Haxhiu: Kosova ka progres në sistemin e drejtësisë, jemi të përkushtuar për gjyqësor të pavarur

Aktuale

Haxhiu: Kosova ka progres në sistemin e drejtësisë, jemi të përkushtuar për gjyqësor të pavarur

Më: 19 shkurt 2024 Në ora: 14:01
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në konferencën “E ardhmja e Zgjerimit të Bashkimit Evropian: Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”.

Para ministrave të Ballkanit Perëndimor si dhe atyre nga Ukraina, Turqia, Gjeorgjia dhe Moldova, përfaqësuesve nga BE, Haxhiu thotë se rikonfirmoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Drejtësisë për një gjyqësor të pavarur, të paanshëm, efikas dhe profesional.

“Theksova se në rrugën reformuese, Republika e Kosovës tashmë ka filluar të shënojë rezultate në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, reformën penale dhe civile, si dhe rezultate konkrete në adresimin e të drejtave të njeriut. Në veçanti, adresova faktin se përpjekjet tona synojnë garantimin e pavarësisë, llogaridhënies, integritetit, cilësisë dhe efikasitetit të sektorit të drejtësisë në vendin tonë”, ka thënë Haxhiu.

Tutje, thotë se “Përmenda të gjitha reformat që kemi ndërmarrë që nga fillimi i mandatit dhe progresin e arritur me theks ato që ndërlidhen me vetingun në sistemin e drejtësisë, pakon ligjore kundër krimit të organizuar dhe korrupsionin, adresimin e krimeve të luftës dhe veprimet që kemi ndërmarrë me qëllim të adresimit të dhunës në familje dhe me bazë gjinore”.

“I njoftova të pranishmit se Ministria e Drejtësisë ka pasur gjithsej 35 masa dhe detyrime që dalin nga PKZMSA dhe se nga këto detyrime, 28 masa janë zbatuar plotësisht dhe se për 7 detyrimet e tjera, po punohet intensivisht drejt finalizimit dhe realizimit të tyre. Kjo Konferencë regjionale po mbahet në Zagreb-Kroaci, organizuar nga Ministria e Drejtësisë e Kroacisë në bashkëpunim Komisionin Evropian”, njoftoi ministrja Haxhiu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat