Kurti u kërcënua me vrasje, publikohen pamje dhe detaje të reja nga plani serb për atentat - flasin edhe nga policia e RMV-së

Aktuale

Kurti u kërcënua me vrasje, publikohen pamje dhe detaje të reja nga plani serb për atentat - flasin edhe nga policia e RMV-së

Më: 10 shkurt 2024 Në ora: 13:18 Përditësuar në ora: 14:46 më 10.02.2024
Albin Kurti

Detaje të planit serb për atentat ndaj Kurtit në Shkup

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është kërcënuar me vrasje, për këtë arsye janë vendosur masa të rrepta sigure gjatë qëndrimit të tij në Shkup.

Burime të besueshme nga institucione të sigurisë në Kosovë, kanë thënë për RTK-në se me të marrë informacionin, institucionet e sigurisë së Kosovës i kanë njoftuar institucionet relevante në Shkup

“Menjëherë janë bërë grupe të përbashkëta pune, të cilat kanë qenë të dislokuara në gjithë Shkupin, dhe veçmas në perimetrin e lokacionit ku ka qëndruar Kurti”, thekson burimi.Image

Sipas burimit të RTK-së, në kuadër të planit terrorist serb, i ka paraprirë një shkrim në mediat serbe, ku akuzohet lideri opozitar serb, Dragan Gjilas se do të takohet me Kurtin.

“Sipas analizave, sulmi ka mundur të duket sikur sporadik, gjoja nga ekstremi i djathte serbo-maqedonas”, thekson burimi.

Image

“Informacioni ka ardhur si inteligjencë në disa burime, si nga burimet e fshehta njerëzore, ashtu edhe nga burime të hapura, siç janë kanalet serbe në platformën ruse telegram. Njëri kanal “KORIDOR” i takon organizatës terroriste ‘Mbrojtja Civile’, kurse tjetri “BUNT” i takon ekstremit të djathtë serb. Që të dyja, kontrollohen nga shërbimet e inteligjencës serbe”, thekson burimi.

Sipas tij, institucionet e sigurisë në vazhdimësi i kanë marrë seriozisht kërcënimet që vijnë nga rrjete të veçanta sociale, gjë që është dëshmuar edhe me sulmin terrorist në Banjskë, ku qe paralajmëruar sulmi që u bë me 24 shtator 2023.

Image

“Plani serb është zgjedhur që të realizohet në Shkup, edhe për shkak të pranisë shqiptare, ku me pas, do të mund të interpretohej si qërim hesapesh në mes të shqiptareve”, bënë të ditur burimi.

Pamjet që ka siguruar RTK, shihet që edhe sot në mëngjes ka pasur masa te sigurisë, duke kontrolluar çdo makinë në afërsi të vendit ku ka kaluar natën kryeministri Kurti.

Image

Policia e Maqedonisë: Nuk ka pasur asnjë tentim për atentat ndaj Albin Kurtit

Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut ka reaguar në lidhje me informacionet për kërcënim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit të tij në Shkup.

Në një prononcim për media, zëdhënësi i MPB-së Toni Angellovski, tha se nuk ka pasur asnjë tentim për atentat ndaj Albin Kurtit. Ai tha se siguria për Kurtin është përcaktuar sipas rregullave dhe protokolleve.

“Ju njoftojmë se gjatë vizitës së kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Shkup, nuk ka pasur asnjë tentim për atentat ndaj tij. Sa i përket sigurisë gjatë vizitës së kryeministrit Kurti, ajo është e organizuar sipas rregullave të paracaktuara dhe vlerësimeve të sigurisë”, tha Angellovski.

Ndryshe, sot RTK raportoi se Albin Kurti gjatë qëndrimit të tij në Shkup është përcjellë nën masa të rrepta të sigurisë, pasi ka pasur informacione për atentat ndaj tij.

Plani për atentat, deklarohet kryeministri Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar për media rreth kërcënimeve me jetë të cilat dyshohet se i ka pranuar së fundmi.

Ai ka thënë se këto kërcënime vijnë nga Beogradi zyrtar.

I njëjti ka shtuar se nuk është ndjerë i rrezikuar në Shkup, teksa ka shtuar se gjatë qëndrimit atje ka pasur forca të shumta policore.

“Kam mësuar se ka shumë kërcënime nga individë e struktura që kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Mirëpo unë sapo erdha nga Shkupi, nuk jam ndjerë i rrezikuar, veçse kam parë shumë forca policore të cilët u kujdesen për mbledhjen në Shkup”, u shpreh ai.

Plan për atentat ndaj kryeministrit Kurti

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është kërcënuar me vrasje, masa të rrepta në Shkup.

Burime të besueshme nga institucione të sigurisë në Kosovë, kanë thënë për RTK-në, se, menjëherë pas mbledhjes së KS të OKB-së, kanë siguruar të dhëna se nga Serbia ka përpjekje për vrasjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit në Shkup, ku ka qëndruar mbrëmë.

Kryeministri Kurti, mbrëmë ka arritur në Shkup, kurse paraprakisht janë marrë të gjitha masat e sigurisë, në koordinim me institucionet e sigurisë së Maqedonisë së Veriut.

RTK-së i është thënë se vlerësimet për kërcënimin e jetës së Kurtit kanë qenë serioze, veçmas duke marrë parasysh se ato kanë ardhur nga disa burime të informacionit.

“Ka qenë një kombinacion operativ serb, ku janë gërshetuar mashtrimet mediale me veprimet në terren nga atentatorë të mundshëm të ekstremit serbo-maqedonas, të afërt me Federatën Ruse, por nën kontrollin e institucioneve serbe”, ka thënë burimi për median.

Media ka mësuar se tashmë Kryeministri Kurti ka hyrë në Kosovë, dhe bashkëpunimi i institucioneve të sigurisë në mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut ka siguruar në mënyrë profesionale gjithë perimetrin e Kurtit.

Gjatë ditës, media do të provojë që të publikojë edhe versionin sa më të plotë të kësaj përpjekje për atentatin e mundshëm ndaj Kryeministrit Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat