Komisioni për punësime në MPJD, Gërvalla: Luftë brenda PDK-së, duan ta diskreditojnë Hoxhajn

Aktuale

Komisioni për punësime në MPJD, Gërvalla: Luftë brenda PDK-së, duan ta diskreditojnë Hoxhajn

Më: 7 mars 2024 Në ora: 16:20
Donika Gërvalla Schwarz

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, ka mirëpritur themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar që do të merret me punësimet në kuadër të dikasterit të cilin ajo e udhëheq.

Gërvalla ka thënë se përmes këtij Komisioni do të dëshmohen parregullsitë e shumta ndër vite që kanë ndodhur në MPJD.

Kryediplomatja më tej shtoi se kërkesa e Partisë Demokratike të Kosovës për themelimin e Komisionit, duket më shumë si luftë e brendshme e kësaj partie se sa me punën e ministres.

“Me vete kam vendime të panumërta të mëparshme ku jo vetëm nuk janë zbatuar kriteret e konkurseve, por as edhe një kriter i punësimit bazuar në ligjet ekzistuese. Me të njëjtin vendim, ish-ministri Enver Hoxhaj edhe e emëron anëtar të shërbimit të jashtëm personin, edhe ia cakton gradën konsull edhe ia cakton emërimin në misionin ku ka shkuar. Mos të flasim për emërimet që kanë ndodhur nëpër oda, nëpër kafe dhe që kanë qenë pjesë e pazareve në prag të zgjedhjeve. Pavarësisht nga vjen kërkesa dhe me cilat motive, kjo kërkesë që ka ardhur për këtë komision më krijon përshtypjen sikur është pjesë e luftës së brendshme brenda PDK-së për të diskredituar persona të caktuar, si Enver Hoxhaj, se sa që ka të bëjë me mua personalisht”, ka thënë Gërvalla.

Kuvendi e ka themeluar Komisionin hetimor dhe grupet parlamentare i kanë zgjedhur anëtarët e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat