Analistët thonë se Qeveria Kurti dështoi në diplomaci: Nuk siguroi njohje të reja

Aktuale

Analistët thonë se Qeveria Kurti dështoi në diplomaci: Nuk siguroi njohje të reja

Më: 3 shkurt 2024 Në ora: 11:25
Ndërtesa e Ministrisë për Punë të Jashtme dhe Diasporë

Për tri vjet mandat, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti nuk ka arritur të sigurojë njohje të reja, ndërsa edhe në vitin e fundit nuk pritet të ndodh një e tillë. Kështu vlerësojnë analistët politikë me të cilët bisedoi Eo.

Dështimin ia faturojnë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporë e cila udhëhiqet nga Donika Gërvalla-Shwarz, ndërsa e ndërlidhin edhe me dialogun Kosovë-Serbi.

Profesori universitar, Dritëro Arifi, tha se vetëm një koordinim i fuqishëm ndërmjet ShBA-së dhe BE-së mund të sjell njohje të reja, pasi Kosova nuk mund të ketë sukses në këtë drejtim.

Ai tha se mungesa e njohjeve ndërlidhet edhe me interesat e shteteve për nga aspekti politik, ekonomik e ushtarak, e që sipas tij, Kosova nuk mund t’u ofrojë asnjërën.

“Pra sa i përket interesit politik ekonomik ose ushtarak, për fat të keq Kosova nuk e ka asnjërën, ne nuk jemi anëtar të OKB-së që vota jonë do të ishte determinuese për ndonjë rezolutë ose diçka tjetër. Mendoj që vetëm një punë konsistente dhe me një koordinim të fuqishëm me ShBA dhe BE mund të arrijmë diçka, për ndryshe sa i përket aspektit tonë edhe po ti punësojmë edhe 1000 ambasadorë ndërkombëtar nuk do të arrijmë suksesin”, tha ai.

Arifi tha se as gjatë këtij viti nuk beson që mund të ketë njohje të reja kjo pasi pozicioni i Kosovës është i ngrirë në politikën e jashtme, si nga ana e qeverisë e po ashtu edhe nga dialogu i teje zgjatur.

Ai ka shtuar se nëse arrihet që të zhbllokohet dialogu dhe do të këtë një marrëveshje Kosovë-BE, atëherë vendi mund të njihet nga vendet që ende nuk e kanë njohur.

“Gjatë këtij viti nuk besoj se do ketë njohje sepse pozicioni i Kosovës është i ngrirë në politikën e jashtme edhe nga vet qeveria e Kosovës edhe nga dialogu i tej zgjatur. Kjo e vendos Kosovën në një pozitë të pa lakmueshme edhe jo interesante e atraktive. Kështu që nëse arrijmë ta zhbllokojmë dialogun, në një far forme por kuptohet që vet është e pamundur, mund të ketë gjasë që në marrëveshje Kosovë -BE të ketë lëvizje që Kosova të njihet nga dy tri vende që Kosova të avancoj tutje”, ka thënë ai.

Analisti politik, Shemsi Jashari, ka thënë se diplomacia kosovare që nga udhëheqja e  Lëvizjes Vetëvendosje ka pasur ngecje e stagnime të mëdha te të gjitha raporteve ndërkombëtare.

Kjo sipas tij, lidhet edhe me faktin që bashkësia ndërkombëtare e ka vendosur presionin e saj në raport me negociatat Kosovë-Serbi dhe shpeshherë raportet ndërkombëtare janë kushtëzuar me përparimin në tavolinën e dialogut.

“Diplomacia kosovare në gjithë mandatin prej udhëheqjes së Lëvizjes Vetëvendosje, nëse mund ta përkufizojmë si qeveri në detyrë mund te themi se ka pasur ngecje të mëdha, një stagnim të gjitha raporteve ndërkombëtare. Niveli i përfaqësimit të Kosovës ka ngecje në nivelin ndërkombëtar edhe fakti që presoni që bashkësia ndërkombëtare e ka vendosur në raport me negociatat Kosovë-Serbi, ku shpeshherë raportet ndërkombëtare janë kushtëzuar me përparimin në tavolinën e dialogut, mungesa e njohjeve te reja lirisht mund të themi se po flasim për një diplomaci me një aktivitet të vogël”, ka thënë ai.

Edhe Jashari është shprehur se gjatë këtij viti Kosova nuk mund të pres njohje të reja, duke përmendur këtu edhe arsyet.

“Nuk pres njohje të reja për shumë arsyeja, njëra raporti i krijuar Kosovë-BE-ShBA në raport me kërkesat e tyre. Arsye tjetër është që 2024 do te jetë vit zgjedhor për BE-në kështu që  sa herë që ka fushata partitë janë të zëra me agjendat e tyre dhe raportet ndërkombëtare, takimet vizitat nuk do te kenë shtytje të ecin tutje. Edhe zgjedhjet në ShBA kështu që sa më shumë që vonohemi në arritjen e një raporti me Serbinë nuk do të ketë raporte ndërkombëtare dhe nuk und te presim prej një qeverie në fund të  mandatit të bëj punë të mëdha”, ka thënë ai.

Kujtojmë që njohja e fundit e Kosovës erdhi nga Izraeli, me ndërmjetësimin e ish-presidentit të ShBA-së, Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Atë kohë, kryeministër ishte Avdullah Hoti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat