Dinari serb në Kosovë “nuk ka lidhje me interesat e serbëve, por SNS-së së Vuçiqit”, thotë Haradinaj-Stublla

Aktuale

Dinari serb në Kosovë “nuk ka lidhje me interesat e serbëve, por SNS-së së Vuçiqit”, thotë Haradinaj-Stublla

Më: 5 shkurt 2024 Në ora: 18:33
Meliza Haradinaj-Stublla

Meliza Haradinaj-Stublla, ish-Ministre e Jashtme, në lidhje me Rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës, përmes të cilit synohet shtrirja, siç është thënë, e sovranitetit monetar, shprehet se fushata serbe kundër largimti të dinarit “nuk ka të bëjë gjë me interesat e serbëve” por “drejtpërsëdrejti me interesat e partisë-shtet, SNS-së”.

Ish-kryediplomatja shprehet se gjatë qeverisjes së Partisë Përparimtare Serbe të udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq, pjesëtarë të asaj kaste politike “kanë përfituar 6 miliardë euro nga dinari në Kosovë”.

Reagimi i Haradinaj-Stubllës:

VUÇIQ /SNS PËR 10 VITE PËRFITUAN 6 MILIARD EURO NGA DINARI NË KOSOVË

Serbia me në krye presidentin e saj Vucic dhe eksponentë me ndikim në pushtet / SNS, janë aktivizuar për ta kundërshtuar ndalimin e dinarit në Kosovë.

Ata kanë arsye të fuqishme për këtë. Fjala është për miliarda euro, të cilat i kanë zhvatur me vite, në emër të investimeve në Kosovë.

Bazuar në të dhënat zyrtare, shuma e të gjithë mjeteve që Serbia ka ndarë për serbët në Kosovë, është afërisht 200 milion euro në vit. Edhe nga kjo shumë e mjeteve, një pjesë e madhe kanë përfunduar në duart e grupeve të krimit të organizuar, organizatave terroriste dhe individëve të caktuar të lidhur me pushtetin në Serbi.

Për 600 milion euro të tjera në vit, vetëm Vucic dhe SNS, e dinë se ku kanë përfunduar. Ato asnjëherë nuk kanë ardhur në Kosovë. Të njëjtat janë shfrytëzuar për financim të SNS, demonizim të opozitës, financim të fushatave propaganduese dhe përhapje të lajmeve te rreme, grupeve kriminale si dhe organizatave ekstremiste të lidhura edhe me Rusinë.

Nga një llogaritje e thjeshtë, i bie që për 10 vite, të jenë përfituar 6 miliard euro, në emër të serbëve në Kosovë.

Vucic në Shtator të vitit 2022, në kuvendin e Serbisë, pat deklaruar se në Kosovë investohen çdo vit nga 750 deri në 820 milion euro.

Fushata e iniciuar nga pushteti në Serbi kundër largimit të dinarit, pra nuk ka lidhje me interesat e serbëve në Kosovë. Ajo ndërlidhet drejtpërsëdrejti me interesat e partisë shtet / SNS.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat