Hoxha: Ambasadorët s’kritikojnë Bankën Qendrore serbe për refuzimin e marrëveshjes me BQK-në

Aktuale

Hoxha: Ambasadorët s’kritikojnë Bankën Qendrore serbe për refuzimin e marrëveshjes me BQK-në

Më: 7 shkurt 2024 Në ora: 23:18
Ylli Hoxha

Vendimi i BQK-së për mospërdorimin e dinarit në Kosovë ka qenë i nevojshëm, por mënyra e implementimit dhe e komunikimit ka shkaktuar tensione, ka thënë analisti Ylli Hoxha duke cituar edhe reagimin e ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier, i cili ka shprehur shqetësimin për nxitjen e tensioneve etnike nga ky vendim.

Hoxha ka theksuar se ambasadorët e QUINT-it ende nuk kanë bërë ndonjë kritikë ndaj Bankës Qendrore të Serbisë, e cila refuzon të pranojë një marrëveshje me BQK-në, që, sipas tij, rregullon çështjen e dinarit.

“Unë i dëgjova ambasadorët, në mënyrën e kritikës, asnjëherë nuk e dëgjova një kritikë që i drejtohet Bankës Qendrore të Serbisë, e cila po refuzon të krijojë një marrëdhënie me BQK-në, sepse kjo rregullon çështjen. Në mënyrë që të realizohen pagesat të cilat janë të legjitimuar me pakon e Ahtisarit, siç është arsimi dhe shëndetësia, pensionet ndihmat tjera sociale, të cilat janë të aplikueshme me legjislacionin e Kosovës, duhet të ketë një marrëdhënie, duhet të ketë një njohje”, ka deklaruar Hoxha.

Hoxha ka theksuar se ka pasur një nguti nga ana e qeverisë për këtë çështje, e që, sipas tij, duhet të kishte koordinim me ndërkombëtarët për të shmangur tensionet e mundshme në veri të Kosovës.

Ai ka theksuar se ambasadorët e QUINT-it kanë shfaqur njëfarë rezistence ndaj vendimit dhe kanë reaguar në mënyrë kritike, duke e vlerësuar se ka pasur një mangësi në komunikim.

“Po ka një nguti të qeverisë, e cila manifestohet hiç më larg se dje në deklaratën e Kurtit, ku flitet tash për një tranzicion, e cila nuk e zvetënon vendimin, sepse vendimi është i duhuri edhe ka qenë i domosdoshëm, por e zvetënon kapacitetin e tij në politikë të jashtme, që ambasadorët e QUINT-it çohen dhe reagojnë duke qenë përmbajtësisht gati afër, por formalisht me mënyrën sesi ka bërë tregojnë njëfar rezistence ndaj këtij vendimi, i cili ka mujt të jetë negociuar apo të ishte punuar me më seriozitet në aspektin e komunikimit me ndërkombëtarët, do të mund të mos i merrte Kosova këto goditje, një prej goditjeve që e ka marrë Kosova është se ambasadori amerikan, i cili thotë se Kosova po nxit tensione etnike, nuk e ka thënë deri tash një ambasador amerikan këtë”, ka deklaruar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat