Lajçak dhe Bislimi flasin pas takimit – këto ishin temat e diskutimit

Aktuale

Lajçak dhe Bislimi flasin pas takimit – këto ishin temat e diskutimit

Më: 5 mars 2024 Në ora: 07:17 Përditësuar në ora: 14:12 më 05.03.2024
Miroslav Lajçak

Bislimi pas takimit me Lajçakun: Marrëveshja Bazike duhet të zbatohet përmes një plani të sekuencimit të drejtë e të barabartë

Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi, ka thënë se në takimin që ka pasur me emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, kanë folur për zbatimin dhe avancimin e Marrëveshjes Bazike.

Në njoftimi e qeverisë thuhet se Bislimi në takim ritheksoi se marrëveshja duhet të zbatohet përmes një plani të sekuencimit të drejtë e të barabartë mes palëve.

Ai tha se nënshkrimi i marrëveshjes është garancë dhe për pranim e zbatim të saj. Në këtë drejtim, refuzimi nga Serbia dhe letra e kryeministres Bërnabiq dhjetorin e kaluar, nuk kontribojnë pozitivisht në frymën e dialogut dhe zbatimin në plotni të marrëveshjes”.

“Ndërkohë, mbi masat ndëshkuese ndaj Kosovës, u kërkua nga ana e zëvendëskryeministrit Bislimi heqja e tyre sa më parë, ku shprehu se ato janë të padrejta dhe duhet të bëhen hapa finalizues drejt heqjes së tyre”, thuhet në njoftim.

Tutje, bëhet e ditur se Lajçak në takim ka sqaruar se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk ndërlidhet me procesin e dialogut, pasi sipas tij, këto janë dy procese të ndara.

​Lajçak: Duam përparim më të madh në dialog, ditëve në vijim do të ketë takim të kryenegciatorëve

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se do të dëshironin të shohin përparim më të madh në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit.

Lajçak pas takimit me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, tha se kjo marrëveshje, e cila ditë më parë ka bërë njw vit nga nënshkrimi është ujdia më e mirë që Kosova dhe Serbia mund të arrijnë. Sipas tij, arsyeja pse ka ngecje në zbatimin e saj është se dy palët kanë frikë siç tha “nëse bëj atë që iu kërkoni, a do të marrë atë që më premtoni”.

Lajçak: Do të dëshironim të shohim përparim më të madh në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit

“Ne trajtuam një sërë çështjesh, dy më të rëndësishmet kanë të bëjnë me marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, që është një arritje shumë e rëndësishme e dialogut. Dokumenti, i cili është ligjërisht i detyrueshëm në tërësinë e tij, por ka kaluar një vit që kur e miratuam këtë dokument dhe ne do të dëshironim të shohim përparim më të madh në zbatimin e tij dhe kjo ishte një nga çështjet që diskutuam se si të fillojmë zbatimin e shpejtë të kësaj marrëveshjeje... 3:31 Kjo marrëveshje është marrëveshja më e mirë që Kosova dhe Serbia mund të arrijnë. Unë jam shumë i sigurt për këtë, nëse do të kishte një marrëveshje më të mirë do të ishte propozuar tashmë. Prandaj është në interesin e të gjithëve që të fillojmë me zbatimin, sepse me këtë marrëveshje kemi përgjigje për pyetjet, ‘çfarë duhet bërë’ dhe ‘si ta bëjmë’. Dhe pyetja e vetme, e cila nuk ka përgjigje, është ‘kur’, dhe pyetja ime është, ‘pse të presim’. Kjo marrëveshje është e mirë, ndaj duhet të fillojmë zbatimin. Ne kemi shpenzuar shumë kohë duke diskutuar renditjen e hapave, kështu që nga të dyja palët ekziston frika se ‘nëse bëj atë që më kërkoni, a do të marr atë që më premtoni’ dhe kjo është ajo që po diskutojmë. Por unë besoj se këto pyetje mund të zgjidhen dhe të përgjigjen lehtësisht”, tha ai.

Lajçak para gazetarëve tha se me Bislimin kanë diskutuar edhe për rregulloren e BQK-së, ku ndalohet përdorimi i dinarit në Kosovë, për të cilën tha se ka marrë përgjigje për pyetjet e shumta që ka bërë, por që duhet të sigurohen që qytetarët serb në Kosovë të mos ndikohen negativisht nga ky vend.

Lajçak: Ka dispozita të caktuara në këtë diskutim të cilat janë të rëndësishme për dialogun

“Çështja e dytë që diskutuam, e cila është gjithashtu e rëndësishme është rregullorja e fundit e Bankës Qendrore të Kosovës lidhur me pagesat cash. Arsyeja pse po e diskutojmë është se ka dispozita të caktuara në këtë diskutim të cilat janë të rëndësishme për dialogun dhe prandaj është shumë e rëndësishme që ne të diskutojmë edhe këtë. Ju mund ta dini se unë organizova një takim në nivel ekspertësh javën e kaluar në Bruksel, takimi ishte konstruktiv dhe ne mundëm të gjenim përgjigje për disa pyetje. Por ka edhe pyetje që shkojnë përtej mandatit të këtyre ekspertëve dhe ne po diskutonim këtë çështje me z. Bislimi. Komunikimi ynë do të vazhdojë, dhe unë jam duke planifikuar të pres një takim tjetër në nivelin e kryenegociatorëve në ditët në vijim. Pra, kjo është arsyeja kryesore e vizitës sime sot në Prishtinë, tha Lajçak.

Madje, ai paralajmëroi se ditëve në vijim do të ketë takim të nivelit të kryenegociatorëve në Bruksel.

Lajçak: Rregulloren e BQK-së duhet të diskutojmë në nivel të kryenegociatorëve

“Unë do të thosha po. Dëgjova përgjigjet e pyetjeve, të shumë pyetjeve që bëra. Më duhet vërtet ta analizoj këtë tani, për të parë nëse i kemi të gjitha përgjigjet apo ka ende pyetje që kërkojnë përgjigje. Ky është procesi, natyrisht, duhet të sigurohemi që në fund të mos ketë njerëz, qytetarë, individë që do të ndikohen negativisht. Ky është sigurisht shqetësimi ynë... Ne gjithashtu duhet të diskutojmë këtë çështje, dhe çështje të tjera në nivelin e kryenegociatorëve, dhe ky do të jetë hapi tjetër”, theksoi Lajçak.

Gjithashtu, Lajçak tha se kanë diskutuar edhe në lidhje me draft-statutin e Asociacionit, propozuar nga euro-amerikanët, derisa theksoi se është në interesin e të gjithëve që të ketë progres të shpejtë në dialogun Kosovë-Serbi.

Lajçak jep detaje çfarë foli me Bislimin, paralalajmëron takim mes kryenegociatorëve

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, ka dhënë detaje se çfarë ka folur me zv/kryeministrin Besnik Bislimi.

Ndër të tjerash, Lajçak ka paralajmëruar takim mes dy kryenegociatorëve.

“…bëjnë me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve lidhur me dokumentin për normalizim i cili është adaptuar dhe dakorduar para një viti dhe për të parë progresin për implementimin e tij.

Diskutuam me të se si të vazhdojmë t’i zbatojmë marrëveshjet për normalizim. Gjithashtu është me rëndësi të them që diskutuam edhe për çështjen e pagesave në aspektin monetar dhe që është pjesë relevante e procesit të dialogut dhe diskutuam ashtu siç kemi biseduar në Bruksel në takim i cili ishte konstruktiv dhe kemi pasur disa pyetje por ka pasur pyetje që tejkalojnë kompetencat e delegacioneve në Bruksel dhe gjatë kësaj vizite. Po planifikoj një takim me shefat e delegacioneve të dy vendeve në ditët në vijim”. 

Lajçak takohet me Bislimin në ndërtesën e qeverisë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, të martën ka pritur në takim emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Takimi është mbajtur në ndërtesën e Qeverisë, e temë diskutimi në këtë takim ka qenë ecja përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike.

Lajçak sot në Kosovë

Kjo marrëveshje, e njohur me emrin tjetër si propozimi evropian, kërkon nga të dyja palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ka nisur qysh nga viti 2011.

Ajo nuk parasheh njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, por kërkon prej tyre që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese dhe gjithashtu mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore.

Edhe pse si i tillë dokumenti nuk është nënshkruar nga palët, unioni evropian vazhdimisht ka ri-përsëritur se marrëveshja është detyrim për palët.

Vizita e Lajçak vie një javë pasi ai u takua me përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë, më 27.02.2024 në Bruskel, për të diskutuar për çështjen e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila parasheh euron si valutë të vetme në vend.

Kosova në këtë raund bisedimesh u përfaqësua nga guvernatori Ahmet Ismaili. Pas takimit BQK përmes një komunikate për media tha se delegacioni ka informuar dhe paraqitur argumentet lidhur me Rregulloren për Operacione me Para të Gatshme.

Sipas BQK-së, autoriteti kushtetues dhe ligjor i BQK-së dhe rregullimi i vendosur nga BQK-ja nuk u vu në diskutim apo kontestua nga BE-ja, megjithatë ishin ngritur disa brenga për ndikimin e mundshëm te qytetarët tanë të komunitetit serb.

Ndërkaq, Lajçak pas këtij takimi ka thënë se mirëpret angazhimin e palëve për të gjetur një zgjidhje të qendrueshme dhe se sipas tij, shumë pyetje politike mbetën pa përgjigje, për të cilat, ai tha se nevojiten takime shtesë.

Takimin në Bruksel e kishte refuzuar kryenegociatori Bislimi, i cili pati deklaruar se Lajçak me këtë ftesë “ka shkelur parimet që i ka vendosur vetë”, dhe se sipas zëvendëskryeministrit, “është hera e parë që ai ka caktuar një takim pa pajtim paraprak me palët dhe është munduar që të përcaktojë agjendën përkundër parimeve që ai ka vendosur në vitin 2021, që asnjë temë nuk vendoset në agjendë pa pajtimin e palëve”.

Më 01.02.2024, në Kosovë ka nisur të zbatohet Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme. Përveç tjerash, kjo rregullore e përcakton euron si valutë të vetme që përdoret si mjet pagese në Kosovë.

Kjo ka ngjallur reagimin e komunitetit serb që jeton në Kosovë, të cilët bëjnë pagesa e paguajnë me dinarë. Kosova është përballur me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në. SHBA dhe vendet e tjera të QUINT-it kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit të BQK-së.

Bashkimi Evropian vazhdimisht ka kërkuar që çështja e rregullores së BQK-së të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat