Gashi e akuzon Hysenin për gjendjen e rrugës Gjilan-Ferizaj, ai thotë se nuk ka obligim ligjor

Aktuale

Gashi e akuzon Hysenin për gjendjen e rrugës Gjilan-Ferizaj, ai thotë se nuk ka obligim ligjor

Më: 11 mars 2024 Në ora: 21:32
Kenan Gashi dhe Alban Hyseni

Drejtori Ekzekutiv në organizatën AVONET, Kenan Gashi, e ka akuzuar kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni për ngecje në rrugën Gjilan-Ferizaj, e cila sipas tij frekuentohet shumë nga banorët e Gjilanit dhe është në gjendje të mjerueshme.

Gashi tha se kjo rrugë ka dështuar dhe sipas tij më mirë ka qenë para ndërtimit se tani.

“Pjesa që fillon prej Gjilanit duke shkuar për Ferizaj, është s’po themi, por ka dështuar si projekt, derisa ne shohim dhe vërejmë se ajo pjesë e rrugës është dëmtuar, mos të themi më mirë ka qenë se sa që është dhe nuk kemi parë ndonjë intervenim, ndërhyrje nga Komuna me atë operator ekonomik”, tha Gashi.

Ndërkohë, kryetari Alban Hyseni e kundërshtoi duke thënë se kontrata për ndërtimin e asaj rruge nuk është bërë nga Koman, rrjedhimisht nuk ka kompetencë të ndërhyjë në të.

“Çka mundemi ne më bë si Komunë në raport me kompaninë”, u shpreh Hyseni, derisa shtoi se ka pas dhjetëra takime me kompaninë.

“Qytetarët e Gjilanit vazhdimisht kanë reaguar, unë nuk kam parë asnjëherë ndonjë reagim të Komunës”, deklaroi Gashi.

Ai shtoi e hyrje-daljet e rrugëve në qytetin e Gjilanit janë bërë problem për qytetarët.

“Çdo institucion ka përgjegjësi dhe obligim, si rrugë ligjore është dashtë të themeloni një komision së paku për të shikuar si po realizohen punët. Ju e keni obligim ligjor sepse është në pjesën e territorit të juaj por është përgjegjësi se pasojat janë krijuar në komunën e Gjilanit. E dyta që është si dobësi që hyrjet dhe daljet e rrugëve të Gjilanit është në një gjendje jo të mirë një qytetar i Gjilanit ka problem me hyrje dhe dale, nuk është problem njëmujor por shumë më i gjatë. Kjo është si duhet të ngritët përgjegjësia edhe për atë operator ekonomik por edhe për atë mekanizëm mbikëqyrës të institucioneve që e kanë. Nuk është e vërtetë këtu që Komuna nuk ka përgjegjësi se me Ligjin për Vetëqeverisjes Lokale Komuna merr përgjegjësi për çdo gjë në Komunë”, u shpreh Gashi.

Megjithatë, kësaj iu kundërpërgjigje kryetari Hyseni, i cili tha se nuk ka kompetencë Komuna të ndërhyj në projekte të Ministrisë.

“Komuna nuk mund të themeloj një komision për mbikëqyrje të punimeve”, u shpreh Hyseni.

“Mund ta bëni një gurp punues”, deklaroi Gashi.

“Nuk ka kurrënjafër efekti ligjor”, deklaroi Hyseni.

“Nëse është duke abuzuar operatori ekonomik është dashur të thirrni institucionet e drejtësisë, prokurorinë e shtetit”, u shpreh Gashi.

Derisa këtë Hyseni e quajti temë tjetër.

“Ju po flisni më shumë për obligim moral, të cilin edhe e ndjej, rruga është magjistrale, është në përgjegjësi të Ministrisë, nuk jam përgjegjës për rrugët magjistrale, nuk mbaj përgjegjësi për kontratat që nuk i nënshkruaj”, u shpreh Hyseni.

“E keni obligim”, i tha Gashi.

“Nuk kemi as të drejtë se jo obligim. Nëse thoni duhet me formu komision jeni gabim sepse nuk mund të formojmë komision, sikur nuk mund të formoj komision Ministria për projektet e mia”, përfundoi Hyseni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat