Opozita vazhdon kritikat ndaj qeverisë për rrezikim të aleancës me SHBA-në

Aktuale

Opozita vazhdon kritikat ndaj qeverisë për rrezikim të aleancës me SHBA-në

Më: 21 shkurt 2024 Në ora: 15:02
Foto ilustrim

Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës kanë vazhduar kritikat ndaj Qeverisë së Kosovës për rrezikim të aleancave me ShBA-në dhe Bashkimin Evropian. Sipas Partisë Demokratike të Kosovës(PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), ekzekutivi ka dështuar në menaxhimin e duhur të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për rregulloren e re, ku ndalohet përdorimi i dinarit serb. Megjithatë, në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, thonë se komunikimi me ShBA-në dhe vendet të tjera aleate po vazhdon normalisht dhe se dallimet e vetme janë në afatet kohore të zbatimit të vendimit dhe jo në çështje përmbajtjesore.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se vendimi për ndalimin e dinarit serb është kushtetues, por duhet të ketë koordinim me aleatët ndërkombëtar për zbatimin e tij.

Deliu-Kodra: Kosova çdo ditë e më shumë po i cenon aleancat me partnerët

“Kemi kërkuar që për procese të cilat janë të rëndësishme edhe për çështjen e dinarit, natyrisht që është një vendim kushtetues, këtë e kemi thënë disa herë. Por të ketë koordinim me partnerët tanë, mos të ketë tensione dhe të ketë një bashkërendim të agjendës sonë. Ne kemi shënuar ditë më parë përvjetorin e pavarësisë së Kosovës, s’ka pasur asnjëherë përvjetor më të zbehtë. Kosova ka shënuar këtë përvjetor të pavarësisë pa miqtë të rëndësishëm, pa aleatë dhe ata që e kanë ndihmuar Kosovën në rrugëtimin e saj që nga bërja shtet dhe konsolidim. Kemi kërkuar tash e sa kohë, në kohën kur Kosova është nën sanksione dhe kur Kosova çdo ditë e më shumë po i cenon aleancat me partnerët, vetëm të ketë koordinim dhe qartësi në rrugëtimin tonë euro-atlantik”, tha ajo.

Më kritik u shfaq shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili tha se marrëdhëniet e Kosovës me Unionin Evropian dhe ShBA-në kurrë s’kanë qenë më keq.

Tahiri: Marrëdhëniet e Kosovës me unionin evropian dhe ShBA-në kurrë s’kanë qenë më keq

“Nuk është problemi që janë rreziku. Problemi është që marrëdhëniet e Kosovës me unionin evropian dhe ShBA-në kurrë s’kanë qenë më keq. Kjo është një temë që dihet botërisht. Kosova është nën sanksione, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës e trajtojnë Kosovën jo si partnere si përpara, por si palë e diskutimit”, shtoi ai.

Në anën tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se me aleatët ndërkombëtar kanë pajtueshmëri për përmbajtjen e rregullores së BQK-së, por dallimet e vetme janë në aspektet kohore të zbatimit.

Kusari-Lila: Komunikimi vazhdon me ShBA-në dhe vendet të tjera po vazhdon

“Besoj se ka qenë mjaftueshëm e theksuar gjatë gjithë deklarimeve, në veçanti këto të 16 vjetorit të pavarësisë që të gjithë krerët shtetëror e shohin si të veçantë dhe të përhershme bashkëpunimin dhe partneritetin me ShBA-në dhe vendet të tjera mike, që i ndihmuan Kosovës në periudhën e çlirimit, shpalljes së pavarësisë dhe shtet-ndërtimit. Në këtë pikë mund të them se koordinimi dhe komunikimi po vazhdon me ta. Janë disa çështje të cilat, si në rastin e rregullores së BQK-së në të cilat nuk ka pasur dallime në parime, por ka pasur dallime në afatet kohore të zbatimit apo implementimit...Komunikimi vazhdon me ShBA-në dhe vendet të tjera por konsiderojmë se është çështje e Kosovës dhe zbatimit të Kushtetutës”, theksoi Kusari-Lila.

Këto komente ata i bën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, e cila dështoi për shkak të mungesës së kuorumit. Megjithatë, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka caktuar të enjten seancën plenare, me pika të papërfunduara nga seancat e kaluara.

Edhe sa i përket punës së Kuvendit, opozita u shpreh kritike ndaj mazhorancës, ku sipas tyre puna në legjislativ ka degraduar plotësisht.

Deliu-Kodra: Ka degradim të punës së Kuvendit

“Çfarë po shohim tash e një kohë të gjatë është se ka një degradim të punës së Kuvendit. Janë diku 50 pika që presin që të shqyrtohen në Kuvendin e Kosovë, ndërkohë ne kemi zvarritje të agjendës legjislative për shkak të pafuqisë dhe degradimit të institucionit”, tha deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.

Ndërkaq, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se mazhoranca ka një papërgjegjësi totale në Kuvend.

Tahiri: Kjo është papërgjegjësi totale

“Na kanë mbledhur 62 pika të rendit të ditës dhe Kuvendi vazhdon punën me avazin e vet. Kjo është një papërgjegjësi totale”, theksoi ai.

Derisa potencoi se kanë mbledhur nënshkrimet për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme, javën e ardhshme sa i përket sigurimeve shëndetësore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat