Seanca ndaj Thaçit dhe të tjerëve/ Dëshmitari Kurtaj paralajmëron prokurorin se nëse vazhdon t’ia përmend fjalën “rrenë”

Aktuale

Seanca ndaj Thaçit dhe të tjerëve/ Dëshmitari Kurtaj paralajmëron prokurorin se nëse vazhdon t’ia përmend fjalën “rrenë”

Nga: Bota sot Më: 21 shkurt 2024 Në ora: 08:55 Përditësuar në ora: 14:10 më 21.02.2024
Pamje nga gjykimi në Hagë

Dëshmitari Kurtaj paralajmëron prokurorin se nëse vazhdon t’ia përmend fjalën “rrenë” do ta ndërpresë dëshminë

Dëshmitari i 45-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me kodin W04576, Hajrush Kurtaj, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, e ka paralajmëruar prokurorin James Pace që nëse vazhdon të përdorë fjalën “rrenë”, ai pa marrë parasysh pasojat do të ndërpresë dëshminë e tij.

Paralajmërimi i Kurtajt erdhi pasi prokurori Pace i tha atij se nën betimin e gjykatësve, informatat që ia ka dhënë ZPS-së në një intervistë në muajin shkurt të vitit 2020, nuk kanë qenë të vërteta, por gënjeshtër, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Prokuror, disa herë e përmende fjalën rrenë, rrenë nuk dëshiroj ta dëgjoj. Se ma herët thatë se për profesorin se ka rrejt. Nëse vazhdoni me këtë komunikim unë e ndërpres, pa marrë parasysh pasojat. Nuk mërzitna për pasoja absolut. Fjalën rrenë heke prej fjalorit”, tha Kurtaj.

Sipas dëshmitarit, prokurori edhe gjatë hetuesisë e ka përdorur fjalën “rrenë”.

“Edhe gjatë hetuesisë ke thënë, ka rrejtë profesori, keni rrejt ju. Fjalën rrenë e hekni, ose nga ky moment e ndërpres pa marrë parasysh pasojat. E di që jeni fuqi dhe mund të merrni masa, por për atë punë nuk mërzitna. Vetëm nuk toleroj që të përdoret fjala rrenë as për mua as për profesorin, as për një qytetarë të Republikës së Kosovës”, shtoi dëshmitari Kurtaj.

Ky debat filloi pasi prokurori Pace ia kujtoi dëshmitarit Kurtaj një intervistë të dhënë për ZPS-në në muajin shkurt të vitit 2020, ku ishte pyetur për një pjesë të librit të tij ku flet për një Plan Operativ të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, dhe ku në këtë intervistë të vitit 2020 kishte folur për informata që kishte lidhur me këtë plan. Ndërsa në dëshminë që është duke e dhënë sot, është duke e mohuar që di diçka për planin në fjalë.

Kurtaj: Shukri Buja nuk më tha se ka urdhër të Shtabit të UÇK-së për emërimin e Agim Bajramit si komandant të Njësisë së Kaçanikut

Në seancën e së mërkurës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, dëshmitari Hajrush Kurtaj deklaroi se nuk ka parë urdhër të Shtabit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për emërimin e Agim Bajramit si komandant të Njësisë së Kaçanikut.

Nuk e kam parë asnjë urdhër të Shtabit të UÇK-së për këtë emërim. Edhe Shukri Buja nuk më ka thënë, por më ka thënë se e kam caktuar Agim Bajramin komandat të Njësitit. Këto janë që unë i kam rregulluar ashtu siç kam pas dëshirë me qenë”, tha dëshmitari.

Këtë deklaratë, dëshmitari e tha pasi prokurori James Pace e lexoi një citat nga libri i tij.

“Me urdhër të Shtabit të UÇK-së, Shukri Buja u kthye në Kaçanik dhe njoftoi për të emëruar Agim Bajramin komandat të Njësisë së Kaçanikut”, ishte citati i lexuar nga prokurori Pace.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, trupi gjykues në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka pranuar si prova materiale disa faqe të librit të dëshmitarit Hajrush Kurtaj.

Më herët, Kurtaj deklaroi se askush nuk i ka thënë ndonjëherë se libri i tij ka gabime.

Këtë deklarim, Kurtaj e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar rreth asaj se a i ka thënë dikush se libri i tij ka gabime, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në pyetjen e prokurorit James Pace se në një deklaratë të dhënë në shkurt të vitit 2020 pasi ishte pyetur se a ka përfshirë të pavërteta në libër, Kurtaj tha se nuk është i sigurt nëse kishte thënë se nuk ka përfshirë të pavërteta.

Dëshmitari është pyetur edhe për Policinë Ushtarake që ka vepruar brenda Brigadës 162.

Ai tha se përgjegjës i Policisë Ushtarake ka qenë Xhabir Elezi, i cili, sipas tij, nuk ka marrë urdhër nga ai (dëshmitari), por nga Komandanti i Brigadës.

Mbrojtja e Thaçit dhe të tjerëve kundërshtoi që faqet e librit të Kurtajt të pranohen si dëshmi.

Por, pranimi i tyre si prova materiale u bë me kërkesë të ZPS-së, pasi të njëjtat u cituan gjatë seancës së sotme në dëshminë e dëshmitarit.

Ndryshe, këtë dëshmitar edhe sot po vazhdon ta marrë në pyetje prokurori James Pace.

Dëshmitari Kurtaj: Askush nuk më ka thënë se libri ka gabime

Në seancën e së mërkurës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, dëshmitari Hajrush Kurtaj deklaroi se asush nuk i ka thënë ndonjëherë se libri i tij ka gabime.

Këtë deklarim, Kurtaj e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar rreth asaj se a i ka thënë dikush se libri i tij ka gabime.

Kurtaj po vazhdon të ballafaqohet me pyetjet e Prokurorisë rreth citateve nga libri i tij, si dhe me deklaratat e mëhershme të dhëna nga dëshmitari lidhur me librin.

Në pyetjen e prokurorit James Pace se në një deklaratë të dhënë në shkurt të vitit 2020 pasi ishte pyetur se a ka përfshirë të pavërteta në libër, Kurtaj tha se nuk është i sigurit nëse kishte thënë se nuk ka përfshirë të pavërteta.

Dëshmitari është pyetur edhe për Policinë Ushtarake që ka vepruar brenda Brigadës 162.

Ai tha se përgjegjës i Policisë Ushtarake ka qenë Xhabir Elezi, i cili sipas tij nuk ka marrë urdhër nga ai (dëshmitari), por nga Komandanti i Brigades.

Zhvillime në Hagë: Sot një seancë shtesë në rastin e krerëve të UÇK-së, a do t’i caktohen afate Prokurorisë?

Në Dhomat e Specializuara të Hagës po vazhdon dëgjimi i dëshmitarit të 45-të, që është ish-eprori i UÇK-së, Hajrush Kurtaj.

Megjithatë, kjo nuk do të jetë seanca e vetme në ditën e sotme.

Pas përfundimit të seancës së rregullt, pritet të mbahet një seancë ku do të diskutohen afatet, procedurat dhe detajet e tjera lidhur me dëshmitarët.

Kështu ka bërë të ditur vet Gjykata Speciale.

“Trupi Gjykues gjithashtu informoi palët për një seancë shtesë të nesërmen (21 shkurt), e cila do të mbahet pas përfundimit të seancës së rregullt. Sipas njoftimit të Trupit Gjykues sot, kjo seancë do t’i kushtohet caktimit të datave dhe planifikimit për këto procedura”, thuhet në njoftim.

Trupi gjykues në vazhdimësi i kishte bërë thirrje Prokurorisë që ta planifikojë kohën për dëshmitarë, pasi vendime të ndryshme mund të merren me kalimin e kohës.

Nuk dihet nëse në këtë seancë do t’i caktohet ndonjë afat Prokurorisë për rastin e saj, megjithatë pritet të diskutohet në tërësi për procedurat për të ardhmen.

Në anën tjetër, ditën e djeshme ka pasur një dëshmitar serb i cili edhe publikisht e pranoi se është punëtor i MUP-it serb.

“Në vitin 2013 keni thënë se keni punuar në MUP-in serb”, pyeti avokati i Jakup Krasniqit.

“Kështu, po”, ia ktheu serbi.

“Punon ende aty”, pyeti avokati.

“Po”, ia ktheu dëshmitari.

Dëshmitari, përveç për vete, gjithashtu e ka konfirmuar se ai dhe vëllai i tij ishin armatosur nga forcat serbe gjatë kohës së luftës.

“Të gjithë banorët e moshës madhore kishin marrë armë në mbrojtje të territorit të qytetit”, tha dëshmitari.

“Unë dhe vëllai ishim armatosur për të mbrojtur territorin e qytetit”, tha dëshmitari.

Sipas pretendimeve të dëshmitarit, familja e tij përfshirë nëna, babai, kunata, vëllai dhe nipi i porsalindur ishin rrëmbyer nga pjesëtarët e UÇK-së në korrik të vitit 1998 në Rahovec.

Dëshmitari tha se kur nëna e tij e kishte parë Jakup Krasniqin në televizor në gusht-shtator të vitit 1998, kishte thënë se “ky është personi i cili na ka marrë të dhënat”, kurse avokati Ellis i tha dëshmitarit se nëna e tij asnjëherë nuk e kishte cekur Jakup Krasniqin në deklaratat e saj si personin që i kishte marrë të dhënat në vendin ku po mbaheshin.

Dëshmitari tha se nëna e tij i kishte thënë se Jakup Hoti i kishte “trajtuar mirë”, kurse Jakup Krasniqi kishte qenë personi i cili u kishte marrë emrin mbiemrin në ndërtesën ku ata po mbaheshin.

Avokati i Jakup Krasniqit, Aidan Ellis tha se ka një mospërputhje mes deklaratave të tij dhe deklaratave të nënës së tij.

“Nëna më ka thënë se Jakup Krasniqi i ka marrë shënim të dhënat, dhe është prezantuar, si quheni, emrin, mbiemrin. Më ka thënë nëna, nuk po e shpikë unë. S’ka asnjë mos-përputhje” tha dëshmitari sot.

Pranohen si prova materiale disa faqe të librit të dëshmitarit Kurtaj në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, trupi gjykues në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka pranuar si prova materiale disa faqe të librit të dëshmitarit Hajrush Kurtaj.

Kurtaj, i cili është dëshmitari i 45-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me kodin W04576, e që dëshminë e ka filluar më 1 shkurt, po e vazhdon dëshminë edhe sot, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtja e Thaçit dhe të tjerëve kundërshtoi që faqet e librit të Kurtajt të pranohen si dëshmi.

Por, pranimi i tyre si prova materiale u bë me kërkesë të ZPS-së, pasi të njëjtat u cituan gjatë seancës së sotme në dëshminë e dëshmitarit.

Ndryshe, këtë dëshmitar edhe sot po vazhdon ta marrë në pyetje prokurori James Pace, i cili filloi ta pyeste për disa vende të Komunës së Kaçanikut dhe Ferizajt.

Prokrori Pace e pyeti dëshmitarin për vendet Kukaj, Biçec, Varosh, Jezerc, e të tjera si dhe për godinat që UÇK ka përdorur në vendin e quajtur Ivaj dhe Bob.

Në pyetjen e prokurorit se kush ishte përgjegjësi i njësitit të UÇK-së në Biçec, dëshmitari Kurtaj tha se përgjegjësi ishte Nazmi Osmani.

Po ashtu, dëshmitari Kurtaj gjatë dëshmisë së tij tha se Brigada 162 të cilën e ka udhëhequr nga 15 maji deri 11 qershor 1999, nuk ka pasur asnjë përgjegjësi në asnjë pjesë të territorit të Ferizajt.
Këtë deklaratë dëshmitari e dha duke iu përgjigjur pyetjes së prokurori Pace, se gjatë vitit 1998-1999, Brigada 162 a ka pasur ndonjë përgjegjësi në ndonjë pjesë të Ferizajt.

Ndërsa, në pyetjen e ZPS-së për njësitin e UÇK-së në Jezerc, dëshmitari tha se nuk ka informata për këtë njësit, sepse nuk ka qenë kompetencë e tij.

Ndërsa, kur dëshmitari është duke u pyetur për citate të librit të tij, ai edhe sot deklaroi që në librin e tij i ka rritur dhe zbukuruar gjërat.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Të martën në këtë proces ka dëshmuar dëshmitari i 45-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me kodin W04576, Hajrush Kurtaj, në gjykimin ndaj Hashim Thaci, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Ky dëshmitar dëshminë e tij e pati filluar me 1 shkurt.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dje ka përfunduar dëshminë e tij dëshmitari i i 46-të i ZPS-së në me kodin W00498, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ai është ballafaquar me dëshmitë e tij dhe të nënës së tij lidhur me pretendimin për pjesëmarrjen e Jakup Krasniqit në ish-stacionin e policisë në Malishevë dhe marrjen e nënës së tij në pyetje.

Pyetje për këtë dëshmitar nuk patën avokatët tjerë mbrojtës dhe nuk kishte kundërpyetje nga ZPS. Por, disa pyetje i parashtroi gjyqtari Christoph Barthe.

Ndërsa, administratorja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), ka marrë vendim që në vend të Gregory Kehoe, si kryembrojtës të Hashim Thaçit ta emërojë avokatin Luka Mishetiq.

Në pajtim me urdhrin e Trupit Gjykues në çështjen Thaҫi dhe të tjerët, për të cilin informuam javën e kaluar, Administratorja e DHSK-së ndërpreu shërbimet e Gregori Kihou dhe Xho Rider si mbrojtës të Thaçit  dhe emëroi Luka Mishetiqin si kryembrojtës të ri të të akuzuarit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat