Ish-zyrtari i lartë i DASH-it: Kosovës i duhet një burrështetas si Ibrahim Rugova

Aktuale

Ish-zyrtari i lartë i DASH-it: Kosovës i duhet një burrështetas si Ibrahim Rugova

Më: 8 mars 2024 Në ora: 13:34
Ibrahim Rugova

Raportet e Kosovës me komunitetin ndërkombëtar, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në pikën e tyre më të ulët, kjo pas rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës për të ndaluar përdorimin e valutës shtetërore serbe, dinarin, për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës.

Kur në pyetje janë këto marrëdhënie ish-zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore, sugjeron që liderët aktual të Kosovës të marrin shembullin e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugovës.

Në vlerësimin e ish-ambasadorit të SHBA-ve në Misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Bosnje e Hercegovinë, Kosova në këtë fazë ka nevojë për një burrështetas, e jo një person të mllefosur.

“Kur fillova të punoj për herë të parë me Kosovën mbi 30 vjet më parë, ishte mjeshtëria e Ibrahim Rugovës që solli vëmendjen e botës në Kosovë. Në vitin 2024, Kosova ka nevojë për një burrështetas – jo për mllef”, thotë Moore.

Marrë për bazë konsolidimin e munguar të shtetësisë së Kosovës dhe nevojës së saj për ndihmën e komunitetit ndërkombëtar për t’i arritur qëllimet e saj në arenën ndërkombëtare, diplomati i karrierës merr si shembull procesin e anëtarësimit të Suedisë e Finlandës në NATO, për të pasqyruar rëndësinë e bashkëpunimit me Perëndimin.

“Shikoni procesin që Suedia dhe Finlanda sapo kaluan për t’u anëtarësuar në NATO – dhe të dyja këto vende kanë demokraci të mirë-konsoliduar dhe sovrane. Ka anëtarë të BE-së dhe NATO-s që nuk e njohin Kosovën. Për këtë çështje, Kosova nuk është afër anëtarësimit në Kombet e Bashkuara”, shton ai,

I pyetur se çfarë ndikimi do të kenë zgjedhjet në Bashkimin Evropian dhe në SHBA-të në mbarëvajtjen e procesit të dialogut, ish i ngarkuar me punë në Ambasadën e SHBA-ve në Bjellorusi dhe ish-zëvendës-shefi i misionit në ambasadat e SHBA-së në Namibi, Bjellorusi dhe Bosnje e Hercegovinë, potencon se askush në Kosovë nuk duhet të presë që bota t’i zgjidhë problemet e tyre.

Meqë në vlerësimin e tij ajo çfarë duhet të bëjë Kosova është të ndërmarrë hapa pozitivë dhe të tregojë aftësi për të menaxhuar politikat në atë mënyrë për të fituar mbështetje pozitive në këmbim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat