​Policia e Kosovës vëzhgohet nga taksistët serbë në veri

Aktuale

​Policia e Kosovës vëzhgohet nga taksistët serbë në veri

Më: 3 shkurt 2024 Në ora: 22:33
Ilustrim

Policia e Kosovës në komunat veriore po vëzhgohet nga taksistët ilegalë serbë me targa të Beogradit.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar se janë duke i përcjellë këto grupe, ndërsa kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut Nexhat Ugljanin thotë se këto kompani së shpejti do të regjistrohen sipas ligjeve të Kosovës pasi ato janë të paregjistruara.

Radio-lidhje të tillë posedojnë vetëm Policia e Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë, por të njëjtat i përdorin edhe disa kompani taksie ilegale serbe në veri, të cilat po i shfrytëzojnë ato dhe grupet në aplikacionin Viber për të përcjellë lëvizjet e Policisë së Kosovës në veri dhe pikat kufitare Bërnjak e Jarinjë.

Këto grupe komunikojnë në mes vete për të treguar vendndodhjen e Policisë së Kosovës dhe kur vendosen në pikat statike.

“Nuk ka më”, “Pompa e Nishit, tuba të gjatë, po kryejnë kontroll”, “Varrezat turke, ndalojnë nga drejtimi KM”, “Ata nuk janë më në Lagjen e Boshnjakëve”, “Patrulla matanë rrugës pompat Nish – KM”, “Ata ndalojnë në palestër drejt kodrës”, janë disa nga mesazhet e shumta.

Ndryshe, sipas kryesuesit të kuvendit komunal, në Mitrovicë të Veriut veprojnë rreth 70 taksi ilegal me tabela të Serbisë dhe brenda 15 ditësh do të merret vendimi për regjistrimin e tyre në targa RKS. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat