‘Nuk ia kam pa fytyrën…ka gjujt 6-7 herë’: Rrëfimi i nxënëses në gjykimin për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Aktuale

‘Nuk ia kam pa fytyrën…ka gjujt 6-7 herë’: Rrëfimi i nxënëses në gjykimin për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Më: 8 shkurt 2024 Në ora: 14:08
Vrasja që kishte ndodhur në Gllogjan

Halil, Kreshnik e Kastriot Mehmetaj, të akuzuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan sot u përballën para Gjykatës së Pejës me dëshminë e dëshmitares Andina Bajramaj, nxënëses që kishte qenë prezente në autobusin e sulmuar.

Rasti kishte ndodhur në mbrëmjen e 26 nëntorit të vitit 2021, kur autobusi “Erblini” me nxënës në të, ishte sulmuar me armë “Kallashnikov” , e nga sulmi ishin vrarë 2 nxënës të moshës 17 vjeçare L.H. dhe G.M. dhe shoferi i autobusit G.Gj.

Dëshmitarja tha para gjykatës se në autobus kishte qenë ulur pas të ndjerës G.M. dhe nuk kishte arritur të kishte pamje më shumë nga flakët e “Kallashit.”

Ajo dha edhe një përshkrim të veshmbathjes së sulmuesit, për të cilin tha se kishte pasur jakne të gjatë të zezë, çizme të gjata deri në gju dhe një kapelë.

Ajo tha se kapela ia kishte mbuluar gjysmën e fytyrës sulmuesit dhe kështu nuk kishte arritur t’ia shihte fytyrën.

Detaje mbi veshmbathjen e sulmuesit, kishin dhënë edhe dy nxënës tjerë që ishin dëgjuar në këtë gjykim.

Sot Bajramaj para gjykatës përshkroi edhe detaje se si kishte parë sulmuesin të ectë “si në gjendje të dehur” dhe i kishte dalë me shpinë autobusit, kurse ishte kthyer kishte shtënë përpara tij dhe pastaj kishte shtënë edhe “kah dritarja e shoferit”.

“Pasi e kemi kaluar shkollën fillore në Gllogjan në mes të rrugës ka qenë një njeri duke ecur. Shoferi është mundu me lajmëru me u largu nga rruga, ai person është dukur i dehur dhe nuk është largu…Ai person është kthyer dhe ka gju në drejtim të autobusit. Pasi ka gju në drejtim të autobusit është ndalë dhe ka kalu te dritarja e shoferit ku ka gjuajtur dhe aty dhe pastaj ai person është largu” – rrëfeu dëshmitarja.

Dëshminë e saj u mundua ta ndalë prindi i saj, duke i thënë gjykatës se i kanë deklaratat e saj në polici dhe prokurori duke i’u drejtuar me fjalët “Ndërpreje, ndërpreje (deklaratën)”.

Prindi i saj u largua nga salla me urdhër të gjyqtares Violeta Husaj-Rugova.

Demë Hasanaj i tha gjykatës se kjo ndërhyrje ndikon në gjendjen e saj psiologjike, kurse gjyqtarja i’u drejtua të njëjtit me fjalët “A je psikolog ti a?”.

Përkundër kësaj ndërhyrjeje, dëshmitarja vazhdoi dëshminë e saj duke treguar se kanë qenë 6-7 të shtëna ditën e sulmit dhe se dëshminë e saj në polici të dhënë menjëherë një ditë pas ngjarjes kritike ka qenë në gjendje jo të mirë emocionale, kurse pas kalimit të kohës i janë kujtuar detajet e rastit më mirë.

Cili është motivi i vrasjes sipas Prokurorisë?

Kjo vrasje dyshohet se është bërë për qëllime hakmarrëse ndaj shoferit G.Gj., duke e lidhur këtë vrasje me vetëvrasjen e H.M. në vitin 2020, e cila ishte bija e të akuzuarit Halil Mehmetaj.

Sipas Prokurorisë, për këtë vetëvrasje që kishte ndodhur në familjen Mehmetaj, këta të fundit e kishin fajësuar shoferin G.Gj, i cili u vra në sulmin kundër autobusit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat