​Kurti kërkon drejtësi për shqiptarët e vrarë nga serbët 24 vjet më parë në Mitrovicë

Aktuale

​Kurti kërkon drejtësi për shqiptarët e vrarë nga serbët 24 vjet më parë në Mitrovicë

Më: 4 shkurt 2024 Në ora: 17:35
Foto ilustrim

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka përkujtuar 24-vjetorin kur struktura e grupe kriminale të Serbisë kryen një fushatë kriminale me qëllim spastrimin etnik të Mitrovicës nga shqiptarët vendas, duke thënë se për të vrarët e të torturuarit si dhe për të dëbuarit nga veriu gjatë shkurtit të vitit 2000 duhet të ketë drejtësi.

Ndërmjet natës 3 e 4 shkurt 2000, serbët vranë 10 shqiptarë dhe i plagosën 25 të tjerë, ndërsa dhjetëra banorë u torturuan. Në ditët në vijim gjatë muajit shkurt, grupet kriminale serbe të mbështetura nga Beogradi, i dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre 1.564 familje shqiptare me gjithsej 11.364 anëtarë.

Kurti ka thënë se masakrimi dhe dëbimi i shqiptarëve të kryera në funksion të spastrimit etnik të Mitrovicës nga shqiptarët vendas, u krye vetëm tetë muaj pas përfundimit të luftës në Kosovë.

“Ndryshimi drastik i realitetit në terren, krijoi kushte shtesë për thellimin e ndarjes fizike të qytetit të Mitrovicës në dy pjesë. Ajo u realizua nën vëzhgimin e trupave ushtarake të KFOR-it, kurse u pasua nga mosveprimet e liderëve politikë shqiptarë të asokohe në Kosovë. Madje, këta të fundit, në vitin 2013 patën votuar në Kuvendin e Kosovës ligj për amnistinë e kriminelëve në veri të Kosovës”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ndryshe, shtëpitë e shqiptarëve të dëbuar me dhunë u uzurpuan nga serbë dhe ndër vite, mijëra shqiptarëve u është mohuar çdo e drejtë dhe u është pamundësuar çdo mundësi për t’u kthyer në shtëpitë dhe tokat e tyre.

Ky spastrim etnik i kryer para 24 viteve, e ndryshoi krejtësisht strukturën demografike të Mitrovicës.

Sipas një raporti të Grupit Ndërkombëtar të Krizave të asaj kohe, para shkurtit të vitit 2000, në veri të Mitrovicës, 53% të njehsorëve të energjisë elektrike ishin nëpër amvisëri të shqiptarëve.

Kurti thotë se pas 24 vitesh gjendja në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës dhe në veri të vendit në përgjithësi, ka ndryshuar dhe se organizatat serbe “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” janë shpallur terroriste, teksa vendosja e rendit dhe e ligjit ka pasur përparime të mëdha dhe është në rrugë të mbarë për t’u forcuar. “Megjithatë, për të vrarët e të torturuarit si dhe për të dëbuarit nga pjesa veriore e Mitrovicës gjatë shkurtit të vitit 2000, duhet të ketë drejtësi”, ka thënë Kurti.

Natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, në Mitrovicë u vranë: Bashkim Rrukevci, Muharrem Sokoli, Nezir Voca, Shqipe Voca, Remzije Canhasi, Nderim Ajeti, Niman Sejdiu, Sebaha Abrashi, Selime Berisha dhe Nexhmije Xhaka. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat