Mungon gjyqtari për shkaqe familjare, nuk mbahet seanca për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Aktuale

Mungon gjyqtari për shkaqe familjare, nuk mbahet seanca për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Më: 15 shkurt 2024 Në ora: 14:06
Pamje nga vendi i ngjarjes

Halil, Kreshnik e Kastriot Mehmetaj, të akuzuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan mbrëmjen e 26.11.2021, në autobusin që ishte sulmuar me kallashnikov edhe të enjten, 15.02.2024 janë ulur në bankën e të akuzuarve.

Nga ky sulm ishin vrarë dy nxënës të moshës 17 vjeçare, L. H. dhe G.M. dhe shoferi i autobusit G. Gj.

Gjykimi ndaj tyre kishte qenë i planifikuar të mbahej i mbyllur, por seanca nuk ka arritur të mbahej për shkak të mungesës së gjyqtarit Leon Përlaska.

“Ju njoftoj se seanca gjyqësore e planifikuar për datë 15.02.2024, nuk është mbajtur pasi ka munguar anëtari i trupit gjykues, për shkaqe familjare” – thuhet në përgjigjen e Gjykatës për KALLXO

Në këtë gjykim ishin paraparë të dëgjohen dëshmitarë që sipas gjykatës do të rrëfejnë detaje nga jeta personale e tani të ndjerës H. M., vajzës së të akuzuarit Halil Mehmetaj, e nga jeta personale e të të akuzuarve.

Sipas gjyqtares së rastit Violeta Husaj- Rugova, mbyllja e seancës është bërë duke u bazuar në dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, të cilat parashohin mbrojtjen e jetës personale ose familjare të të akuzuarit, të dëmtuarit ose pjesëmarrësve tjerë në procedurë.

Të mbyllura për publikun kishin qenë edhe seanca e datës 09.02.2024 , edhe ajo më 09.01.2024, në të cilat ishte dëgjuar rrëfimi i gruas së shoferit të ndjerë.Më 08.02.2024 është dëgjuar rrëfimi i nxënëses A. B., tani 19-vjeçare, e cila kishte qenë në autobusin e sulmuar natën kritike, dhe kishte dhënë përshkrime mbi sulmuesin, por nuk kishte arritur t’ia shihte fytyrën.

Cili është motivi i vrasjes sipas Prokurorisë?

Sipas Prokurorisë kjo vrasje dyshohet se është bërë për qëllime hakmarrëse ndaj shoferit G. Gj., duke e lidhur këtë vrasje me “vetëvrasjen e H. M., në vitin 2020”, e cila ishte bija e të akuzuarit Halil Mehmetaj.

Sipas Prokurorisë, për këtë vetëvrasje që kishte ndodhur në familjen Mehmetaj, këta të fundit e kishin fajësuar shoferin G. Gj., i cili u vra në sulmin kundër autobusit në Gllogjan mbrëmjen e 26.11.2021.I akuzuari Halil Mehmetaj, sipas Prokurorisë është betuar për hakmarrje tek varri i vajzës së tij kur e ka varrosur, duke vënë orën e dorës së tij në arkivolin e vajzës.

Sipas dosjes, Kreshnik e Kastriot Mehmetaj kishin planifikuar vrasjen dhe kishin ndarë detyrat, për mënyrën dhe kohën e kryerjes së vrasjes, kurse babai tyre i kishte shtyrë në këto veprime.

Asnjëri nga të akuzuarit nuk e ka pranuar fajësinë për këtë.

Beqë Hamzaj dhe Florim Mustafaj kanë dhënë rrëfimet e tyre për ngjarjen në të cilën u vranë fëmijët e tyre 17-vjeçarë.

Lidhur me hakmarrjen në fjalë, për të cilën Prokuroria po dyshon si është motivi i vrasjes, Beqë Hamzaj kishte thënë se vrasja e fëmijëve ishte bërë për ta mbuluar hakmarrjen.Mbrojtja e të akuzuarve këtë motiv e kishte cilësuar si hetim të gabuar e veprime të ngutshme, duke u bazuar sipas tyre në spekulime dhe thashetheme të fshatit, të cilat e kanë orientuar gabimisht Prokurorinë në ndriçimin e rastit.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria e Pejës ishte bërë publike përmes një konference nga ky institucion, në të cilën ishin shpalosur detaje mbi veprimet hetimore të ndërmarra.Ngjarja e ndodhur në Gllogjan ishte konsideruar tronditëse edhe për opinionin publik.

Arrestimi i të akuzuarve kishte ndodhur vetëm disa ditë pas ngjarjes së rëndë.Ndaj Kreshnik dhe Kastriot Mehmetajt rëndojnë akuzat për vrasje të rëndë, ndërsa Halil Mehmetaj akuzohet për shtytje në vrasje të rëndë.Aktakuza përfaqësohet nga prokurorja Sahide Gashi.

Ky rast gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga Violeta Husaj- Rugova, Shaqë Curri dhe Leon Përlaska.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat