Nënshkruhet kontrata e re për rrugën Prishtinë – Mitrovicë, ministri Aliu jep detaje

Aktuale

Nënshkruhet kontrata e re për rrugën Prishtinë – Mitrovicë, ministri Aliu jep detaje

Më: 8 shkurt 2024 Në ora: 07:37 Përditësuar në ora: 11:51 më 08.02.2024
Liburn Aliu

Rruga Prishtinë-Mitrovicë do të kryhet vitin tjetër, thotë Durmishi

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka treguar se sipas kontratës së re të nënshkruar për punën në rrugën Prishtinë-Mitrovicë, projekti duhet të përfundojë në fillim të vitit tjetër.

“Sot kemi nënshkruar kontratën dhe sipas planit dinamik, projekti do të mbyllet fika pas një viti nga sot. Bëhet fjalë për një vit kalendarik”, është shprehur Durmishi në konferencë.

“Sot një vit kontraktori e ka për obligim ta përfundojë projektin”.

“Do të kujdesemi për fazën e parë që punimet deri në Vushtrri të kryhen në pjesën e parë të vitit që në kohën kur të vijnë mërgimtarët pjesa e rrugës të jetë e përfunduar”.

Durmishi ka thënë se kontrata paraprake është shkëputur pasi që punimet nuk janë kryer sipas pajtueshmërisë.

Aliu: Unaza e Prishtinës para përfundimit

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, Liburn Aliu ka folur sot rreth ecurës së fillimit të realizimit të Unazës së Jashtme të Prishtinës. Ai tha se ky projekt është mbase para përfundimit.

Aliu tha se kanë qenë në diskutime dhe se vlerëson që ky projekt është i rëndësishëm për shkarkimin e trafikut në Prishtinë.

“Jemi në komunikim me Komunën e Prishtinës, për Unazën e Prishtinës. Pra po mendoj që projekti i unazës së Prishtinës është mbase para përfundimit. Kemi qenë në diskutim dhe ne si ministri, kjo mbase do të mund të fillojë të përfundohet me segmente.

Është çështje e përfundimit të projektit, sigurimit të fondeve të huaja, dhe marrëveshje që bëhen me komunën e Prishtinës. Besoj që projekti i tillë do të jetë i rëndësishëm për shkarkimin e trafikut”, ka thënë ai.

Aliu njofton se kanë nënshkruar kontratën për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë

Ministri I Infrastrukturës dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu ka njoftuar sot se kanë nënshkruar kontratën për zgjerimin e rrugës që lidh Prishtinën me Mitrovicën.

Aliu ka thënë se ky është ndër projektet më të stërzgjatura që nga paslufta.

“Sapo nënshkruam sot kontratën për zgjerimin dhe përfundimin e rrugës që e lidh Prishtinën me Mitrovicën, projekt ky që ka qenë temë diskutimi për një kohë të gjatë, me probleme të shumta, mbase një ndër projektet më të stërzgjatura në historinë e pasluftës së Kosovës, por që jemi duke shkuar drejt përfundimit të tij, meqë sot arritëm që ta nënshkruajmë kontratën, proces ky që ka fillu me 2 tetor, kur është publikuar njoftimi për dorëzimin e ofertave e që është paraprirë me disa faza tjera si: angazhimin kompaninë mbikëqyrëse e që në këtë rast e kemi të angazhuar kompaninë, procesi i përmbylljes, i shkëputjes së kontratës së vjetër që është paraprirë nga një proces i auditimit”, ka thënë ai.

Ministri foli edhe për financimin e këtij projekti. Ai tha se për këtë projekt janë ndarë 25 milionë euro, që janë marrë hua nga OPEC dhe në bashkëfinancim me Fondin Saudit për Zhvillim.

“Bëhet djalë për një projekt 25 milionë euro, që është huamarrje nga fondi OPEC dhe në bashkëfinancimin me Fondin Saudit për Zhvillim, projekt ky që ka procedura të tjera dhe i njëjti ka qenë me autoritetet dhe faza e deritanishme që jemi detyruar ta shkëpusim para një viti. Tash një viti është shkëputur kontrata që është parapara nga një procedurë e auditimit, na zgjatën procedurat për një vit por presim që të kemi rezultate te mira”, ka thënë ai.  

Ministri Liburn Aliu dhe zëvendësi i tij Hysen Durmishi thërrasin konferencë për medie

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësministri Hysen Durmishi, pritet të mbajnë konferencë për medie të enjten.

Sipas njoftimit të kësaj ministrie, Aliu dhe Durmishi pritet t’i drejtohen medieve me fillim në orën 11:00.

Kjo konferencë do të mabahet në ndërtesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Megjithatë, në njoftimin e MMPHI-së nuk është bërë e ditur tema e konferencës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat