Sveçla: Do të punojmë çdo ditë që secila grua të jetojë e veprojë e sigurtë

Aktuale

Sveçla: Do të punojmë çdo ditë që secila grua të jetojë e veprojë e sigurtë

Më: 8 mars 2024 Në ora: 13:31
Xhelal Sveçla

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka uruar për festën e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas.

Sveçla ka thënë se kjo datë përkujton përpjekjen e pareshtur për barazi e drejtësi.

Derisa si Ministri e Brendshme ai theksoi se do të punojnë jo vetëm sot por çdo ditë që secila grua  të jetojë e veprojë e sigurtë ashtu që sipas tij, secili vrasës i grave të marrë denimin e merituar.

“Si Ministri e Punëve të Brendshme, jo vetëm sot por çdo ditë, po punojmë që secila grua të jetojë e veprojë e sigurtë në vendin tonë ashtu që edhe secili vrasës mizor i vajzave e grave të sillet me shpejtësi para drejtësisë e të marrë dënimin e merituar”, tha Sveçla.

Postimi i plotë:

8 Marsi është data që na e përkujton përpjekjen e pareshtur për barazi e drejtësi. 8 Marsi është thirrje për bashkëveprim të pandalshëm që çdo vajzë e çdo grua të jetojë me dinjtet, e barabartë, e sigurtë dhe e mbrojtur.

Rezistenca dhe kontributi i vajzave dhe grave në historinë e popullit tonë mbetet shembulli më i mirë që secili prej nesh kemi para vetes.

Si Ministri e Punëve të Brendshme, jo vetëm sot por çdo ditë, po punojmë që secila grua të jetojë e veprojë e sigurtë në vendin tonë ashtu që edhe secili vrasës mizor i vajzave e grave të sillet me shpejtësi para drejtësisë e të marrë dënimin e merituar.

Duke njohur pabarazinë që ka rënduar ndër vite ndaj vajzave dhe grave në punësim, synim i punës sonë mbetet të ngrisim të gjithë mekanizmat që të garantojmë pjesëmarrje të grave dhe vajzave brenda sektorit publik.

Sektorit të sigurisë i nevojiten edhe më shumë gra dhe vajza dhe kjo përbën prioritetin tonë. Vajzat dhe gratë që janë çdo ditë në uniformë kanë dëshmuar se shërbimi për qytetarët e për Republikën nuk ka gjini.

Në këtë ditë të shënuar të 8 Marsit, shpreh mirënjohjen time të thellë për secilën vajzë e secilën grua që ka thyer çdo barrierë para saj. Para vetes kemi shumë sfida të cilat bashkëpunimi e bashkëveprimi si institucione e si shoqëri i tejkalon.

Gëzuar sot dhe çdo ditë, nuk do të reshtim së punuari për barazi e drejtësi, mirëqenie e siguri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat