​Mbyllet vullnetarisht Banka Komerciale AD Beograd – Dega në Mitrovicë

Aktuale

​Mbyllet vullnetarisht Banka Komerciale AD Beograd – Dega në Mitrovicë

Më: 31 janar 2024 Në ora: 20:07
Banka Qendrore e Kosovës

Banka Qendrore e Kosovës njofton se ka përfunduar vullnetarisht veprimtaria bankare e shërbimit me klientë e Bankës Komerciale AD Beograd - Dega në Mitrovicë, veprim ky i cili rezulton nga dialogu mbikëqyrës në periudhën gusht-shtator 2023, nga i cili rezultoi Plani për Likuidim Vullnetar.

Ky Plan pas rishikimit mori pëlqimin e BQK-së më 6 tetor 2023, për t'u përmbyllur më pas me vendimin e datës 9 janar 2024, për mbylljen e degëve dhe të gjitha nën-degëve në Republikën e Kosovës, efektive nga 31 janar 2024, thuhet në njoftim.

Banka Komerciale (Komercijalna Banka) AD Beograd Dega në Mitrovicë ishte licencuar nga BQK për operim në vitin 2007 dhe ka operuar me Degën në Mitrovicë dhe tetë nën-degë në territorin e Kosovës.

Pas kalimit të afatit të paraparë për operime bankare më qytetarë, me fundin e ditës së datës 31 janar 2024, janë përmbyllur të gjitha depozitat bankare ndaj qytetarëve, ndaj BQK-ja konstaton pushimin e aktivitetit të kësaj degë bankare në Kosovë.

Procedurat tjera të arkivimit të dokumentacionit dhe aspekteve të ndërlidhura, realizohen në pajtim me legjislacionin në fuqi, thekson BQK.

BQK-ja falënderon Grupin bankar NLB për bashkëpunimin dhe konstruktivitetin e treguar në lehtësimin e procedurave për këtë përmbyllje të dakorduar dhe vullnetare të aktivitetit bankar me klientë, në respekt të ligjeve të vendit dhe praktikave më të mira, dhe brenda afateve të pajtuara.

Sipas BQK-së, aktualisht operojnë numër i mjaftueshëm i zyrave bankare, institucioneve financiare dhe jo-bankare që mbulojnë arsyeshëm nevojat e komunitetit në të gjitha qytetet e vendit.

Përveç zyrave bankare dhe jo-bankare me prezencë fizike, edhe kanalet elektronike/digjitale të shërbimit janë të qasshme dhe ofrojnë produkte konkurruese.

Ndryshe, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka konfirmuar sot se rregullorja e BQK-së, e cila vendos që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa me para të gatshme, do të hyjë në fuqi të enjten më 1 shkurt.

Ai megjithatë tha se do të sigurohet tranzicioni i lehtësuar, por nuk tregoi se sa do të zgjasë.

Bislimi tha se nga nesër nuk do të lejohet importimi i parave nëse, ai që bën importim, nuk është i licencuar nga BQK-ja, teksa këmbënguli se rregullorja nuk ka të bëjë me dinarin serb.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat