Shefi i grupit të asambleistëve të AAK-së: Për koalicion me Përparim Ramën në Prishtinë vendos partia

Aktuale

Shefi i grupit të asambleistëve të AAK-së: Për koalicion me Përparim Ramën në Prishtinë vendos partia

Më: 9 shkurt 2024 Në ora: 16:58
Bahri Gashi

PDK-ja dhe LDK-ja në nivel të qeverisjes komunale në Prishtinë të enjten zyrtarisht kanë shkëputur koalicionin.

Ky vendim u mor nga PDK-ja, pas seancës së jashtëzakonshme ku u anulua vendimi për këmbimin e pronave në Badovc.

Tashmë LDK-ja me numrin e asambleistëve që ka nuk e përbën shumicën në Kuvendin Komunal.

Kësaj partie i duhet bashkim i forcave me ndonjë subjekt tjetër politik.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë deklaruar se situata në komunën e Prishtinës nuk është e mirë dhe se ajo që ka ndodhur pas seancës të së enjtes shkon në dëm të qytetarëve të kryeqytetit.

Shefi i grupit të asamblistëve të kësaj partie, Bahri Gashi, po thotë se çështja e koalicionit është çështje e partisë.

Siç, shprehet ai ende nuk ka ndonjë informatë se a ka negociata për ndonjë koalicion të mundshëm.

“Zakonisht koalicionet janë çështje e partisë, jo e asamblistëve. Deri më tash unë si shef i grupit nuk kam ndonjë informatë se a ka negociata apo ka një ftesë prej LDK-së. Normalisht partia i merr vendimet e veta”, ka thënë Gashi.

Shefi i grupit të asambleistëve të kësaj partie, Bahri Gashi, ka thënë se pas situatës së krijuar në Komunën e Prishtinës me prishjen e koalicionit LDK-PDK ka mundësi që të bllokohen problemet e kryeqytetit.

Por, deklaron se do të japin kontribut që kjo mos të ndodhë.

“Situata është shumë e keqe pavarësisht të gjithave dhe ne si asamble dhe si asambleistë të Aleancës dëshirojmë me dhënë kontribut për mos me u blloku problemet e Prishtinës dhe tash ka mundësi me u blloku dhe me shku në drejtime jo të mira dhe pasojat i bartim ne që jetojmë këtu”, ka deklaruar ndër të tjera ai.

I pyetur se me këtë nuk e përjashton koalicionin e mundshëm, Gashi ka dhënë këtë përgjigje.

“Unë thash se nuk e përjashtoj mundësinë që do ta ndihmojmë në kalimin e proceseve ose të pikave me rëndësi për qytetarët dhe për qytetin e Prishtinës, por jo për koalicion sepse ajo është çështje ekskluzive e partisë”, është shprehur Gashi.

Shefi i grupit të asambleistëve të AAK-së, Bahri Gashi ka folur edhe marrëveshjen parazgjedhore që kanë pasur me LDK-në, duke treguar se kjo e fundit nuk e ka respektuar marrëveshjen dhe se për këtë nuk ka ndodhur koalicioni mes tyre në atë kohë.

“Ne kemi pas marrëveshje parazgjedhore dhe kur ka fitu Përparim Rama, LDK-ja bashkë me të nuk e kanë mbajt fjalën dhe nuk ka pas një vazhdim të koalicionit mes neve dhe atyre. Ata e kanë zgjedhë partnerin tjetër, është çështje e tyre. Ne si asamblistë e kemi mandatin katër vjet, ne kemi ndarë mendjen që nga fillimi se jemi opozitë dhe do të vazhdojmë si opozitë, pra nuk e kemi atë problem”, ka pohuar ai.

E, kur thotë se që nga fillimi e kanë ndarë mendjen që do të mbesin opozitë, e përsërit edhe njëherë se për koalicion ose jo vendos partia.

“Nuk mundem me ta komentua këtë sepse nuk e di si vendos partia. Deri më sot nga partia ende nuk jemi thirr në takim për këtë çështje dhe nuk mund të them asgjë”, ka shtuar Gashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat