​Bullizmi, fenomen në rritje te fëmijët

Aktuale

​Bullizmi, fenomen në rritje te fëmijët

Më: 29 shkurt 2024 Në ora: 09:42
Foto ilustrim

Bullizmi në shkolla dhe rrjete sociale, është një dukuri shqetësuese e cila po shfaqet te fëmijët. Kështu vlerësojnë njohës të arsimit, të cilët u bëjnë thirrje institucioneve dhe prindërve të kujdesen më shumë për sjelljen e fëmijëve, derisa thonë se në të kundërtën ky fenomen do të rritet.

Njohësi i arsimit, Rinor Qehaja vlerëson se mungon reagimi institucional për të ulur apo eliminuar këtë dukuri negative që po shkaktohet te fëmijët.

Qehaja, konsideron se për të mposhtur këtë fenomen, nevojitet një edukim më i madh i fëmijëve nga prindërit. Ai kërkon edhe nga institucionet përgjegjëse të veprojnë në këtë drejtim, qoftë me ndërgjegjësimin përmes fushatave apo ligjëratave të ndryshme në shkolla.

Qehaja: Mungon reagimi institucional ndaj bullizmit

“Padyshim që bullizmi prezanton rrahje të dhunës jo fizike që vazhdon të jetë prezent në shkolla tona, mirëpo shpeshherë është i paidentifikuar dhe për të cilin mungon reagimi institucional. Pra, atë që e kemi me rëndësi është një vetëdijesim i komunitetit, shkollave të vendit tonë, vetëdijesimi i nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve se çka është më së pari bullizmi dhe pastaj reagimi të jetë në proporcion...:02:27 Bullizmi, ngacmimi dhe çfarëdo tjetër që janë prezentë në rrjete sociale, për këtë padyshim që nevojitet përsëri një vetëdije më e lartë për raportim të tyre. Kjo është e ndjeshme dhe kërkon një përfshirje më të gjerë, por kjo mund të vijë vetëm kur nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit i raportojnë në mënyrë të menjëhershëm këto raste dhe reagimi është i menjëhershëm. Një vetëdije e lartë, mirëpo edhe një qasje shumë më pro-aktive karshi këtyre rasteve, qoftë në ndëshkim, rimodelim të sjelljeve të bullizuesve, në mënyrë që shkollat tona me të vërtetë të ofrojnë mirëqenie për çdo nxënës,” thotë Qehaja.

Se kjo dukuri është në rritje dhe po ndikon keq të fëmijët e thotë edhe sekretari i Këshillit të Prindërve, Enver Balaj.

Balaj, thotë se Ministria e Arsimit, duhet të ndërmarrë hapa që të ndalohet kjo dukuri.

Balaj: Ministria e Arsimit duhet me ndërmarrë shumë masa që të rregullohet ky problem

“Kam informacione dhe është një gjë shumë e vërtetë se në vendet e tranzicionit është fenomen dhe dukuri në rritje bullizmi, por nuk është vetëm në shkollat tona, është nëpër gjithë shkollat e botës, njëfarë forme shfaqet bullizmi, por në forma të ndryshme. Zakonisht më shumë shfaqet nëpër vendet e varfra të cilat e kanë standardin më të ulët ekonomik, ka bullizëm më shumë. Por, ne si prind dhe shoqëri, e Ministri e Arsimit duhet ndërmarrë shumë masa që të rregullohet ky problem, të vetëdijesohen qytetarët dhe fëmijët tanë, që mos t’i nënçmojnë dhe bullizojnë fëmijët nëpër shkolla, por duhet me qenë të gjithë të vetëdijesuar, të kuptojnë edhe botën e shtresës së pasur, të mesme dhe asaj të varfër, dhe botën e nxënëseve më të mirë e më të dobët. Do të duhej të punohet shumë më shumë me fëmijët tanë dhe shkollat tona për ta rritur cilësinë në arsim dhe të zhduket ky fenomen që është tepër në rritje. Është shumë shqetësues në Kosovë”, thotë Balaj.

Po ashtu, psikologu Rron Kastrati shprehet se duke qenë i bullizuar apo duke bullizuar, mund ta keq funksionojnë situatën shoqërore, arsimore.

Sipas tij, zakonisht fëmijët e bullizuar mund të krijojnë komplekse nga më të ndryshmet, të cilat mund të shkaktojnë nivele të larta të çrregullimeve të personalitetit, ndjenja të pasigurisë, reagime agresive, sjellje të papërshtatshme ose ankthe dhe keqinterpretim në mësim.

Sipas Kastratit, mënyrat më relevante që mund ta përmirësojnë gjendjen e përgjithshme në shkolla, janë bashkëpunimi i prindërve me psikologët, pedagogun e shkollës, menaxhmentin dhe mësimdhënësit.

Kastrati: Bullizmi ndikon në keq formimin dhe keq zhvillimin e personalitetit

“Bullizmi në shkolla veçanërisht prej rrjeteve sociale, ndikon në keq formimin dhe keq zhvillimin e personalitetit ...00:39 Duke qenë i bullizuar apo duke bullizuar, mund ta keq funksionojmë situatën shoqërore, arsimore dhe njëkohësisht fëmijët zakonisht të bullizuar mund të krijojnë komplekse nga më të ndryshmet, të cilat mund të shkaktojnë nivele të larta të çrregullimeve të personalitetit, ndjenja të pasigurisë, reagime agresive, sjellje të papërshtatshme ose ankthe, dhe bullizmi në shkolla mund të ndikojë negativisht në performancën arsimore të mësim-nxënies...02:35 Mënyrat më relevante që mund ta përmirësojnë gjendjen e përgjithshme në shkolla, janë bashkëpunimi i prindërve me psikologët, pedagogun e shkollës, menaxhmentin e shkollës dhe mësuesen...06:21 Ne psikologët jemi të fokusuar për t’i identifikuar shkaktarët dhe të gjitha pasojat që ky bullizëm është tashmë i shprehur online në botën ku fëmijët kanë një kontakt të drejtpërdrejt e të tepruar nga mbi përdorimi i telefonave të mençur dhe rrjeteve sociale,” shprehet ai.

Lidhur me këtë çështje, KosovaPress ka pyetur edhe Ministrinë e Arsimit, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat