Shefi i OSBE-së në Kosovë mirëpret vendimin e KQZ-së për katër komunat veriore

Aktuale

Shefi i OSBE-së në Kosovë mirëpret vendimin e KQZ-së për katër komunat veriore

Më: 8 mars 2024 Në ora: 20:57
Michael Davenport

Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, e ka mirëpritur vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që më 21 prill të votohet për apo kundër largimit të katër kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri të vendit.

Davenport ka thënë se tani e rëndësishme është që procesi zgjedhor të zhvillohet në mënyrë të drejtë dhe transparente.

“Verifikimi i Komisionit Zgjedhor Zgjedhjeve për nënshkrimet në mbështetje të votave për tërheqjen e kryetarëve në të katër komunat veriore është një hap i mirëpritur, ashtu si edhe vendimi për caktimin e votimeve”.

“Tani është e rëndësishme që procesi të zhvillohet në mënyrë të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe transparente”, ka shkruar ai në rrjetin social “X”.

Me tetë vota për dhe dy abstenime, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve votuan rekomandimin që më 21 prill të votohet për apo kundër largimit të katër kryetarëve shqiptarë në komunat në veri të Kosovës.

Ky rekomandim erdhi nga Sekretariati i KQZ-së, pasi verifikoi nënshkrimet e dorëzuara të peticionit nga kuvendet komunale të Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut.

Sipas Sekretariatit, në këto katër komuna është arritur kërkesa prej 20 për qind të nënshkrimeve të kërkuara nga numri i përgjithshëm të votuesve, në mënyrë që të votohet për largimin e udhëheqësve komunalë.

Sipas udhëzimit administrativ që mundëson largimin e kryetarëve të komunave, të miratuar shtatorin e vitit të kaluar, që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat