Opozita kundër Projektligjit për KPK-në, Haxhiu i akuzon se po pengojnë reformën në drejtësi

Aktuale

Opozita kundër Projektligjit për KPK-në, Haxhiu i akuzon se po pengojnë reformën në drejtësi

Më: 15 shkurt 2024 Në ora: 17:32
Kuvendi i Kosovës

Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, ka përplasur ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu me deputetët e partive opozitarë, në seancën e sotme të Kuvendit.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se përmes këtij projektligji synojnë reformën e Këshillit Prokurial.

Haxhiu: Ky projektligj synon reformën e Këshillit Prokurorial

“Nevojën për reformimin e Këshillit Prokurorial dhe veçanërisht balancimin e përbërjes mes anëtarëve prokuror dhe atyre jo prokuror të cilin e përmenda më herët. Përbërja e propozuar prej shtatë anëtarëve në Këshillin Prokurorial është validuar nga Komisioni i Venecias pasi është vlerësuar të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare”, tha ajo.

Mirëpo, ky projektligj u kundërshtua nga deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa. Ai tha se i njëjti është antikushtetues dhe se sërish do të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese.

Beqa: Ky projektligj do të ketë fatin edhe të propozimeve të tjera të rrëzuara nga Kushtetuesja

“Me tërheq këtë ligj dhe me bërë një ligj që është në harmonizim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës me vetmin qëllim që mos të bëni populizëm dhe mos t’ia merrni kohën parlamentin. Nëse vazhdoni me këtë formë që është propozuar dhe është e pamundshme që të gjitha ato vërejte që i ka dhënë Komisioni i Venecias t’i përfshijmë në këtë fazë, në mes dy leximeve. Unë mendoj se prapë ligji i këshillit Prokurorial do të ketë fatin edhe të propozimeve të tjera paraprakisht. Nxitimi i juaj dhe moskonsultimi me akterët na ka pruar në këtë situatë”, tha ai.

Kritika adresoi edhe deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, i cili kërkoi kthimin prapa të këtij projektligji në ministri.

Selmanaj: Ky Projektligj është i dëmshëm për vendin

“Jemi duke iu treguar (Komisionit të Venecias) se ne nuk jemi duke ditur me shkrua ligje, jo me quajt këtë ministre të Drejtësisë, por ministre të padrejtësisë....Po doni me kap Këshillin prokurorial, por mos se kjo punë nuk shkon kështu. Kjo është e turpshme çka po ndodh. Me na sjell neve deputetëve këso dokumente është monstrum për vendin. Ky dokument e ka vetëm një shpëtim, hiqe ministre, qoje në ministri pasi kjo nuk është qasje. Kjo nuk përmirësohet, kot është”, theksoi Selmanaj.

Ndërkaq, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se përmes këtij projektligji po synohet politizimi i Këshillit Prokurorial.

Tahiri: Ky projektligj synon politizimin e Këshillit Prokurorial

“Të gjithë ne po e shohim se na ka humbur busulla, orientimi dhe sensi i mendimit racional për me bërë reforma dhe intervenime të cilat duhet të ndodhin në sistemin e drejtësisë. Nëse ju mendoni se rritja e numrit të një menaxhimi korporatave është përgjigja në reformën e sundimit të drejtësisë, unë ju them se kjo është vetëm një barrë më e madhe dhe një tendencë për politizim”, tha ai.

Megjithatë, ministrja Haxhiu, akuzoi opozitën se përmes Gjykatës Kushtetuese po i pengojnë reformat në drejtësi.

Haxhiu: Opozita përmes Gjykatës Kushtetuese po i pengon reformat në drejtësi

“Ju e keni shfrytëzuar Gjykatën Kushtetuese për të penguar jetësimin e reformës në drejtësi. Unë tash kur shkoj në tubime për zgjedhjet e ardhshme, kur më pyesin qytetarët, për besë unë nuk mundem me gënjyer. Unë iu them se opozita e ka bllokuar”, theksoi ajo

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat