Escobar deklarohet pas njoftimit të Kurtit për Manastirin e Deçanit - Osmani, kërkesë Serbisë për terroristët e Banjskës

Aktuale

Escobar deklarohet pas njoftimit të Kurtit për Manastirin e Deçanit - Osmani, kërkesë Serbisë për terroristët e Banjskës

Nga: Bota sot Më: 13 mars 2024 Në ora: 07:35 Përditësuar në ora: 14:15 më 13.03.2024
Gabriel Escobar dhe Vjosa Osmani

Osmani: Bashkëpunimi me ShBA-në duhet të jetë bosht i veprimeve që merr Kosova

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se bashkëpunimi me aleatët, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jetë bosht i veprimeve që merr Kosova.

E para e vendit, pas takimit me emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se suksesi i dialogut me Serbinë varet nga qasja parimore dhe e barabartë e Bashkimit Evropian ndaj palëve. Krahas kësaj, Osmani theksoi se zbatimi i qëndrueshëm dhe efikas i Rregullores së BQK-së është i mundshëm vetëm në bashkëpunim me aleatë, derisa kërkoi nga Serbia t’i ekstradojë në Kosovë të gjithë terroristët që ishin pjesë e sulmit në Banjskë.

Osmani: Bashkëpunimi me aleatët, veçanërisht me ShBA-në duhet të jetë bosht i veprimeve tona

“Bashkëpunimi me aleatët tanë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jetë bosht i veprimeve tona. Puna jonë e përbashkët me Shtetet e Bashkuara ka qenë dhe mbetet jetike në Republikën e Kosovës, si në përpjekjet tona të pa kompromis për të siguruar sundim të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës, ashtu edhe për fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, veçanërisht sa i përket integrimit në institucionet euro-atlantike”, tha Osmani në një deklaratë të përbashkët me Escobar para mediave.

Kosova, sipas presidentes Osmani është e përkushtuar në procesin e dialogut, mirëpo shtoi se nevojitet qasje e balancuar nga ndërmjetësuesi që i tërë procesi të ketë sukses.

Ajo theksoi nevojën e zbatimit të plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, në mënyrë që mos të ketë qasje selektive vetëm ndaj neneve të caktuara të saj.

Osmani: Suksesi i dialogut varet nga qasja parimore dhe e barabartë e ndërmjetësuesve

“Sa i përket procesit të dialogut me Serbinë, proces në të cilin jemi thellësisht të përkushtuar kam potencuar përgjatë takimit se suksesi i këtij procesi varet edhe nga qasja parimore dhe barabartë e ndërmjetësuesit, në këtë rast të BE-së ndaj palëve. Është kruciale të ketë zbatim të plotë të marrëveshjeve të dakorduara në vitin e kaluar, veçanërisht Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit. Prandaj qasja selektive vetëm ndaj neneve të caktuara nuk do të ndihmojë pasi të gjitha nenet kanë rëndësi, prandaj edhe zbatimi duhet të jetë i plotë dhe jo i pjesshëm. Në këtë drejtim angazhimi i ShBA-së mbetet kyç për një përmbyllje të suksesshme të procesit të dialogut, që do të çonte në një njohje të ndërsjellë”, shtoi ajo.

Duke folur për rregulloren e BQK-së, ku ndalohet përdorimi i dinarit serb në Kosovë, Osmani tha se zbatimi i qëndrueshëm dhe efikas i saj është i mundshëm në bashkëpunim me aleatë.

Osmani: Zbatimi i qëndrueshëm dhe efikas i Rregullores së BQK-së është i mundshëm në bashkëpunim me aleatë

“Zbatimi i qëndrueshëm dhe efikas i kësaj rregullore është i mundshëm në bashkëpunim të plotë dhe mbështetjen e aleatëve tanë. Aleatët tanë janë pro zbatimit të Kushtetutës, siç e kanë thënë çdo herë dhe në favor të një plani tranzicional të qëndrueshëm. Besoj se edhe çështja e kësaj rregulloreje do të ecet përpara me një zgjidhje të përbashkët dhe në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, theksoi Osmani.

Në anën tjetër, Osmani kërkoi nga Serbia që t’i ekstradojë të gjithë terroristët që ishin pjesë e sulmit në Banjskë.

Osmani: Serbia duhet t’i ekstradojë të gjithë terroristët që ishin pjesë e sulmit në Banjskë

“Grupi terrorist dhe paramilitarë nga Serbia, i përfshirë në këtë sulm duhet të përballet me drejtësinë në Kosovë. Për këtë akt agresioni dhe sulm terrorist duhet të ketë përgjegjësi. Serbia duhet t’i ekstradojë të gjithë ata që ishin pjesë e planifikimit, financimit dhe organizimit të këtij akti të agresioni kundër Republikës së Kosovës dhe stabilitetit në rajon”, deklaroi ajo.

Osmani foli edhe për procesin e largimit të kryetarëve në katër komunat veriore, ku tha se ky proces po shkon sipas afateve të parapara.

​Escobar: Vendimi për Manastirin i vështirë, por i domosdoshëm

Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës që Manastirit të Deçanit t’i jepen tokat, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Escobar, pas takimit rreth dy orësh me presidenten, Vjosa Osmani, kërkoi nga Kosova dhe Serbia zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, derisa nënvizoi se nuk po i kërkohet vetëm Kosovës të marrë vendime të vështira në kuadër të kësaj ujdie, por edhe Serbisë. Ai para mediave theksoi edhe nevojën e forcimit të marrëdhënieve bilaterale mes ShBA-së dhe Kosovës, raporton KosovaPress. 

Escobar tha se vendimi për tokat e Manastirit të Deçanit është i rëndësishëm dhe një hap i domosdoshëm, ndonëse i vështirë për institucionet e Kosovës.

Escobar: Vendimi për Manastirin i vështirë por hap i domosdoshëm

“Është shumë i rëndësishëm vendimi i sotëm për Manastirin e Deçanit. Ishte hap i domosdoshëm, i vështirë por i domosdoshëm dhe i falënderoj institucionet e Kosovës për këtë hap”, tha ai.

Escobar tha se gjatë qëndrimit në Kosovë do të realizojë shumë vizita për të diskutuar për sfidat që po përballet Kosova, përfshirë edhe rregulloren e BQK-së, ku ndalohet përdorimi i dinarit në Kosovë.

Mes tjerash, ai përmendi edhe nevojën e ecjes përpara në dialog, me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, ku bën pjesë edhe themelimi i Asociacionit.

Escobar: Kosova dhe Serbia të zbatojnë marrëveshjen e Ohrit

“Ka shumë punë për të diskutuar për disa prej sfidave që po përballemi tani, duke përfshirë edhe vendimin e BQK-së për të gjetur mënyra sesi të ecim përpara në dialog, i cili përfshinë Asociacionin, por jo vetëm atë. Siç e përmendi edhe presidentja që të dyja palët duhet të vazhdojnë mes zbatimin e plotë të marrëveshjes. Ne ftojmë edhe Serbinë që zbatojë marrëveshjen, prandaj kjo nuk është një përpjekje unilaterale që vetëm Kosova të marrë vendime të vështira që marrëveshja e Ohrit të bëhet realitet”, theksoi Escobar.

Në anën tjetër, ai kërkoi nga Serbia që të gjithë personat përgjegjës për sulmin terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të dalin para drejtësisë.

Escobar: Të gjithë përgjegjësit e sulmit të Banjskës të dalin para drejtësisë

“Jemi tepër të shqetësuar për ngjarjen e 24 shtatorit. Presim dhe ftojmë Serbinë që të gjithë ata që janë përgjegjës të dalin para drejtësisë dhe të japin llogari të plotë për atë sulm”, deklaroi Escobar.

Duke folur për raportet ShBA-Kosovë, emisari amerikan theksoi se trashëgimia e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve është e bazuar në një përkushtim të qëndrueshëm për sigurinë, integritetin territorial dhe Pavarësinë e Kosovës.

Escobar: Do të vazhdojmë të forcojmë marrëdhëniet bilaterale mes ShBA-së dhe Kosovës

“Ju jeni karakteri jonë kryesor dhe trashëgimia e marrëdhënieve bilaterale mes ShBA-së dhe Kosovës. Dua të them se kjo trashëgimi është e bazuar në një përkushtim të qëndrueshëm për sigurinë, integritetin territorial dhe pavarësinë e Kosovës. Do të vazhdojmë të forcojmë këtë marrëdhënie në të gjitha interesat”, tha ai.

Escobar gjatë qëndrimit në Kosovë do të takohet sot me përfaqësues opozitarë dhe të shoqërisë civile, ndërkaq nesër do të takojë kryeministrin Albin Kurti.

Escobar pas njoftimit të Kurtit për Manastirin e Deçanit: Vendim i vështirë, por i nevojshëm

Emisari Amerikan Gabriel Escobar ka reaguar pasi Kryeministri Kurti Kurti tha në mbledhjen e Qeverisë se i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale që ta zbatojë vendimin e Kushtetueses për t’ia regjistruar pronën Manastirin të Deçanit.

“Dua ta përmend sa me rëndësi është vendimi i sotëm për Manastirin. Ishte vendim i vështirë por i nevojshëm dhe i falënderojmë institucionet për gjithë bashkëpunimn”, ka thënë Escobar pas takimit me Presidenten Osmani.

Osmani për largimin e kryetarëve në veri: Presim që ky proces të realizohet brenda parametrave kushtetues dhe ligjor

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në konferencën me emisarin amerikan Gabriel Escobar ka folur edhe për zgjedhjet në veri.

Ajo tha se procesi i largimit të katër kryetarëve të komunave në Veri të Kosovës është duke u realizuar konform procedurave të përcaktuara me ligj dhe udhëzim administrativ.

Osmani shtoi se pret që procesi i largimit të kryetarëve të realizohet brenda parametrave kushtetues dhe ligjor dhe sipas afateve të parapara.

“Siç e dini në kuadër të punës sonë të përbashkët edhe procesi i largimit të kryetarëve të katër komunave nga veriu i Kosovës është duke u realizuar konform procedurave të përcaktuara me ligj dhe me udhëzim administrativ në mënyrë që qytetarët e komunave të veriut të mund ta realizojnë të drjetën e tyre të garantuar në ligjin për vetëqeverisje lokale. Presim që ky proces të realizohet brenda parametrave kushtetues dhe ligjor dhe sipas afateve të parapara”, tha Osmani. 

Escobar e quan Osmanin garantuesen kryesore të raporteve SHBA-Kosovë

Emisari amerikan, Gabriel Esocbar, i është drejtuar presidentes Vjosa Osmani me disa fjalë në fillim të fjalimit të tij në konferencën e përbashkët për media pas një takimi që mbajtën.

“Faleminderit zonja Presidente për mikpritjen e ngrohtë në Kosovë. Ju jeni karakteri kryesor dhe trashëgimia e marrëdhënieve bilaterale mes SHBA-së dhe Kosovës dhe dua të them se kjo trashëgimi është e bazuar në një përkushtim të qëndrueshëm për sigurinë, integritetin territorial dhe pavarësinë e Kosovës”.

Escobar: Nuk po i kërkohet vetëm Kosovës të marrë vendime të vështira, por të dy palëve

Emisari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia të zbatojnë Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit.

Escobar, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, tha se nuk po i kërkohet vetëm Kosovës të marrë vendime të vështira, por të dy palëve.

Ai shprehu shqetësimin e tij për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, derisa tha se përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë.

Krahas kësaj, ai nënvizoi mbështetjen për sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës.

Derisa Osmani, pas takimit kërkoi nga Serbia të ekstradojë në Kosovë terroristët e sulmit të Banjskës.

Takimi me Escobar, Osmani i kërkon Serbisë ekstradimin e terroristëve të sulmit në Banjskë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se bashkëpunimi me ShBA-në duhet të ketë bosht i veprimeve të insitucioneve të Kosovës.

Osmani, pas takimit me emisarin e ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kërkoi nga Serbia të ekstradojë në Kosovë terroristët e sulmit të Bajnskës.

E para e shtetit duke folur për dialogun me Serbinë, tha se Kosova mbetet e përkushtuar, por nënvizoi nevojën që ndërmjetësuesi të ketë qasje të balancuar në këtë proces.

Emisari Escobar takon sot opozitën nga ora 19:00

Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sot do të ketë një takim të përbashkët me liderët opozitarë nga ora 19:00.

Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, ka konfirmuar se kreu i partisë, Ramush Haradinaj, do të jetë në takim dhe se mirëpret angazhimin e SHBA-së për finalizimin e procesit të dialogut.

“E mirëpresim angazhimin e ShBA-së për finalizimin e procesit të dialogut me Serbinë, i cili duhet të përmbyllet me njohje reciproke. Angazhimi i emisarit Escobar është kyç dhe e falënderojmë për gatishmërinë e tij për ta ndihmuar Kosovën në synimet e saj. Kryetari Haradinaj me kënaqësi ka pranuar ftesën për takim sot në ora 19:00”.

Po ashtu, në takim do të marrë pjesë edhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi. Burime nga Partia Demokratike të Kosovës kanë bërë të ditur dje se kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, do të takohet të mërkurën me emisarin amerikan dhe me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier.

Escobar aktualisht është në Presidencë për një takim me presidenten Vjosa Osmani. Pas pak pritet të dalin në një deklarim për media.

Osmani pret në takim Escobarin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim përfaqësuesin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor të Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar.

Takimi është duke u mbajtur në Presidencë dhe pas takimit është njoftuar se do te ketë deklaratë për medie.

Ndërkaq është bërë e ditur se Escobar, pas Osmanit do të zhvillojë takim edhe me krerët e opozitës, ndërsa me kryeministrin Albin Kurti do të takohet nesër.

Dialogu Kosovë-Serbi dhe çështja e dinarit – i dërguari amerikan, Escobar sot në Prishtinë

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar vjen sot për vizitë në Kosovë, ndërsa një takim është paralajmëruar me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

Takimi do të mbahet në ora 10:00, ndërkaq sipas njoftimi të Presidencës do të ketë edhe deklaratë për media.

Zëvendësndihmës Sekretari për Çështjet Evropiane dhe Euro-Aziatike i SHBA-së, Gabriel Escobar në një konferencë për media online të martën ka folur për çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, dhe vendimin e BQK-së për dinarin serb.

“Prej Brukselit do të udhëtojmë në Prishtinë ku do të fokusohemi për efektet dhe një zgjidhje të mundshme për vendimin e pakoordinuar për dinarin…”, ka thënë Escobar.

Ai ka shtuar se procesi i dialogut është në një moment kritik, dhe “më duhet të them se nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

“ I inkurajoj të dyja palët të implementojnë marrëveshjet e arritura sidomos atë të arritur në Ohër. Kjo është njëra ndër arsyet primare që po vizitojë Kosovën”, tha ai.

Escobar u shpreh se “duke injoruar dialogun Kosova po injoron partnerët evropianë”.

Sa i përket vendimit të BQK-së për dinarin serb, Escobar u shpreh se i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të marrin seriozisht rekomandimet e tyre.

“Ne nuk po e vëmë në diskutim legjitimitetin e vendimit, por zbatimin e tij. Ne kemi nevojë që Qeveria e Kosovës të bashkëpunoj me komunitetin ndërkombëtar që të gjejmë një zgjidhje për këtë vendim që ishte katastrofik”, tha Escobar.

Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor ka thënë se raportet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës qëndrojnë në lidhjet mes dy popujve të të dyja vendeve.

“Marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Kosovës janë marrëdhënie që lidhen mes popullit amerikan dhe atij kosovarë, dhe nuk i takojnë një partie ose një njeriu”, tha Escobar.

Emisari amerikan megjithatë u shpreh se kanë probleme komunikimi me kryeministrin Albin Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat