Pacolli: Ka shtete që nuk kanë asnjë pengesë për njohje, por ja si duhet të veprojë Kosova

Aktuale

Pacolli: Ka shtete që nuk kanë asnjë pengesë për njohje, por ja si duhet të veprojë Kosova

Më: 18 shkurt 2024 Në ora: 08:22
Behgjet Pacolli

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli thotë se sot Kosova ka për herë të parë një qeveri e cila nuk ka asnjë njohje për shtetësinë e saj.

Dhe se sipas tij, kjo nuk është gjë e mirë.

“Si fenomen nuk është i mirë dhe do të duhej të bëhej më shumë nga ana e Qeverisë që procesi i njohjes të mos ndalet as pauzon, sigurisht në fund është veprim i shteteve që të marrin vendimin, por nga ana e Kosovës nuk duhet të ketë pauzë e këtë po e kemi aktualisht. Së dyti, për shkak të tensioneve të shpeshta ndërmjet qeverisë sonë dhe partnerëve ndërkombëtar, shihet që ka një tërheqje nga ana e tyre në përkrahjen e synimeve të politikës së jashtme të Kosovës”, është shprehur ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Kjo sipas, tij është e dëmshme dhe krijon një percepcion në botë që Kosova është e vetmuar.

Ai ka treguar se mban kontakte me shumë shtete të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, por se siç thotë Pacolli Kosova duhet t’iu troket në derë.

“Unë mbaj kontakt me shumë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën por kanë bërë veprime duke pranuar pasaportat e saj, kanë iniciuar procedurat e njohjes dhe pres lajme pozitive. Thelbësore është që ka shtete që janë të gatshme të njohin Kosovën dhe nuk kanë asnjë pengesë ta bëjnë këtë, por Kosova duhet t’iu troket në derë”, ka shtuar Pacolli.

Ish-ministri Pacolli, nuk dëshiron ta komentoj punën e Ministrisë së Jashtme të cilën e udhëheq Donika Gërvalla.

Thotë se duhet t’ia lemë kohës që të dëshmohen rezultatet.

“Mbaj qëndrimin që si ish-ministër të mos komentoj Ministrinë e Punëve të Jashtme sepse duhet lenë kohën që ta dëshmojnë veten me rezultatet konkrete. Politika e Jashtme e Kosovës nuk duhet asnjëherë të heq dorë nga projekti më i suksesshëm diplomatik që ka pasur e që është njohja ndërkombëtare e saj. Derisa të bëhemi anëtar i OKB-së, ky është prioritet i palëkundshëm, dhe kështu duhet të shihet edhe nga qeveria aktuale. Sigurisht është proces i lodhshëm, shpesh kërkon durim dhe kohë por ambiciet nuk duhet hequr për shkak të mungesës së kondicionit”, ka deklaruar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat