Emisari amerikan takon sot opozitarët nga ora 19:00

Aktuale

Emisari amerikan takon sot opozitarët nga ora 19:00

Më: 13 mars 2024 Në ora: 11:04
Gabriel Escobar me liderët opozitarë

Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sot do të ketë një takim të përbashkët me liderët opozitarë nga ora 19:00.

Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, ka konfirmuar se kreu i partisë, Ramush Haradinaj, do të jetë në takim dhe se mirëpret angazhimin e SHBA-së për finalizimin e procesit të dialogut.

“E mirëpresim angazhimin e ShBA-së për finalizimin e procesit të dialogut me Serbinë, i cili duhet të përmbyllet me njohje reciproke. Angazhimi i emisarit Escobar është kyç dhe e falënderojmë për gatishmërinë e tij për ta ndihmuar Kosovën në synimet e saj. Kryetari Haradinaj me kënaqësi ka pranuar ftesën për takim sot në ora 19:00”.

Po ashtu, në takim do të marrë pjesë edhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi. Burime nga Partia Demokratike të Kosovës kanë bërë të ditur dje se kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, do të takohet të mërkurën me emisarin amerikan dhe me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier.

Escobar aktualisht është në Presidencë për një takim me presidenten Vjosa Osmani. Pas pak pritet të dalin në një deklarim për media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat