Banka Popullore e Serbisë: S’mund të flitet për një marrëveshje me BQK-në për dinarin

Aktuale

Banka Popullore e Serbisë: S’mund të flitet për një marrëveshje me BQK-në për dinarin

Më: 1 shkurt 2024 Në ora: 14:26
Foto ilustrim

Nga dita e sotme, valuta e Serbisë, dinari, nuk do të mund të përdoret në territorin e Republikës së Kosovës.

Vendimi është marrë nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ku specifikohet se valutë e vetme zyrtare dhe e pranueshme për sistemet e pagesave në Kosovë është euro.

E Banka Popullore e Serbisë (BPS) tha sot se nuk mund të flitet për marrëveshje me BQK-në.

Siç raporton agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”, BPS-ja ka thënë se një marrëveshje “është e mundur vetëm në formatin politik të bisedimeve”, ndërsa ka shtuar se “çështja duhet të zgjidhet ekskluzivisht në kuadër të dialogut në nivelin ekzistues”.

BPS-ja tha po ashtu se është e nevojshme që pa vonesë të shfuqizohen “masat diskriminuese, ilegale dhe të egra” të ndërmarra nga institucionet e Kosovës, “për të mundësuar transportin dhe shpërndarjen pa probleme të dinarëve dhe për të parandaluar mohimin e kushtet për jetën e popullatës serbe të Kosovës”.

Banka Popullore e Serbisë tha po ashtu se me këtë vendim “po kërcënohet drejtpërdrejtë ekzistenca e popullatës serbe në Kosovë”.

“…NBS, në bashkëpunim me institucionet tjera shtetërore, do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, duke marrë parasysh interesat e qytetarët e Serbisë që jetojnë në Kosovë dhe pasojat që mund të ketë zbatimi i Rregullores në mbijetesën e tyre”, tha BPS-ja. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat