​Pritja shtetërore, krerët e vendit vlerësojnë lart rolin e aleatëve për Pavarësi

Aktuale

​Pritja shtetërore, krerët e vendit vlerësojnë lart rolin e aleatëve për Pavarësi

Më: 17 shkurt 2024 Në ora: 19:19
Foto nga vendi i ngjarjes

Krerët e shtetit kanë organizuar pritjen shtetërore në shënimin e 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Në mesin e diplomatëve të huajë, anëtarëve të kabinetit qeveritar e përfaqësues nga institucionet vendore e nga Lugina e Preshevës, ata kanë kujtuar sakrificën e popullit shqiptar për liri e pavarësi. Presidenetja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti e kryekuvendari Glauk Konjufca kanë thënë se Kosova në rrugëtimin e saj vazhdon të jetë krahë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Presidentja Osmani tha se 16 vjet më parë, Kosova hodhi hapin historik drejt forcimit të lirisë.

Osmani: 17 shkurti do të mbahet mend përherë si një pikë kthese historike

"17 shkurti do të mbahet mend përherë si një pikë kthese historike dhe një kapitull gëzimi në historinë moderne të vendit tonë, por është po ashtu një përkujtim i çdovitshëm i barrës së lartë të përgjegjësisë që peshon mbi supet tona – një përgjegjësi për ta ndërtuar e kultivuar një shtet, të bazuar në parimet e lirisë, demokracisë dhe drejtësisë. Rrugëtimi ynë gjerë më sot ishte shumëçka, por assesi i lehtë. Rezistenca paqësore ndër vite e udhëhequr nga arkitekti i shtetit tonë, presidenti historik Ibrahim Rugova e pasuar nga rezistenca e armatosur nga komandanti Adem Jashari me familje dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës është rrjedhojë e rezistencës së trashëguar ndër breza, por edhe e vetëdijes së lartë se çmimi i lirisë është më i shtrenjti, por edhe më i çmuari", tha Osmani.

Teksa kujtoi kontributin dhe sakrificën e heronjve dhe heroinave, Osmani tha se Kosova gjithmonë u mbështet nga aleatët ndërkombëtarë.

Osmani: Suksesi i Kosovës është edhe suksesi i partnerëve e aleatëve tanë

"Ne jemi poashtu krenarë që në këtë rrugëtimin tonë për shtetin e pavarur patëm mbështetjen e vazhdueshme të aleatëve tanë ndërkombëtarë e veçanërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shteteve të Evropës. Ashtu si në ditët tona më të errëta, ata qëndruan pranë nesh dhe në rrugëtimin me sfida plot të shtetndërtimit. Suksesi i Kosovës është edhe suksesi i partnerëve e aleatëve tanë. Andaj, gjersa ecim përpara me vizion të qartë për të ardhmen euro-atlantike, aleancat mbeten kyçe, partneritetet thellësisht të rëndësishme, e bashkëpunimi është çelësi që na sjellë më afër të ardhmes më të denjë dhe më premtuese", shtoi Osmani.

Në ditëlindjen e 16-të të shtetësisë së Kosovës, në pritjen shtetërore të organizuar nga tre krerët e shtetit, kryeministri Albin Kurti tha se Kosova është me demokracinë më të shëndosh në kontinent.

Kurti: Kosova mbetet e palëkundur në rrugëtimin e saj krah aleatëve

"Sivjet e shënojmë edhe 26-vjetorin e Epopesë së UÇK-së dhe vitin e 25 të çlirimit të Kosovës. Sikur në ditët e çlirimit në qershor 1999, ashtu edhe në ditën e Pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008, sikurse edhe sot në datëlindjen e 16-të të Republikës sonë të pavarur, Kosovës i kanë qëndruar pranë miq dhe aleatë qe udhëtuan bashkë me ne dhe krahë nesh, sikur në kohë të vështira ashtu edhe në momente festive e përkujtimi si sot. Si dikur më 1999, si atëherë më 2008, si sot më 2024, Kosova ka qenë, është dhe do të mbetet e palëkundër në rrugëtimin e saj bashkë dhe krahas me miqtë dhe aleatë amerikanë që ndonëse nga përtej Atlantikut janë afër, dhe evropianë të kontinentit tonë të përbashkët", deklaroi Kurti.

E kryeparlamentari Glauk Konjufca theksoi se në këtë përvjetor të shtetësisë së Kosovës, ish-krerët e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në Hagë.

Konjufca foli edhe për mbështetjen e madhe të shtete aleate që i kanë dhënë Kosovës në rrugëtimin e saj të çlirimit dhe të shtetndërtimit, duke u shprehur gjithmonë mirënjohës në përkrahjen ndaj vendit tonë.

Konjufca: UÇK është emblema më e rëndësishme në historinë tonë

"Shteti i Kosovës nuk do të bëhej realitet pa idealin e veprës së heronjve, të dëshmorëve, të martirëve dhe të gjithë atyre që Kosovën nuk mund ta paraftyronin ndryshe, përveçse si të lirë dhe sovrane, të pavarur përgjithmonë nga Serbia. Prandaj, Pavarësia e Kosovës si sinonim i lirisë sonë nuk mund të imagjinohet pa komandantin legjendar Adem Jashari dhe sakrificën heroike të familjes Jashari, të cilët nuk hoqën dorë nga Kosova për asnjë çmim, duke e bërë sakrificën më të lartë që mund të imagjinohet. Po ashtu më lejoni qe sot t'i kujtojmë edhe të gjithë ata luftëtarë të UÇK-së e anëtarë te shtabit të përgjithshëm, të cilët e bën luftën e lavdishme, më të lavdishme që një ushtri mund ta bëjë, siç është lufta jonë për çlirimin dhe lirimin e popullit tonë. UÇK është emblema më e rëndësishme në historinë tonë të Kosovës së lirë dhe pavarur. Dëshiroj që në këtë ditë historike t'i kujtojmë dhe nderojmë edhe drëjtuesit e luftës tonë çlirimtare, që padrejtësisht nuk po mund të festojnë sot këtu me ne për shkak se ndodhen në një proces akuzash të pabazuara", përfundoi Konjufca. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat