Raportimi i Maqedoncit në Komisionin për Siguri, përplasen deputetë të pozitës dhe opozitës

Aktuale

Raportimi i Maqedoncit në Komisionin për Siguri, përplasen deputetë të pozitës dhe opozitës

Më: 12 shkurt 2024 Në ora: 15:11
Foto ilustrim

Mes përplasjesh të deputetëve të pozitës dhe opozitës është mbajtur mbledhja e Komisionit për Siguri në Kuvend. Në këtë komision ka raportuar ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci i cili për rreth dy orë ka raportuar para partisë në pushtet dhe atyre opozitare. Maqedonci gjatë prezantimit të vitit të kaluar theksoi se 115 milionë euro janë shpenzuar për armatim. Po ashtu, ai deklaroi se gjatë vitit 2023 janë larguar 221 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Maqedonci është pyetur edhe për ankesat e ushtarëve për kompensim, arritjet e forcës e takimin me Dejona Mihalin.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se është trend global, derisa tregoi se numri i largimeve nga FSK është 221.

Maqedonci: Gjatë vitit 2023 gjithsej janë larguar 221 pjesëtarë të FSK

“Gjatë vitit 2023 gjithsej janë larguar 221 pjesëtarë të FSK-së, duke përfshirë pjesëtarët aktiv, rezervë dhe nëpunës civil, këtu hyn edhe pensionimi i rregullt që janë 59 pjesëtarë. Pensionim jo i rregullt dy civil, pensionim pas arritjes së moshës 14 pjesëtarë, ndërprerje vullnetare të shërbimeve kanë pasur 129 pjesëtarë, ndërprerje vullnetare të shërbimeve rezervë kanë qenë katër, ndërprerje vullnetare të shërbimeve, shkarkim nga shërbimi ka qenë 1, ka humbur statusin e pjesëtarit të FSK-së dy pjesëtare dhe largim nga bordi kemi pasur shtatë”, njoftoi Maqedonci.

Tutje, kryetari i Komisionit për Siguri, Bekë Berisha e ka pyetur Maqedoncin edhe për ankesat e ushtarëve në lidhje me kompensimin, për çka ai tha se ka numër të madh të tyre.

Maqedonci: Kemi numër të konsiderueshëm të ushtarëve që kanë bërë ankesa për kompensimin

“Ne kemi pasur ankesa gjatë këtij muaji, ankesa individuale për çështjen e kompensimit, bazuar në rregulloren e cila ka qenë e shfuqizuar në vitin 2021, është futur në funksion në janar të vitit 2020. Shfuqizimi i saj është bërë për arsye të mos vlerësimit buxhetor të rregullores dhe aktualisht nuk kemi numër të saktë të padive që janë ngritur për shkak që ne pranojmë paditë pasi të pranohen në gjykatat përkatëse, mirëpo kemi një numër të konsiderueshëm të pjesëtarëve të cilët kanë bërë ankesa për këtë çështje. Një pjesë e tyre i kanë tërhequr ankesat, një pjesë vazhdojnë të mbajnë këtë proces të ankesave”, u shpreh Maqedonci.

Gjatë vitit 2023, Maqedonci u shpreh se është validuar regjimenti i parë i këmbësorisë gjatë ushtrimit Defender Europe 23.

Po ashtu theksoi se ka pasur rritje të buxhetit prej 100 për qind, ku tregoi se sa janë shpenzuar për armatim.

Maqedonci: 115 milionë euro janë shpenzuar për armatim

"Gjatë vitit 2023 kemi pasur rritje të buxhetit për 100 për qind, pra nga 102 milionë sa ishte në vitin 2022, është rritur në 204 milionë në vitin 2023. Dhe nga ky buxhet për blerje të sistemeve të armatimit janë shpenzuar mbi 115 milionë euro. Kjo tregon përkushtimin që kemi pasur si qeveri në mbështetjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, më saktësisht në blerjen e sistemeve të armatimit të nevojshme për të ngritur kapacitetet e FSK-së dhe vlen të theksohet që me mjetet shtesë që kemi marrë vitin e kaluar, kemi arritur në vlerën prej 2 për qind të GDP-së që është standard i pashkruar për vendet e NATO-s. Blerjet planifikojmë që t’i vazhdojmë edhe këtë vit”, u shpreh Maqedonci.

Më tej, ministri i Mbrojtjes foli edhe për pagat e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Maqedonci: Është bërë rritja e pagave për Ushtrinë e Kosovës

“Gjatë vitit të kaluar është bërë rritja e pagave për Ushtrinë e Kosovës duke vendosur në fokus gradat e ulëta sepse aty ka qenë edhe nevoja më e madhe për ndërhyrje. Grada e ushtarit nga 422 euro, paga është rritur në 588, që nënkupton 39 për qind. Tetari i karrierës nga 465 në 609, është një rritje prej 31 për qind dhe tetari nga 489 euro në 609 që është rritje 31 për qind”, shtoi ai.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci është pyetur nga deputeti i opozitës, Bekë Berisha edhe në lidhje me takimin me Dejona Mihalin.

Berisha-Maqedonci: Kam menduar që të ka mbetur naj grim UÇK

Unë zakonisht gjatë vikendeve bëjë ecje në Gërmi edhe kam pasur takim të rastësishëm me Dejonen, kemi pirë kafe së bashku që s’besoj që është një gjë e veçantë. Dhe nuk ka qenë drejtori i AKI-së prezent e kam thënë edhe publikisht, ka qenë një dajë i imi edhe një shok i imi.

Berisha: Nuk është rastësisht që jeni takuar me këtë Dejonen, kjo po lajmërohet në gjithçka, te ministrat, te njerëzit që marrin funksione të rëndësishme për shtetin e Kosovës. Nuk është njeri legjitim, nuk ka dalë me marrë vota, nuk është qytetare e Republikës së Kosovës. E ka emrin Dejona Mihali edhe ti je ministër i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës. Në situatën më të ndjeshme ndonjëherë, ka shumë rëndësi për të mos u takuar me të.

Maqedonci: Nuk konsideroj që është e ndaluar të takohet njeriu, pavarësisht pozitës me njerëz të cilët jetojnë në këtë vend dhe funksionojnë në këtë vend.

Berisha: Unë kam menduar që të ka mbetur ty naj grim UÇK, edhe në këtë aspekt të thash”, i tha Berisha-Maqedoncit.

Më pas, deputetët e opozitës janë përplasur me ata të partisë në pushtet, ku këtyre të fundit u thanë se po tentojnë komunizmin. Më pas, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë lëshuar sallën ku po mbahej mbledhja, teksa thanë se po politizohet edhe me Ushtrinë e Kosovës.

Derisa deputeti i pushtetit, Salih Zyba, i cili nuk është anëtar i komisionit, qëndroi në sallë dhe e quajti “djalë i komunistit”, deputetin e PDK-së, Hisen Berisha.

Zyba-Berishës: Djalë i komunistit

“Me u thirr edhe me akuzua si komunizëm, një person që komunizmin e ka dëshirë me përdor në secilën, të dytën fjalë, një ish-komunist, një djalë i komunistit, unë se di se çfarë po dëshiron ky më shumë. Nuk mund të na bëjë komunista me zor neve që nuk kemi qenë.

Berisha: Unë jam komunist sipas teje, ku e din ti kush jam unë. Kush të ka thënë që që të qëndrosh në komision mas pari. Ti nuk ki certifikatë në këtë komision. Edhe nuk duhet me i leju njerëz që nuk janë në komision.

Zyba: E përsëris citatin, një komunist i verbuar nuk mund të kthehet në një anti-komunist i tërbuar. Ky sot vetëm i tërbuar tregohet këtu.

Berisha: A bën me qit jashtë prej komisionit, e qes jashtë”, u përplasën Zyba me Berishen.

Këtë debat e ka ndërprerë kryetari i Komisionit për Siguri, Bekë Berisha i cili ia ndali fjalën Zybës, duke i thënë që të mos jetë më prezent në komisione ku nuk është anëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat