Raportimi i shefit të AKI-së, deputeti Zyba tregon nëse u tha se kishte plan për atentat ndaj Kurtit

Aktuale

Raportimi i shefit të AKI-së, deputeti Zyba tregon nëse u tha se kishte plan për atentat ndaj Kurtit

Më: 21 shkurt 2024 Në ora: 20:48
Salih Zyba

Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti, sot raportoi në Komisionin për Mbikëqyrjen e këtij institucioni të sigurisë.

Anëtarët e këtij Komisioni nga opozita nuk pranuan të deklarohen për medie. Por, ishte Salih Zyba nga Vetëvendosje, i cili është nënkryetar i këtij komisioni, që tha se Ajeti raportoi edhe për rastin e kërcimeve kundër kryeministrit Albin Kurti, gjatë qëndrimit të tij ditë më parë në Shkup.

Në deklarim për mediumin publik, Zyba konfirmoi se drejtori i AKI-së foli në mënyrë specifike për këtë plan dhe thirrjet kërcënuese, për të cilat u shpreh se autoritetet e Kosovës kanë njoftuar edhe ato relevante të Maqedonisë së Veriut.

I pyetur nëse ka ekzistuar një plan për atentat ndaj kryeministrit me 10 shkurt, Zyba tha se “Po”

“Sipas njoftimeve tashmë të ditura, ka pasur thirrje dhe potencialisht edhe plan, por çfarë niveli dhe çfarë konfirmimi, kjo i mbetet organeve të tjera. Ne kufizohemi me të drejtat tona dhe përgjegjësitë që i kemi në kuadër të Komisionit. Por, një gjë që duhet ta theksoj që me iniciativë dhe kërkesë të disa deputetëve, kryesisht të opozitës, e kemi ftuar dhe i është përgjigjur ftesës në kohë reale drejtori i Agjencisë dhe për të cilin, thashë prapë se i kemi disa kufizime për temën, mirëpo seriozitetin e ka pasur Agjencia dhe përmes tij akterë të tjerë të sigurisë”.

Ndërsa lidhur me atë nëse ishte në rrezik jeta e kryeministrit, ai tha se “Është trajtuar me seriozitetin më të lartë, ashtu u tha edhe prej vetë drejtorit dhe rrjedhimisht janë marrë masat, nevojat e duhura për parandalim, nënkupton se ka pasur thirrje”.

“Kjo thirrje të paktën është pamundësuar ose penguar në mekanizmat që ka siguria e vendit tonë, por edhe vendeve që janë, në këtë rast vendit fqinjë Republika e Maqedonisë së Veriut”, tha Zyba.

Ai edhe njëherë ka potencuar se kanë ekzistuar thirrje për atentat ndaj kryeministrit, “kanë ekzistuar publikime, kanë ekzistuar dyshime të cilat mbeten dhe është obligim i Agjencisë të marrë masa me Policinë, Prokurorinë dhe këdo tjetër. Në këtë rast është i pashmangshëm bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë. Në bazë të asaj që u lë të kuptohet edhe u konfirmua nga drejtori, ka të bëj me persona dhe me organizime për të cilat janë potencial i çrregullimit dhe rrezikut të përhershëm, jo vetëm të pozitës së kryeministrit, por edhe të çdo elementi të sigurisë në Kosovë”.

Zyba gjithashtu potencoi se kërcënimet kryesisht vijnë nga Serbia, por, sipas tij, “në këtë rast momentumi ka qenë ai ku është bërë thirrje përmes një vizite që ai ka qenë në vendin fqinj, Republikën e Maqedonisë së Veriut”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat