​Konjufca: Familja Jashari zbatoi parimin ideal të jetës, liri a vdekje

Aktuale

​Konjufca: Familja Jashari zbatoi parimin ideal të jetës, liri a vdekje

Më: 5 mars 2024 Në ora: 12:24
Glauk Konjufca

Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se familja Jashari e ka zbatuar parimin ideal të jetës, liri a vdekje. Teksa citoi fjalët e Hamzë Jashari, ai shtoi se sa të ketë komb shqiptar mbi dhe, secili do të vijë në Prekaz të frymëzohet aty ku u ngjiz liria.

Në seancën solemne për nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Konjufca shtoi se rënia heroike e Jasharëve i dha jetë UÇK-së.

Konjufca: Sakrifica madhështore e Jasharëve na ka ngritur kombëtarisht në nivelin më të lartë të krenarisë

“Sakrifica madhështore e Jasharëve, na ka ngritur kombëtarisht në nivelin më të lartë të dinjitetit dhe të krenarisë. Jasharët, në krye me Ademin e Hamzën, me bacin Shaban e të gjithë familjarët tjerë, gra e burra, pleq e fëmijë, u sakrifikuan kolektivisht në luftë të drejtpërdrejtë për liri. Ata kolektivisht e zbatuan parimin ideal të jetës, liri a vdekje. Kur kombi arrin ta përcaktojë këtë princip, rënia bëhet liri e liria bëhet domosdoshmëri. Liria është si ajri, por ajo nuk rrin pezull. Ajo ngrihet mbi themele të forta, kurse rrënjët e saj shtrihen thellë në tokën e të parëve tanë. Siç thoshte Hamza “Ne do të jemi këtu, sepse nuk kemi ku të shkojmë, guri peshon në tokën e vetë’. Themelet e lirisë tonë rrin të patundura mbi gjakun e dëshmorëve, Kosovës nëpër vena i rrjedh gjaku i dëshmorëve”, deklaroi Konjufca.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca shtoi se sa të ketë komb shqiptar, secili do të vijë në Prekaz për tu frymëzuar.

Konjufca: Sa të ketë komb shqiptar mbi dhe, secili do të vijë në Prekaz e do të frymëzohet

“Nuk e di kurrë se a janë fjalë të afta ta thonë krejt ngjarjen. Nuk e dimë kurrë se a mund ta kuptojmë plotësisht përmasën e kësaj sakrifice, druaj nëse vërtetë mund t’i dalim hakut ne të gjallët heroizimit të tyre. Por një gjë të thjesht me siguri e di se a është i sigurt edhe gjaku i tyre. Se sa të ketë komb shqiptar mbi dhe, secili do të vijë në Prekaz e do të frymëzohet aty ku u ngjiz liria. Lavdi Jasharëve, zoti e bekoftë kombit tonë të pamposhtur”, përfundoi Konjufca.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat