Vizita e O’Brien në Mal të Zi, Camaj: Amerika është tejet e interesuar për shqiptarët

Aktuale

Vizita e O’Brien në Mal të Zi, Camaj: Amerika është tejet e interesuar për shqiptarët

Më: 20 shkurt 2024 Në ora: 00:18
Nikollë Camaj

Ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien u prit të hënën në Podgoricë nga kryeministri malazez, Millojko Spajiq.

O’Brien, tha se Mali i Zi është një “partner i fuqishëm i NATO-s” dhe shprehu bindjen se Qeveria malazeze mund të nisë një integrim më të thellë evropian dhe transatlantik.

E për këtë çështje foli edhe deputeti i Kuvendit të Malit të Zi Nikollë Camaj.

Camaj e vlerësoi lartë vizitën e ndihmës sekretarit amerikan pasi sipas tij, vjen si formë përkrahjeje dhe suporti për Malin e Zi

“Për Malin e Zi dhe për këtë qeveri është tejet e rëndësishme pasi që vjen si një formë përkrahjeje dhe suporti për ta. Mirëpo për shqiptarët në Mal të Zi ka një rëndësi të veçantë, meqenëse vjen pak ditë pasi që kishim një vizitë të rëndësishme edhe në Tiranë, çka dëshmon se Amerika është tejet e interesuar për regjionin, tejet e interesuar për shqiptarët. Fakti se shqiptarët janë pjesë e kësaj qeverie, i jep pra qeverisë një imazh më pro perëndimorë por duhet të jem i saktë dhe i ndërgjegjshëm dhe të them se të gjitha deklaratat e sotme që kanë dalë nga ministri i Jashtëm dhe bashkëbisedues të tjerë flasin për rrugën euroatlantike të Malit të Zi si rrugë pa alternativë”, tha Camaj.

Më tej, Camaj tha se me këtë vizitë Shtetet e Bashkuara të Amerikës po tentojnë që të tregojnë prezencën dhe interesimin e tyre për siç tha ai, “mos lëshim të Malit të Zi nga orbita e interesit”.

“E vlerësoj këtë vizitë edhe si përkrahje të kësaj qeverie, por në të njëjtën kohë e vlerësoj edhe si tentativë dhe dëshirë e ShBA-së ta tregojë prezencën dhe interesimin dhe se s’do ta lëshojnë Malin e Zi nga orbita e interesit. Kjo vozitë vetëm e forcon dhe i jep vullnet që të vazhdojnë të qëndrojnë në këtë drejtim  pjesa më e madhe e banorëve të Malit të Zi e ka përkrahur pra unanimisht kursin pro perendimorë të Malit të Zi dhe qeveria aktuale është tejet pro perendimore me qëndrime dhe veprime në këto 100 ditët e para në ekonomi dhe luftën në krimin e organizuar”, shtoi ai.

Ndryshe, O’Brien u prit të hënën në Podgoricë nga kryeministri malazez, Millojko Spajiq.

Paraprakisht, ai u takua edhe me prokurorin e lartë dhe special të Malit të Zi.

“Jam i bindur për përkushtimin e Malit të Zi në rrugën evropiane. Fakti që prokurorët po veprojnë me kapacitet të plotë, është një arritje e madhe e qeverive të fundit. Institucionet e ndërtuara do të punojnë për të mirën e qytetarëve”, tha O’Brien.

Më 27 janar, Kuvendi i Malit të Zi zgjodhi Millorad Markoviqin prokuror të lartë të shtetit – pesë vjet pasi kjo pozitë u mbajt nga ushtrues detyre.

Komisioni Evropian e vlerësoi emërimin e tij si jetik për sundimin e ligjit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat