Kurti: Zahiri me shokë do të kujtohet ndër mote nga populli shqiptar

Aktuale

Kurti: Zahiri me shokë do të kujtohet ndër mote nga populli shqiptar

Më: 31 janar 2024 Në ora: 14:02
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar Zahir Pajazitin, në datën e rënies së tij bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, më 31 janar 1997.

Me anë të një postimi në Facebook, Kurti përshkroi ditët kur heronjtë e jetonin jetën në mënyrë intensive e të jashtëzakonshme, duke i shërbyer atdheut kundër armikut.

“Sivjet u bënë 27 vite nga atëherë! Mëngjesin e sotëm, bëmë homazhe te varri i Zahir Pajazitit, në Kompleksin Memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan, te vendlindja e Zahirit. Pastaj, nga Orllani u ndalëm në Podujevë, ku në sheshin qendror të qytetit vendosëm lule te shtatoret e Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut, Ilir Konushevcit dhe Edmond Hoxhës.  Ato ishin ditët e fundit të jetës së tij, që ai e jetoi në një mënyrë aq autentike, intensive dhe të jashtëzakonshme. Njëmbëdhjetë ditë më parë, më 20 janar 1997, Zahir Pajaziti ishte kthyer nga Shqipëria. Si gjithmonë, ilegalisht, e kishte kaluar kufirin në Shishman të Gjakovës, për tu ndalur te Xhemë Jakupi”, shkroi Kurti.

Kryeministri thekson se bashkë me të ishin edhe Adrian Krasniqi dhe Qerim Kelmendi.

“Kishin shkuar t’i merrnin Hakif Zejnullahu me Ilir Konushevcin dhe Shaip Hazirin. Hera e parë që e kishte kaluar kufirin për të dalë nga Kosova në Shqipëri, kishte qenë viti 1980, për çka si i mitur që ishte, Zahirin e kishin burgosur 18 ditë në Shkodër dhe 15 ditë kur ishte kthyer në shtëpi. Shtatëmbëdhjetë vite më pas, tani ai po kthehej nga Shqipëria si një nga prijësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.  Të nesërmen më 21 janar, ai i takoi shokët që t’i dëgjonte rrëfimet e tyre për dy aksione guerile që i kishin kryer gjatë kohës sa ai kishte qenë në Shqipëri. Në pesë vitet e fundit, vet ai kishte organizuar dhe kishte kryer dhjetëra aksione guerile duke shënjestruar disa nga figurat më famëkeqe të policisë së Serbisë dhe sigurimit shtetëror që e terrorizonin popullin e Kosovës në ato vite. Atentatet pothuajse perfekte të Zahirit me shokë, e kishin krijuar një mit për grupin e tij: ata bënin plane, sulmonin, kryenin aksione pa lënë shumë gjurmë dhe zhdukeshin deri në aksionin tjetër”, shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat