Paralajmërimi i intelegjencës amerikane për dhunë ndëretnike, eksperti amerikan: Serbia është agresori kryesor në veri, e dimë të gjithë

Aktuale

Paralajmërimi i intelegjencës amerikane për dhunë ndëretnike, eksperti amerikan: Serbia është agresori kryesor në veri, e dimë të gjithë

Më: 12 mars 2024 Në ora: 18:42
Daniel Serwer,

Agjencia e Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara në një raport të publikuar të hënën, ka paralajmëruar se mund të ketë një kërcënim në Ballkanin Perëndimor – pra rajoni mund të jetë epiendër e dhunës ndëretnike.

Raporti i referohet ngjarjeve të fundit në rajon, si agresioni i Banjskës ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, dhe tensionet e muajit maj 2023, ku përleshjet mes KFOR-it dhe protestuesve serbë në veri të Kosovës lanë të plagosur dhjetëra ushtarë të forcave paqeruajtëse.

“Ballkani Perëndimor – ndoshta – do të përballet me një rrezik të ngritur të dhunës së lokalizuar ndëretnike gjatë vitit 2024 […] Përleshjet mes nacionalistëve serbë dhe autoriteteve kosovare kanë çuar në vdekje dhe plagosje, duke përfshirë lëndimet e paqeruajtësve të NATO-s në vitin 2023”, u tha në raport, duke veçuar përpjekjet e Rusisë për t’i shtuar tensionet.

“Liderët nacionalistë ka të ngjarë të përkeqësojnë tensionin për avantazhin e tyre politik dhe aktorët e jashtëm do të përforcojnë dhe shfrytëzojnë dallimet etnike për të rritur ose mbrojtur ndikimin e tyre rajonal ose për të penguar integrimin më të madh të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE) ose në institucionet euroatlantike”, alarmon tutje raporti.

Eksperti amerikan, Daniel Serwer, ka komentuar raprtin të cilin e ka shpërndarë Jakub Bielamowicz, analist i Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor në Institutin e Evropës së Re.

Serwer thotë se të gjithë e dinë se nga kush mund të vijë ky kërcënim, duke përmendur sulmet e vazhdueshme të serbëve lokalë në veri, si dhe sulmin terrorist në Bansjkë, ku mbeti i vrarë një polic I Kosovës.

“Kjo është e gabuar. Një incident ishte një sulm serb ndaj trupave të NATO-s. Në një incident të veçantë, policia e Kosovës ndaloi me sukses një komplot serb që synonte të ofronte justifikimin për një avancim ushtarak serb në Kosovë. Ka një agresor në veri të Kosovës. Duhet ta kemi të qartë se kush”, shkroi Serwer.

Edhe politologu dhe profesori i Universitetit të Grazit, Florian Bieber, i cili është ekspert për Ballkanin, ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq nuk është i interesuar për një zgjidhje të qëndrueshme me Kosovën, pasi preferon konflikt të hapur.

Në një intervistë Bieber thotë se duhet të ketë një qeveri të re në Serbi pa Vuçiqin në krye, dhe një nxitje e fortë ndërkombëtare në mënyrë që të arrihet një marrëveshje përfundimtare.

Eksperti austriak thekson se Serbia është bërë më armiqësore ndaj Kosovës dhe Perëndimit që kur Vuçiq erdhi në pushtet dhe mediat e tij po propagandojnë çdo ditë lajme anti-perëndimore dhe anti-kosovare.

Duke parë aktualitetin politik, profesori universitar shton se do të duhej që marrëveshjet e arritura ndërmjet Serbisë dhe Kosovës të nënshkruheshin zyrtarisht dhe të bëheshin dokumente detyruese publike.

I pyetur nëse Kosova rrezikohet nga një sulm i ngjashëm më atë të Banjskës, Bieber tha se mund të ndodhë që të ketë kërcënime të serbëve në kufi, por edhe incidente më të mëdhaja duke testuar në një mënyrë të caktuar vendosmërinë e NATO-s për të mbrojtur Kosovën.

Ish-zyrtari i Departamentit Amerikan të Shtetit, James Hooper, gjithshtu e konsideron Ballkanin një rrezik, duke ditur edhe gjendjen aktuale në Ukrainë.

“Arena politiko-ushtarake evropiane, pjesë e së cilës janë Kosova dhe Serbia, po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme, ndërsa lufta në Ukrainë po vazhdon dhe zgjedhjet presidenciale në SHBA po afrohen. Kjo është arsyeja pse Kurti duhet të vendosë se si të injektojë një nevojë më të madhe urgjence në procesin diplomatik. Nëse Rusia nuk detyrohet të humbasë në Ukrainë, Moska do të hedhë një hije më të madhe në Ballkan dhe me gjasë do ta trajtojë Kosovën dhe shtetet e tjera afër si fruta të vogla që mund t’i korrë me rrezik minimal, duke përfshirë heqjen e llogarive me Serbinë për ndihmën e saj për Ukrainën. Kështu, siç e kam theksuar, koha është kritike për ruajtjen e interesave të Kosovës. Kurti duhet të marrë drejtimin në kërkimin e riformësimit të Dialogut dhe qasjes së përgjithshme të SHBA-së dhe BE-së ndaj diplomacisë ballkanike, e cila do të kërkojë më shumë vetëdisiplinë dhe imagjinatë sesa ai ka demonstruar ende”, tha Hooper.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat