Loxha-Stublla: Njohja ndërkombëtare e vendit ka çaluar në këtë periudhë

Aktuale

Loxha-Stublla: Njohja ndërkombëtare e vendit ka çaluar në këtë periudhë

Më: 18 shkurt 2024 Në ora: 08:24
Arbresha Loxha –Stublla.

Nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike(GLPS), kanë thënë se përgjatë viteve të fundit politika e jashtme e Kosovës është karakterizuar pa ndonjë sukses substancial.

Kjo për faktin pasi e njëjta ka qenë më shumë e karakterizuar nga zhvillimet në kuadër të dialogut Kosovë-serbi.

Në GPLS thonë se iniciativa kryesore në kuadër të politikës së jashtme dhe MPJ-se si institucion, ka qenë aplikimi për anëtarësim në Këshill të Evropës – KE dhe rrjedhimisht kalimi i fazës së parë së aplikimit pasi është votuar me 2/3 në Këshillin e Ministrave të KE-së.

“Një aspekt tjetër që politika e jashtme bazohet e qe është njohja ndërkombëtare e vendit ka çaluar në këtë periudhë, duke mos shënuar asnjë njohje të re. Si GLPS e vlerësojmë përparimin pozitiv në marrëdhëniet me Greqinë, një shtet mosnjohës, megjithatë njohja de-jure duhet të kërkohet domosdoshmërisht”, ka deklaruar drejtoresha ekzekutive e GLPS-së, Arbresha Loxha –Stublla.

Loxha-Stublla, ka përmendur edhe mungesën e anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare duke thënë se Ministria e Jashtme në këtë drejtim është pasive.

“Deficit substancial mbetet po ashtu mungesa e anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare, dhe MPJD e shohim relativisht pasive në këtë drejtim, meqë është fokusuar vetëm në dy organizata të rëndësishme si BE dhe KE. Por janë lënë anash ato forume, organizata, agjenci e mekanizma multilateral ku Kosova ka mundësi reale për anëtarësim”, ka thënë ajo.

Sipas drejtoreshës Loxha-Stublla fokusi momental i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës duhet të jetë në krijim dhe forcim të marrëdhënieve diplomatikë me shtet të cilat veçse e kanë njohur Kosovën.

“Nga 110 njohje, Kosova ka të krijuara vetëm 50 ambasada dhe konsullata në Botë. Kjo i bie që janë disa shtete që kanë njohur Kosovën mirëpo ende nuk kemi krijuar marrëdhënie diplomatike me to apo mbulohen nga ambasada apo konsullata të vendeve të tjera. Pra GLPS mendon që fokusi i MPJD-së duhet të vazhdoj të mbetet krijimi dhe forcimi i marrëdhënieve diplomatike me këto shtete si dhe të ketë marrëveshje politike me shtetet jo njohëse të Bashkimit Evropian të cilat kanë shumë rëndësi në rrugën e Kosovës për anëtarësim në organizatat Evropiane”, ka shtuar Loxha-Stublla.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përsërit vazhdimisht se njohja e Kosovës nga Serbia nuk do të ketë alternativë.

Dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve për më shumë se një dekadë, por marrëveshjet e arritura mes tyre kanë gjetur pak zbatim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat