Peci: Rusia po tenton ta përdor Kosovën si pikë ‘kusuritje’ me Perëndimin për këtë shtet

Aktuale

Peci: Rusia po tenton ta përdor Kosovën si pikë ‘kusuritje’ me Perëndimin për këtë shtet

Më: 2 mars 2024 Në ora: 09:17
Lulzim Peci

Drejtori ekzekutiv i KIPRED, Lulzim Peci, ka bërë me dije se Rusia nuk dëshiron që Serbia dhe Kosova të bëjnë marrëveshje përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve.

AI ka thënë se arritja e marrëveshjes do të nënkuptonte humbjen e ndikimit të Rusisë në rajon.

“Është interesante që menjëherë pas arritjes së marrëveshjes së vitit 2013, marrëdhëniet mes Serbisë dhe Rusisë janë intensifikuar në të gjitha fushat. Dmth, 2 muaj pas arritjes së marrëveshjes së prillit të 2013, Serbia e ka nënshkruar marrëveshjen për partneritet strategjik me Rusinë. Prej asaj kohe, ky partneritet është rritur dhe Rusia e ka inkurajuar Serbinë që të mos arrijë marrëveshje me Kosovën, sepse marrëveshja do të nënkuptonte edhe humbje të ndikimit malinj të Rusisë në rajon”, ka thënë Peci.

Ai ka vlerësuar se Rusia a po dëshiron të shfrytëzojë situatën e acaruar në Ballkan për interesa të veta.

Sipas tij, Rusia është duke tentuar që ta përdor Kosovën si pikë ‘kusuritje’ me Perëndimin për Ukrainën dhe Gjeorgjinë.

“Elementi i dytë i strategjisë ruse qëndron tek fakti se Rusia po dëshiron të shfrytëzojë situatën e acaruar në Ballkan dhe rastin e Kosovës, për interesa të veta në atë që quhet fqinjësi e afërt, pra në Ukrainë dhe Gjeorgji e vende të tjera. Rusia është duke tentuar që ta përdor Kosovën si pikë ‘kusuritje’ me Perëndimin për Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Ky është qëllimi kryesor i Rusisë. Qëllimi kryesor i Rusisë është që Kosovën ta paraqesë si një krijesë të përkohshme, në të njëjtën formë siç e bën Serbia. Rusia poashtu ka qenë pjesë aktive e fushatës të ç’njohjeve të Kosovës, të cilën e ka bërë në partneritet me Serbinë“, është shprehur Peci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat