​Vendimi për pronat e manastirit, Ramosaj: Deçani përsëri u godit padrejtësisht

Aktuale

​Vendimi për pronat e manastirit, Ramosaj: Deçani përsëri u godit padrejtësisht

Më: 13 mars 2024 Në ora: 15:35
Bashkim Ramosaj

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë Kurti për dhënien e 24 hektarëve nën administrim manastirit, duke thënë se Deçani përsëri u godit padrejtësisht.

Ai në një postim në Facebook ka thënë se ka tri vjet që e pret kryeministrin Kurti të flasë për këtë temë, por nuk ka arritur asnjëherë ta bëjë këtë gjë.

“Deçani përsëri goditet padrejtësisht, kësaj radhe nga një urdhër ekzekutiv i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Deçani së pari është goditur padrejtësisht në vitin 2008, kur u krijua “Zona e Veçantë e Mbrojtur”, e cila bëri ndalimin e plotë dhe kufizimin e pajustifikueshëm në:

ndërtimin e rrugës;

ndërtimin e shtratit të Lumëbardhit;

në ndalimin e shfrytëzimit të “Pushimores së Fëmijëve”;

e ndaloi plotësisht zhvillimin ekonomik dhe ndërtimin në prona private brenda kësaj zone.

Parku Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” të vitit 2012, i cili e ndaloi dhe kufizoi mundësinë për të jetuar më mirë në këtë qytet, mundësinë e zhvillimit të kësaj komune, implementimin e shumë projekteve strategjike, të cilat tani më është dashur të jenë të përfunduara.

Park Nacional i cili është bërë pengesë shtesë e zhvillimit ekonomik.

Vendimi për fillimin e bypass-it, ndërrimin e destinimit të rrugës R108 – viti 2014.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2016, për 24 hektarë të pronave, i cili vendim u zbatua sot, nga Agjencioni

Kadastral i Kosovës me urdhëresë të Kryeministrit.

Qe tri vite po pres që ky Kryeministër të më takoj një herë të vetme, për të diskutuar edhe për këtë temë për të cilën dha urdhër ekzekutiv sot!

“Kur nuk je i zoti të bësh një hair në këtë vend, është mirë të mos i bësh as sherr këtij vendi,”
ka shkruar Ramosaj.

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar sot se i kanë kërkuar Agjencionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me tokën rreth Manastirit të Deçanit. Ai ka thënë se këtë vendim e ka marrë për ta hequr si kusht për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës ka qenë para dy opsioneve, të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese e të mundësohet ecja tutje me qëllim anëtarësimin në Këshillin e Evropës këtë vit, ose heqja e çështjes së Kosovës nga agjenda e anëtarësimit. Ndërsa, sipas Kurtit, vendimi është marrë “duke u prirë nga arsyeja e shëndoshë”. Ai po ashtu ka thënë se pranimi i Kosovës në KiE do të ishte fitore historike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat