Çështja e dinarit, Bislimi: Qeveria do dalë me 10 masa që qytetarët të mos dëmtohen

Aktuale

Çështja e dinarit, Bislimi: Qeveria do dalë me 10 masa që qytetarët të mos dëmtohen

Më: 21 shkurt 2024 Në ora: 14:59
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se ditëve në vijim, Qeveria e Kosovës, do dalë me një listë prej 10 masash, në lidhje me dinarin serb.

Ai në tryezën me temën “Zhvillimi ekonomik për serbët në Kosovë”, tha se Qeveria është e vetëdishme se zbatimi i rregullores së BQK-së, për cështjen e dinarit, mund të shkaktojë vështirësi te komuniteti serb të cilët marrin ndihma nga Serbia.

Përmes këtyre 10 masave sipas tij do tentohet që qytetarët të mos dëmtohen ekonomikisht.

“Jemi të vetëdijshëm që në afat të shkurtër zbatimi i kësaj mase mund të krijoj vështirësi, për qytetarë që marrin mbështetje nga Serbia. BQK ka nxjerrë një varg aktivitete dhe masa që tenton ta zbutë këtë. Ditëve në vijim Qeveria do të dalë me një listë prej 10 masave që ne do të tregojmë që qytetarët të mos dëmtohen në këtë fazë kalimtare. Por që do të garantonte zbatimit në plotni të formalizimit të pagesave”, ka thënë ai.

Ai theksoi se rregullorja e re e BQK-së, nuk e ka objektiv të merret me monedhat që janë në qarkullim por me rritjen e sistemit bankar dhe atyre të pagesave.

“Rregullorja nuk e ka objektiv me asnjë monedhe që është në qarkullim. Fokusi kryesor ka qenë rritje e sigurisë e sistemit bankar dhe të pagesave. Kjo siguri ka qenë e atakuar nga tri elemente: Elementi i parë ka qenë nga një proporcion tejet i madh i shfrytëzimit 500 euro në qarkullim. Monedha të tilla në një ekonomi të vogël si Kosova, zakonisht përdoren kur kemi të bëjmë me transaksione jashtë ekonomisë formale. Kjo brengë e BQK-së, ka qenë legjitime, për pak javë, BQK ka nxjerrë nga qarkullimi 165 mijë monedha 500 euro që është 83 milionë euro. Për një ekonomi të Kosovës sa do të thotë kjo për sigurinë e transaksioneve”, tha Bislimi.

Po ashtu, Bislimi tha se rregullorja e BQK-së, merret edhe me mbrojtjen e qytetarëve nga qarkullimi i monedhave false.

Ai theksoi se duhet vendosur ligjshmëri për importin dhe eksportin e valutave të ndryshme dhe jo vetëm dinarit.

“Pjesa e dytë ka të bëjë me mbrojtjen e  konsumatorëve nga qarkullimi i monedhave false. Kohëve të fundit kemi një atakim, që s’vje nga Kosova por nga vendet fqinje. E treta ka të bëjë me importin dhe eksportin e monedhave në tërësi, jo vetëm euros por edhe, dollarin, lekun e dinarin etj. Për të cilat duhet të vendoset një ligjshmëri. Kjo është kërkesë edhe e Procesit të Berlinit, ku kërkohet përdorimi i mekanizmit nga të gjitha vendet i Ballkanit Perëndimor”, tha ai.

Ndryshe, çështja e dinarit është bërë kryetemë politike në vend. Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, thotë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit.

O’Brien kishte deklaruar se me këtë qëndrim, Qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partnerë, edhe ne nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës si partnere”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat