Deputetja e AAK-së feston ditëlindjen, Konjufca ia bën urimin e veçantë në Kuvend

Aktuale

Deputetja e AAK-së feston ditëlindjen, Konjufca ia bën urimin e veçantë në Kuvend

Nga: Bota sot Më: 14 shkurt 2024 Në ora: 07:18 Përditësuar në ora: 14:34 më 14.02.2024
Kuvendi i Kosovës

Remzije Zeqiraj zgjedhet Komisionere Parlamentare për FSK-në

Remzije Zeqiraj është zgjedhur Komisionere Parlamentare për Forcën e Sigurisë së Kosovës me mandat pesëvjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje.

Kjo u bë pas procedurës se fshehte te votimit nga ana e deputetëve të Kuvendit të Kosovës gjatë seancës së sotme plenare.

​Kuvendi propozon Jeton Bytyqin si gjyqtar në Kushtetuese

Kuvendi i Kosovës e ka propozuar për kandidat për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, Jeton Bytyqin. Ky i fundit ka marrë 69 vota nga deputetët, i cili më pas duhet të emërohet nga presidentja, Vjosa Osmani.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi tha se për këtë pozitë kanë aplikuar katër kandidatë. Ai tha se dy kandidatët e propozuar nga komisioni i posaçëm janë Jeton Bytyqi e Selman Ymeri.

Rrustemi: Për një pozitë për gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese kanë aplikuar katër kandidatë

“Nga data e publikimit të konkursit 6 deri më 25 tetor, për një pozitë për gjyqtarin në Gjykatën Kushtetuese kanë aplikuar katër kandidatë, si në vijim: Selman Ymeri, Ramadan Gashi, Jeton Bytyqi dhe Çlirim Hajdini. Në bazë të kushteve dhe kritereve të përcaktuara me kushtetutë dhe ligj të katër kandidatët i plotësuan kushtet për tu përzgjedhur gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese. Komisioni në lidhje me vlerësimin e kandiatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese vendosi që të bëhet vlerësimi përmes intervistimit me gojë”, tha Rrustemi.

Pas votimit të fshehtë të deputetëve, deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi tha se Jeton Bytyqi ka marrë 69 vota.

Bytyqi: Jeton Bytyqi ka fituar 69 vota

“Në votim kanë marrë pjesë 96 deputetë, të pavlefshme janë tetë fletëvotime, ndërsa votat e fituara për kandidatët e propozuar janë: Jeton Bytyqi ka fituar 69 vota, ndërsa Selman Ymeri ka fituar 19 vota”, ka njoftuar ajo.

​Kuvendi zgjedh anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë

Kuvendi ka zgjedhur Mirlinda Batallin, Avni Berishën dhe Jetmir Haxhibeqirin si anëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim. 63 deputetë kanë votuar për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se mandati i të treve është katër-vjeçar.

Konjufca: Kuvendi i zgjodhi anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë

“Konstatoj që kuvendi me 63 vota për, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim i zgjodhi anëtarët e Këshillit të Cilësisë....Kuvendi me këto vota e zgjedh Mirlinda Batallin, Avni Berishën dhe Jetmir Haxhibeqirin si anëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Mandati i tyre është katër-vjeçar”, ka njoftuar kryeparlamentari Konjufca.

Kuvendi po shqyrton propozimin për përzgjedhjen e një (1) kandidati për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

​Konjufca e uron Kadriajn e AAK-së: E ke ditëlindjen në një datë historike dhe romantike

Kryetari i Kuvendit të Kosovës i ka uruar ditëlindjen deputetes së AAK-së, Time Kadriaj.

Ai tha se e njëjta e ka ditëlindjen në një “datë historike dhe romantike”.

Romantike duke nënkuptuar ditën e Shën Valentinit, kurse historike duke nënkuptuar tre vjetorin e fitores së Vetëvendosjes në zgjedhjet e fundit të vitit 2021.

Konjufca: E ke ditëlindjen në një datë historike dhe romantike

“Dua ta bëj një urim të veçantë, Time Kadriaj e ka ditëlindjen. Urime Time, jetë të gjatë prej gjithë deputetëve dhe kryetarit. E ke ditëlindjen në një datë shumë historike dhe romantike në të njëjtën kohë”, tha Konjufca.

Në seancë plenare janë të pranishëm 85 deputetë, ku në rend dite është votimi për emërimin e tre anëtarëve vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim. 

Vazhdon seanca plenare e Kuvendit të Kosovës

Kuvendi i Kosovës sot do të vazhdojë seancën plenare.

Në rend dite janë katër pika.

Në rend dite, është  edhe votimi për emërimin e 3 (tre) anëtarëve vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim,  propozimi për përzgjedhjen e një (1) kandidati për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, zgjedhja e Komisionerit Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Po ashtu në rend dite është zgjedhja e një (1) anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e fakulteteve juridike të Republikës se Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat