​Lushtaku kërkon lejimin e importit të veturave më të vjetra se 10 vjet, Oda amerikane kundër

Aktuale

​Lushtaku kërkon lejimin e importit të veturave më të vjetra se 10 vjet, Oda amerikane kundër

Më: 8 mars 2024 Në ora: 12:49
Mërgim Lushtaku

Në tryezën e diskutimit rreth nismës ligjore lidhur me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për automjete, iniciuar nga deputeti Mërgim Lushtaku, përfaqësues të Odës Ekonomike Amerikane dhe ekspertë të komunikacionit ishin kundër heqjes se kritereve për importin e veturave më të vjetra se dhjetë vjet, kjo për arsye siç u shprehen ata të ruajtjes së mjedisit në vend.

Ndonëse, deputeti Lushtaku gjatë arsyetimit të kësaj nisme ligjore, theksoi se në asnjë vend të Evropës nuk ka kufizim të importit të veturave me dhjetë vjet. Ai tha se në vendet evropiane ka vetëm standard të euro diesel 4, dhe shtoi se janë edhe për ruajtjen e ambientit në Kosovë.

Lushtaku: Në asnjë vend të Evropës nuk ka kufizim të importit të veturave me dhjetë vjet

“Në vendet evropian kemi vetëm standard të euro diesel 4, nuk ka standard me dhjetë vjet ose 15 vjet. Në Evropë në bazë të hulumtimeve që kemi pasur edhe me ekspert të ndryshëm nuk qëndron asnjë herë ndalesa me vjet, por ndalesa është vetëm me euro diesel 4. Prandaj, edhe ky kufizim ka qenë një dënim për qytetarët, sepse derisa veturat vijnë sidomos nga Gjermania dhe Zvicra, ato sigurisht se duhet t’i plotësojnë kriteret, standardet që i ka edhe Evropa dhe sigurisht që ato standarde i synojmë edhe ne. Te pjesa e vjetërsisë së veturave në Kosovë sigurisht që është e vjetër dhe besoj që kjo do t’i kishte mundësuar qytetarëve që nëse e ka një veturë 2005, ta blen një veturë të vitit 2007-2008 për shkak të standardit ekonomik, por gjithmonë duke ruajtur ambientin, sepse edhe fokusi im si deputet nuk është vetëm të kursehet xhepi i qytetarëve, por në të njëjtën kohë të kemi një ambient ku edhe ne i rrisim familjet tona në Kosovë”, theksoi Lushtaku.

Në këtë tryezë u trajtuan me fokus të veçantë nenet (44, 63) ku përcaktohen kriteret për importin e veturave dhe ndërrimin e pronësisë.

Nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Vesa Sahatçiu theksoi se qëndrimi i OEAK mbetet që nuk mund të importohen vetura më te vjetra se dhjetë vjet, për shkak sic u shpreh ajo të ruajtjes së ambientit.

Sahatçiu: Nuk duhet të importohen vetura më të vjetra se dhjetë vjet

“Ne vazhdimisht si odë kemi pasur qëndrime saktësisht për nenin 44 që nuk mund të importohen vetura më te vjetra se dhjetë vjet, dhe prapë e kemi të njëjtin qëndrim që nuk duhet të importohen këto vetura, për shkak se vendi i Kosovës veç përballet me nivele shumë të larta të ndotjes. Kështu që duhet me menduar më shumë për mjedisin”, theksoi ajo. Edhe oda ekonomike gjermane është pro mbrojtjes së ambientit”, theksoi ajo.

Edhe përfaqësues nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare patën mendim të njëjtë sikur ajo Amerikane. Ndërsa, për këtë qëndrim të odave, deputeti nga PDK-ja, Lushtaku ka sfiduar këto oda se nëse ka ndonjë shtet në Evropë, do ta tërheqë këtë nismë ligjore.

Lushtaku: Nëse ka kufizime në ndonjë shtet të Evropës, unë e tërheq këtë nisëm ligjore

“Prandaj, unë e kuptoj edhe shqetësimin e disa organizatave por nuk është e arsyeshme që të arsyetohet edhe mungesa e kontrollit të institucioneve të Kosovës dhe paaftësisë së tyre dhe pastaj të dënohen qytetarët pse nuk kanë mundësi me i kontrolluar ato automjete nëse nuk janë me standard konform të Evropës… (Fund gati) Ju ftoj edhe juve Odave Ekonomike të më sfidoni në aspektin se nëse ekziston në BE dhe ndonjë shtet tjetër që ka ndalim të veturave në vite, atëherë edhe unë jam në rregull dhe sigurisht se do të tërheqë këtë nismë. Aq sa jam i informuar nga ekspert të ndryshëm, kemi vetëm kushte në standard, ku jam edhe unë me i rritë standardet euro-diesel 5-6”, theksoi ai.

Eksperti i komunikacionit, Muhamed Krasniqi tha se e kupton shqetësimin e deputetit Lushtaku, por shtoi se Kosova nuk duhet të bëhet deponi lëvizëse e mjeteve motorike.

Krasniqi: Kosova nuk duhet të bëhet deponi lëvizëse e mjeteve motorike

“Vendi ynë duhet me u orientuar drejt politikave të qarta dhe lehtësirave për importin e automjeteve të reja, jo për inkurajimin e qytetarëve për me i marrë automjetet më të vjetra se dhjetë vjet. Në vendet e zhvilluara industria e automjeteve ka filluar gradualisht me i ndal prodhimet e automjeteve me derivat-naftë…Kështu që është momenti që ne më shumë duhet me menduar rreth mbrojtjes së shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve rreth integrimit të transportit tonë publik në transportin e gjelbër dhe krijimit të kushteve, përfshirë edhe infrastrukturën ligjore. E kuptoj shqetësimin e deputetit dhe të një grupit tuaj këtu. Edhe unë e kam një automjet të vitit 1988, dhe me shumë dashni e mbaj atë veturë. Por, ne duhet të mendojmë se si Qeverinë duhet me krijuar lehtësira qytetarëve për me pasur automjete të reja. Kosova me këto veprime që ne me lejuar importimin e automjeteve të vjetra, ne vendin po e shndërrojmë deponi të lëvizshme me automjete motorike. Përderisa, Evropa i pastron rrugët e veta nga automjetet e vjetra po i bien në Kosovë dhe ne po merremi me ato automjete”, theksoi ai.

Kjo iniciativë e deputetit Lushtaku gjeti përkrahje nga Shoqata e Kontrolleve Teknike në Kosovë.

Rrustem Nika nga kjo shoqatë theksoi se heqja e kufizimit të vjetërsisë së automjeteve nuk paraqet problem, por shtoi se sfiduese mbeten derivatet.

Nika: Heqja e kufizimeve për import të veturave nuk është problem për ne

“Në kuadër të kontrolleve teknike, për neve nuk paraqet problem ky ligj as ky nen e as neni 44. Duke u nisur prej parimeve që çdo automjet ka specifika e veta. Për neve shqetësimi më I madh është tek derivatet. Ne nuk kemi problem me Euro-4, por problemet ne I kemi me veturat e reja për shkak që derivatet jo kualitativ”, theksoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat