Guvernatori Ismaili në Vjenë, pritet nga guvernatorin austriak Holzmann

Aktuale

Guvernatori Ismaili në Vjenë, pritet nga guvernatorin austriak Holzmann

Më: 5 mars 2024 Në ora: 16:08
Foto nga takimi

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili u prit në takim nga guvernatori i Oesterreichische Nationalbank (OeNB), Robert Holzmann, me të cilin diskutuan rreth zgjerimit të bashkëpunimin ndërmjet dy bankave qendrore.

Gjatë takimit, guvernatori Ismaili shprehu mirënjohje për mbështetjen e pakursyer të OeNB-së për BQK-në, përmes projekteve dhe asistencave të ndryshme, drejtpërdrejt si bankë qendrore ashtu edhe përmes konstituencës së saj me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), si dhe Joint Vienna Institute (JVI), njofton BQK.

Kjo mbështetje, siç thuhet në njoftim, ka kontribuar ndjeshëm në avancimin e sistemit financiar në Republikën e Kosovës dhe ngritjen e kapaciteteve të vet BQK-së si institucion.

Diskutimi ndërmjet dy guvernatorëve, sipas njoftimit, është përqendruar kryesisht rreth forcimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, duke përfshirë ndarjen e njohurive dhe ngritjen e kapaciteteve në mbikëqyrje, si dhe fillimin e iniciativave të përbashkëta kërkimore.

Po ashtu, dy guvernatorët nënvizuan rëndësinë e shfrytëzimit të ekspertizës dhe burimeve të të dyja institucioneve me qëllim të nxitjes së qëndrueshmërisë dhe efikasitetit më të madh brenda sistemeve të tyre financiare.

Guvernatori Ismaili theksoi rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta në avancimin e kornizave rregullatore në sektorin financiar, ndërsa u përfol edhe për përfitimet e ndërsjella të shkëmbimit të praktikave më të mira dhe nxitjes së një kulture të të mësuarit të vazhdueshëm.

Takimi përfundoi me angazhimin e të dyja palëve për thellimin e partneritetit dhe gjetjen e mundësive të reja për bashkëpunim në të ardhmen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat