Baraliu: Kurti nuk është më kryeministër, ka shkelur sovranitetin e Kosovës

Aktuale

Baraliu: Kurti nuk është më kryeministër, ka shkelur sovranitetin e Kosovës

Më: 13 mars 2024 Në ora: 23:03
Bleron Baraliu

Analisti politik nga SHBA-ja, Bleron Baraliu, pas vendimit të Qeverisë për dhënien e pronave prej 24 hektarësh Manastirit të Deçanit, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti nuk e meriton më pozitën e kryeministrit për shkak të shkeljeve të pretenduara të sovranitetit të Kosovës dhe Kushtetutës.

“Albin Kurti nuk është më kryeministër i Kosovës, nuk e respektoj si të tillë sepse ka shkelur sovranitetin e Kosovës, ka shkelur Gjykatën, Kushtetutën e Kosovës dhe si i tillë nuk e ka më juridiksion të jetë kryeministër i Kosovës”, ka deklaruar Baraliu.

“Një padrejtësi ligjore është kthyer në një krim”, kështu e ka vazhduar kritikën e tij ndaj vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për tokat rreth Manastirit të Deçanit.

“Një vendim i tillë përderisa ka pasur një status kohë juridike ka qenë një padrejtësi ligjore, dhe si i tillë ka ekzistuar si një padrejtësi ligjore që mund të luftohet. Përndryshe do të thosha se është paralele me padrejtësitë ligjore që janë bërë edhe kur Rrahman Morina me Kuvendin e ka pranuar kërkesën e Millosheviqit për ta cenuar sovranitetin e Kosovës. Po e krahasoj Kurtin me Morinën sepse paralelja është pothuajse e njëjtë sepse këtu ka ekzistuar një padrejtësi ligjore”, ka deklaruar ai.

Baraliu ka theksuar se një padrejtësi e tillë mund të luftohet dhe ka shtuar se shpreson se do të ketë mjaftueshëm patriotë brenda Kosovës që do të refuzojnë implementimin e këtij vendimi nga Qeveria.

Mes tjerash, Baraliu beson se Kurtit i është bërë presion për të pranuar vendimin.

“Nuk është e vërtetë që nuk ka pasur rrugëdalje nga kjo punë. Se në fund ose ndërrojmë Kushtetutën. Aspekti juridik nuk ka të bëj me vërtetësinë e argumentit të Kurtit se ‘nuk pata qare’. Unë mendoj që tema me rëndësi është thyerja e Kurtit para bashkësisë ndërkombëtare, sepse unë sa kam dëgjuar Kurtit i është bërë presion se ka me iu prish Qeveria e do të futet në listë të zezë nëse nuk e  pranon këtë. Nëse kjo ka qenë arsyeja se pse Kurti është dorëzuar para trysnisë atëherë e bën baras me Hashim Thaçin kur thoshte se ai mund të shantazhet”, ka deklaruar tutje Baraliu.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se tashmë ka urdhëruar Agjencinë Kadastrale që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që t’ia njohë Manastirit të Deçanit të drejtën në pronë në 24 hektarë.

Kryeministri Kurti, ka njoftuar gjatë mbledhjes së ekzekutivit më 13 mars se kërkesa drejtuar Agjencisë Kadastrale është bërë pasi zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që kërkon transferimin e 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit, do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat