që zbatimi të jetë i plotë, e jo vetëm në letër. Dhe të gjithë e dinë se për të pasur zbatim të plotë na duhet edhe përkrahja e aleatëve tanë, në mënyrë që të kemi qëndrueshmëri. Pra, mund të bëhen edhe njëra, edhe tjetra. Jam i bindur që njëra nuk e përjashton tjetrën. Mund të ruhen edhe Kushtetuta, edhe aleatët tanë”, tha Osmani.

Për këtë çështje, ajo tha se nuk ka mundur të diskutojë dje me emisarin europian, Miroslav Lajçak.

“Tani, sa i përket kësaj çështje, neni 11 i Kushtetutës kërkon që Kosova në qarkullim dhe në përdorim ta ketë vetëm një valutë. Është për keqardhje që kjo nuk është zbatuar deri tash. BQK e ka kryer punën e vet… Sa i përket zbatimit në praktikë, janë duke u diskutuar një sërë opsionesh, të cilat në njërën anë do ta respektonin nenin 11 të Kushtetutës, por në anën tjetër do të lënë një kohë për informimin e qytetarëve dhe bartjen e tyre, të themi, në llogari të reja, e të tjera, në mënyrë që të mund të zbatohet pa asnjë problem dhe me përkrahjen e plotë të shteteve aleate, sepse siç e dini për secilën çështje që ka të bëjë me veriun e Kosovës, me shtrirjen e sovranitetit dhe me sigurinë e shtetit tonë, ne sa herë i kemi aleatët tanë në krah, atëherë tejkalohen këto sfida dhe realizohet mbrojtja e Kushtetutës sonë në tërësi”, tha Osmani para gazetarëve, pas homazheve te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti.

“Një shembull i tillë është çështja e targave”, tha Osmani, duke kujtuar se ndërkombëtarët “patën kërkuar të shtyhet” vendimi. “Dhe siç po e shihni sot, gati të gjithë qytetarët që jetojnë në veri kanë transferuar targat e tyre në targa të Republikës së Kosovës”, tha Osmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat