Hovenier deklarohet pas takimit me Kurtin – këto janë detajet

Aktuale

Hovenier deklarohet pas takimit me Kurtin – këto janë detajet

Më: 5 shkurt 2024 Në ora: 11:18 Përditësuar në ora: 12:31 më 05.02.2024
Jeff Hovenier

Hovenier pas takimit me Kurtin: Shpresojmë të ketë pezullim të zbatimit të rregullores së BQK-së

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se shpresojnë që do të ketë pezullim të implementimit të rregullores së BQK-së.

​”Të gjithë nga kori diplomatik që foli për këtë çështje shprehu shqetësime shumë të ngjashme për mënyrën e zbatimit të saj. Unë vetëm mund të përsëris atë që Shtetet e Bashkuara shpresojnë të shohin. Ajo që shpresojmë të shohim është një pezullim në zbatimin e kësaj rregulloreje derisa të punohet më shumë”, tha Hovenier.

Rregullorja e BQK-së parasheh që valuta e vetme për kryeje të pagesave në Kosovë të jetë euroja.

Kështu, serbëve të Kosovës u pamundësohet përdorimi i dinarit.

I pyetur nëse Qeveria amerikane mund të marrë veprime kundër Kosovës, nëse nuk i përgjigjet kësaj kërkese, Hovenier ka thënë se “shpresojmë që Qeveria të jetë partnere me ne”, duke shtuar që nëse ndodh e kundërta, kjo gjë “do të ketë ndikim në kualitetin e partneritetit tonë”. 

QUINTI takim me kryeministrin Kurti

Ambasadorët e vendeve të Quint-it në Kosovë të mërkurën janë parë t’i kenë shkuar në zyre kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Veturat e diplomatëve ndërkombëtarë janë parë të parkuara para ndërtesës së Qeverisë.

Ndërsa është paralajmëruar një deklarim për media pas këtij takimi nga ambasadori i i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.

Detaje tjera nuk janë dhënë ende.

Hovenier i shkon Kurtit në zyrë, pas takimit flet për mediat

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier ka shkuar në Qeveri për një takim të jashtëzakonshëm me kryeministrin Albin Kurti.

Pas takimit, Hovenier do të flasë para mediave në 11:30.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë të shtunën vonë lëshoi një deklaratë ku thuhej se Qeveria e Kosovës po i rritë pa nevojë tensionet me veprimet e fundit.

“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara rreth veprimeve të fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë dhe negativ në pjesëtarët e pakicës serbe dhe pakicave të tjera në Kosovë”, tha Hovenier në deklaratë pak para mesnatës.

Reagime të ashpra nga ndërkombëtarët erdhën pasi Kosova i mbylli disa komuna paralele të Serbisë në vend. Reagimet që nisën fillimisht në lidhje me synimin e Bankës Qendrore të Kosovës për ta hequr dinarin serb nga përdorimi, u ashpërsuan pas konfirmimit nga ministri i Punëve të Brendshme për mbylljen e katër komunave paralele serbe, në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë.

Bashkimi Europian reagoi me shqetësim të dilën për mbylljen e komunave paralele serbe dhe u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që këtë çështje ta zgjidhin në bisedime me Serbinë në dialog.

BE-ja tha se “mbyllja e papritur e këtyre zyrave do të ketë pasoja negative në jetën e përditshme dhe kushtet jetësore të komuniteteve serbe në Kosovë, sepse do ta kufizojë qasjen e tyre në shërbimet themelore sociale duke pasur parasysh mungesën e alternativave në këtë moment”.

“Statusi i këtyre strukturave është paraparë të zgjidhet përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, në lidhje me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga blloku.

Duke mbështetur reagimin e BE-së, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde reagoi gjithashtu të dielën, duke shkruar se “masat e njëanshme vetëm sa i hedhin benzinë zjarrit”, dhe se ato janë “e kundërta e uljes së tensioneve”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat