Shënohet 35-vjetori i grevës së madhe të minatorëve të Trepçës

Aktuale

Shënohet 35-vjetori i grevës së madhe të minatorëve të Trepçës

Më: 20 shkurt 2024 Në ora: 18:47
Foto ilustrim

“Dikur minatorët kanë hedhur themelet e Republikës, tani Republika dhe minatorët bashkë po e ribëjnë “Trepçën”, citohet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në komunikatë për shënim të 35-vjetorit të grevës së madhe të minatorëve të Trepçës, ditë kjo që shënon historinë e lavdishme të Republikës sonë.

Duke e ndërlidhur këtë ditë me shënimin e festave të mëdha, që vijnë pas Ditës së Pavarësisë, 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare, në motin e 25-të të çlirimit, kryeministri tha se duke kujtuar grevën e madhe të minatorëve, ne nderojmë rrënjët e Republikës sonë.

Në njoftim thuhet se ai ka sjellë në kujtesë para të pranishmëve të shumtë, kohën kur Serbia kishte nisur të trazonte këtë copë të Evropës, duke kujtuar këtu se ishin minatorët ata që të parët iu kundërvunë.

“Ata porositën qartë e fuqishëm: se populli ynë nuk do të thyhej, nuk do të epej e nuk do të hiqte dorë nga e drejta për të vendosur fatin e vet. Më 17 nëntor 1988, minatorët e Trepçës u nisën në marshin e tyre nga minierat për në Prishtinë, për të kundërshtuar funksionarët që po i dorëzoheshin Serbisë”, citohet Kurti komunikatë.

“Më 20 shkurt 1989, ata u ngujuan në horizontet e minierës për të kundërshtuar heqjen e autonomisë. Nga mesdita, kur fillimisht minatorët e ndërrimit të katërt nuk dolën fare jashtë, duke hyrë në grevë urie, fjala “Trepçë” mori një kuptim të fuqishëm edhe politik, përmes së cilës denoncoheshin politikat diskriminuese dhe shtypëse të Millosheviqit. Dhe kjo vazhdoi deri në ditën e fundit të grevës më 28 shkurt, kohë kjo gjatë të cilës 1300 minatorë të “Trepçës” të ngujuar në grevë urie nga zgafellat e horizontit të tetë dhe të nëntë të minierës, i parashtruan 10 kërkesa, ndër të cilat, “që fati i shqiptarëve në Kosovë e Jugosllavi të shqyrtohet në Kombet e Bashkuara”, tha Kryeministri.

Ai tha se minatorët tanë nuk u përçanë e as nuk u dorëzuan para së keqes, dhe me vendosmërinë e tyre i morën vëmendjen botës së qytetëruar e demokratike.

Duke kujtuar heroizmin dhe sakrificën e xehetarëve, që Kosovës i shërbyen me djersën dhe gjakun e tyre, kryeministri Kurti theksoi se mbi 130 minatorë ranë dëshmorë në ballë të luftës çlirimtare dhe martirë të panënshtruar ndaj gjenocidit të Serbisë mbi popullin tonë. “U përkulemi në nderim, për jetë e mot! 35 vjet pas grevës, vendi ynë i lirë tash punon me zell për të ruajtur pronën e popullit dhe për të nxitur zhvillimin e mirëqenien”, u shpreh ai.

Në fund të fjalës, kryeministri Kurti tha se kanë mbështetur “Trepçën” me mjete për investime kapitale dhe me kapital pune, duke dhënë rreth 25 milionë euro subvencione vetëm gjatë tri viteve të fundit, duke shtuar se po përkrahim sërish “Trepçën” me kredinë 20 milionëshe për të investuar në teknologji të re, që rrit efiçiencën e prodhimit, ngrit performancën operative e financiare, përmirëson kushtet e punës dhe hap vende të reja pune.

Pas ceremonisë së organizuar në shënimin e përvjetorit të sivjetmë të grevës së madhe të minatorëve, kryeministri Kurti vizitoi ekspozitën personale të Mentor Berishës, me titull "Solidariteti si Rezistencë", të kuruar nga Alban Beqiraj, që u mbajt në hyrje të minierës, dhe gjithashtu Muzeun e Kristaleve të Kosovës "Trepça".

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat