​Heqja e vizave nga Izraeli, Gërvalla takon ambasadoren Ziv

Aktuale

​Heqja e vizave nga Izraeli, Gërvalla takon ambasadoren Ziv

Më: 3 shkurt 2024 Në ora: 17:57
Foto nga takimi

Shefja e diplomacisë kosovare Donika Gërvalla priti sot në një takim ambasadoren e Izraelit në Prishtinë, Tammy Ziv, me të cilën diskutoi mbi përfundimin e procesit të heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës, situata në Izrael dhe Lindjen e Mesme, si dhe procesi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Pas pajtueshmërisë së arritur mes Kosovës dhe Izraelit për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, ministrja Gërvalla falënderoi ambasadoren Ziv për këtë hap, i cili do të ndikojë në lidhjen më të fortë të dy shteteve tona dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme.

Gërvalla dhe ambasadorja Ziv folën edhe për thellimin e marrëdhënieve bilaterale në ekonomi, arsim dhe fusha tjera me interes të përbashkët.

Ndryshe, presidentja Vjosa Osmani disa ditë më parë pati njoftuar se Izraeli ka vendosur t’i heqë vizat për shtetasit e Kosovës, ndërsa ambasadorja e Izraelit përmes një postimi në platformën X, ka thënë se ky zhvillim pozitiv ndodh në më pak se tri vjet nga njohja e Kosovës nga Izraeli.

“Më pak se tre vjet pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve tona, Qeveria e Shtetit të Izraelit ka vendosur të miratojë marrëveshjen për heqjen e vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës”, pati shkruar Ziv në rrjetin X.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat