Kompania tha se është në pushim vjetor, krejt çka dihet për arrestimin në Bullgari të Kryeshefit të KRU “Gjakova”

Aktuale

Kompania tha se është në pushim vjetor, krejt çka dihet për arrestimin në Bullgari të Kryeshefit të KRU “Gjakova”

Më: 2 mars 2024 Në ora: 07:22
Hasan Krasniqi

Kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, është arrestuar në Bullgari, para gati dy javësh. Nga kompania kanë thënë se i njëjti gjendet në pushim vjetor, por arrestimin e tij e konfirmuar Ministria e Punëve të Jashtme. Sipas raportimeve, ai është arrestuar në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar i lëshuar ndaj tij nga Policia italiane për dyshimet për trafikimin me qenie njerëzore.

Ministria e Punëve të Jashtme ka konfirmuar se Kryeshefi i KRU Gjakova, Hasan Krasniqi, është arrestuar në Bullgari. Në një përgjigje për Gazetën Express, MPJ ka thënë se ai është ndaluar më 19 shkurt, në pikëkalimin kufitar “Gyushevo”.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës konfirmon se në mbështetje të informatave zyrtare të pranuara nga Ministria e Jashtme e Republikës së Bullgarisë, shtetasi i Republikës së Kosovës (H.K)  është ndaluar më datën 19 shkurt, 2024 në Pikën e kalimit të kontrollit kufitar “Gyushevo””, ka thënë MPJ.

I njëjti është ndaluar pasi ka qenë në kërkim nga Interpoli.

“Shtetasi i Republikës së Kosovës është ndaluar pasi që i njëjti supozohet të jetë person i kërkuar nga Interpoli”, thuhet në përgjigje.

Para konfirmimit të MPJ’së, media ka folur me zëdhënësen e KRU “Gjakova”, Dafina Syla-Dina, e cila ka thënë se Krasniqi është në pushim vjetor. Sipas saj, ai ka kaluar në pushim vjetor qe “5-6 ditë”, derisa tha se nuk ka informacione tjera për të.

“Kryeshefi është t’u e shfrytëzu pushimin vjetor. Nuk kam informacion më shumë për këtë çështje. Është duke u shfrytëzu pushimin vjetor, nuk ka pse me u lajmëru. Nuk kam informacion zyrtar. Ka nja 5-6 ditë.”, ka thënë Syla-Dina.

Gazeta online Reporteri.net, ka raportuar dje se i njëjti është arrestuar në Bullgari, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar i lëshuar ndaj tij nga Policia italiane për dyshimet për trafikimin me qenie njerëzore.

Dyshimet janë se Krasniqi, që ka në pronësi edhe një kompani transporti udhëtarësh me autobus nga Gjakova drejt vendeve të Evropës, dyshohet se përmes saj ka kontrabanduar njerëz me dokumente të falsifikuara. Rrjedhimisht, sipas autoriteteve italiane, 57 vjeçari nga Gjakova është i implikuar në tre vepra të ndryshme penale.

Italia urdhër-arrestin ndaj Krasniqit e kishte lëshuar një muaj më herët, me 16 janar 2024.

Hasan Krasniqi, tre muaj pasi si kandidat nga partia e Kusari-Lilës në listën e Lëvizjes Vetëvendosje për asamblist në Komunën e Gjakovës kishte dështuar të marrë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur asamblist, në janar të 2022-tës ishte emëruar nga Qeveria e Kosovës kryeshef në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”.

Me ligjin për Ndërmarrjet Publike parashihet që zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve publike të jenë të pavarur, pra të mos kenë angazhime politike në 36 muajt e fundit.

Megjithatë, në vitin 2014 deri në 2017, Krasniqi kishte qenë për një mandat brenda Asamblesë në Gjakovë nga radhët e partisë Alternativa – partia e shefes së grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila. Por, sikurse në vitin 2021 me LVV, edhe në vitin 2017 me Alternativen ai kishte dështuar të rizgjidhej asambleist.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat